Bashkia e Tiranës është gati për ndërtimin e shkollave të reja në zonën e Astirit, kështu është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit me të rinjtë në shpërndarjen e kartave të reja të anëtarësimit në Astir.
“Do të fillojmë edhe me ndërtimin e shkollave të reja. Shkollat e reja në të dy anët e Lanës zgjidhin përfundimisht kerkesën me rritjen e popullsisë, që do të vijë padyshim me zgjatimin e Lanës dhe me riparimin e saj. Ky lot i shkollave, dy në njërën anë dhe dy në anën tjetër, ul pak edhe ngarkesën që ka shkolla “Dhora Leka” dhe shkollat e tjera të njësisë”- tha Veliaj.
Me përfundimin e punës për Unazën e Madhe në zonën e Astirit, Kryebashkiaku Veliaj tha se projekti do të vijojë në pjesën jugore të qytetit, me zgjerimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar. Për zgjerimin e Unazës, Veliaj tha se familjet që do të preken nga ky investim do të përfitojnë banesa falas nga bashkia, përfitues sipas tij do të jenë edhe familje që janë pa letra.
“Asnjë nga banorët nuk do të jetë në rrugë. Më përpara ju e dinit si funksiononte dhe duhet ta pranojmë se disa rrugë kanë filluar që në kohën e atyre që sot janë në opozitë. Të vinte ruspa te ish Qyteti i Nxënësve dhe nuk pyeste njeri se çfarë ishe, ku ishe, a kishe letra, sepse ruspa të merrte përpara. Kjo është hera e parë që themi jo. Edhe ai që ka ndërtuar pa leje - se në Breg të Lumit nuk ndërtohet, as te 5 Maji, as te Lana - do të trajtohet, do të marrë një apartament, në bazë të metrave katrorë dhe kurorave”- shtoi kryebashkiaku.
Unaza e Madhe do të ishte përfunduar sipas Veliajt, nëse opozita nuk do të kishte bllokuar punimet, duke iu referuar protestave të Astirit.