Zgjerimi i punimeve tek ish sheshi “Shqiponja” ka bërë që trafiku në zonë të rëndohet dhe për këtë policia të jap direktiva dhe rrugë alternative në hyrje të Tiranës që mjetet të mos bllokohen dhe të rëndohet edhe më tej trafiku.
Sipas policisë në ditët me ngarkesën me të madhe të trafikut, si ditën e hënë, ditën e premte dhe ditën e shtunë, qytetarët që udhëtojnë nga jugu i Shqipërisë duhet të zgjedhin si rrugë alternative drejt kryeqytetit Elbasanin, qytetarët që udhëtojnë nga veriu i Shqipërisë drejt kryeqytetit, duhet të zgjedhin si rrugë alternative Paskuqanin nëpërmjet urës së re dhe Bulevardit të ri Zogu i parë, ndërsa qytetarët që udhëtojnë drejt kryeqytetit nga Kavaja dhe Durrësi, duhet të zgjedhin si rrugë alternative rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë dhe anasjelltas përmes Ndroqit.
Policia e Tiranës njofton se në ditët në vijim do të informojnë për vështirësitë dhe rrugët alternative që sugjerohen si dhe apelojnë shumë kujdes dhe durim në trafik me qëllim shmangien e sjelljeve agresive që mund të jenë burim për aksidente rrugore si dhe të respektohet detyrimi për t’u dhënë përparësi mjeteve të emergjencave mjekësore.