Zgjedhorja/ ‘Të vegjlit’ kërkojnë korrektim kombëtar dhe prag të vogël! Duka-Mediu-Dule: Lista të hapura dhe teknologji në të gjithë vendin

28 Prill, 15:56| Përditesimi: 28 Prill, 18:30

  • Share

Besimi se grupi i dialogut, i cili ka në tryezë diskutimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do të prodhojë një produkt konkret e do të marrë parasysh propozimet e tyre, mes partive të vogla të opozitës duket se është i vogël. Pavarësisht se grupi i dialogut, mblidhet periodikisht e po shqyrtojnë kërkesat e palëve, mazhorancës dhe opozitës, tre parti të vogla, PAA, Partia Republikane dhe PBDNJ, propozimet e tyre të cilët më herët i kanë artikuluar edhe publikisht, i kanë vendosur t’i depozitojnë direkt në kuvend.

Në projektligjin e depozituar më datë 24 prill nga Agron Duka i PAA, mbështetur me firmat edhe të Fatmir Mediut dhe Vangjel Dules, kërkohet rikthimi i listave për koalicionet parazgjedhore si para ndryshimeve të korrikut 2020, votim me lista të hapura për të paktën 2/3 e listës dhe korrektim kombëtar.

Hapja e listave në propozimin e 3 partive të vogla duhet të përfshijë edhe korrektimin kombëtar duke përjashtuar nga shpërndarja e mandateve me këtë metodë subjektet që kanë marrë më pak se 0.5% të votave në shkallë vendi, një prag që përgjysmohet në krahasim me 1% që është aktualisht në Kodin Zgjedhor.  

“Në shpërdarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar. Ligji per zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes i nënshtrohen jo me pak se dy të tretat e listës shumëemerore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.

Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve të përllogaritura nga korrektimi i votave në shkallë vendi, subjektet që kanë marrë më pak se 0.5 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”, thuhet në propozimin e depozituar në Kuvend.

Sipas propozuesve një ndryshim i tillë do të bënte të mundur një përfaqësim të drejtë për partitë politike që me sistemin aktual zgjedhor u digjen shumë vota në qarqe të vegjël. Një variant që PAA, PR dhe PBDNJ e propozojnë në këmbim të uljes së numrit të zonave zgjedhore të artikuluar më herët.

“Mandatet që mbeten pa u shpërndarë për çdo subjekt zgjedhor, koalicion dhe parti politike, në nivel zone zgjedhore, do t’u shpërndahen në rang vendi këtyre subjekteve, bazuar në rezultatin zgjedhor të korrektuar në shkallë vendi, për gjithsecilen prej tyre.”, thuhet në pikën 8 të nenit 162 për përllogaritjen  e mandateve, sipas variantit propozues.

“Renditja e kandidatëve bëhet nga KQZ-ja bazuar në numrin më të lartë të votave parapëlqyese që ka marrë secili kandidat i listës shumëemërore, në rastin kur renditja bëhet në funksion të ndarjes së mandateve të llogaritura për t’u shpërndarë në nivel të zonës zgjedhore. Kur rirenditja bëhet për kandidatët e listës shumëemërore për korrektim në shkallë vendi, rirenditja bazohet në përqindjen më të lartë të votave parapëlqyese që ka fituar secili kandidat i asaj liste.”, propozohet në pikën 3 të nenit 163 ku përcaktohet shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës.

Shtrirja e votimit elektronik dhe numërimit elektronik në të gjithë vendin dhe vota e diasporës janë dy propozimet e tjetra të aleatëve, të cilët në tryezën e dialogut përfaqësohen nga Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë.

Një tjetër risi që 3 partitë vogla propozojnë gjithashtu është mundësia që edhe  kryetarët e bashkive të cilët me kodin aktual duhet të japin dorëheqjen për të garuar në zgjedhjet parlamentare, të çlirohen nga ky detyrim, duke u dhënë mundësinë të garojnë në një tjetër zonë elektorale dhe jo në vendin ku ata ushtrojnë detyrën e tyre, ashtu si aktualisht qëndron për prefektët.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ska problem: 28/04/2024 20:04

    Sa me gjate keto lloj fytyrash ne ekranet e TV aq me gjate Rama ne pushtet mund te kete edhe ndonje marveshje ndermjet tyre . Keto lloj “ deputetesh “ as nuk ndreqin dhe as nuk rregullojne pune te mire do ishin te teatri i kukullave

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?