Me një komision të posaçëm për reformën zgjedhore, që po ecën me hapa të ngadaltë, të vegjlit kanë nisur propozimet përmes nismave ligjore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Fatmir Mediu i republikanëve, njëherësh anëtar në Komisionin e Zgjedhores, përmes një projekt-ligji, të depozituar direkt në Kuvend kërkon të rikthejnë koalicionet parazgjedhore, heqja e të cilëve sipas opozitës ishte një mekanizëm për ta dëmtuar.
“Dy ose me shume parti politike te riregjistruara si subjekte zgjedhore ne KQZ, sipas nenit 64 te këtij Kodi, mund te regjistrohen ne KQZ si koalicion zgjedhor ne shkalle vendi jo me vone se 60 dite përpara datës se zgjedhjeve, duke paraqitur marrëveshjen përkatëse te koalicionit. Marrëveshja duhet te përcaktoje nëse partitë përbërëse te koalicionit do te paraqiten ne votimin proporcional veçmas ne fletën e votimit ose nëse koalicioni do të paraqitet si subjekt i vetëm.” – u shpreh Mediu.
Edhe kërkesa e vjetër e opozitës për hapjen e plotë të listave zgjedhore, ku mandatet të shpërndahen në bazë të votave preferenciale, është reflektuar në projekt-ligj.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të listës shumëemërorë, bazuar ne procedurat dhe kriteret e mëposhtme: Kandidatet e listës shumëemërorë te subjektit zgjedhor, rirenditen në bazë të numrit të votave parapëlqyese, duke filluar nga numri me i larte i votave. Kur numri i votave është i barabarte, renditja përcaktohet me short. Ne fillim përfitojnë mandat kandidatet qe kane marre numrin me te larte te votave parapëlqyese. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati më me pak vota ne shpërndarjen ne nivel zone zgjedhore e me pas ne rang vendi, i përket gjinisë me pak te përfaqësuar.”- tha Mediu.
Komisioni për Reformën zgjedhore u mblodh për herë të fundit 3 javë më parë, në tryezën e të cilit u hodhën propozimet e para nga PS e PD. Kjo e fundit, u fokusua te financimi I fushatave elektorale dukje kërkuar që ato të financohen tërësisht nga shteti.
Megjithatë, komisioni ende nuk ka prodhuar një produkt real. Me konsensus politik, mazhoranca dhe opozita kanë vendosur që komisioni të funksionojë deri më 10 mars 2023.