Ekonomi

Zgjerohet fasha orare, përfaqësuesi i Shoqatës së lokaleve: Pa ndikim pasi është muaji i Ramazanit! 30-40% e bareve të vogla kanë falimentuar

12 Prill 2021, 14:59| Përditesimi: 12 Prill 2021, 16:56

  • Share

TIRANË- Prej ditës së sotme qarkullimi i automjeteve, qytetarëve dhe aktiviteti i bizneseve do të mbyllet në orën 22:00 dhe do të jetë i tillë deri në orën 6 të mëngjesit. Nga ky vendim pritet të përfitojë industria e bareve dhe restoranteve, mirëpo përfaqësues të këtij sektori thonë se impakti do të jetë i vogël për shkak të muajit të shenjtë të ramazanit, i cili do të sjellë ulje të konsumit pasi gjatë ditës nuk do të ketë frekuentim të lokaleve dhe kafeve.

“Deri dje mbylleshim nëpër shtëpia pa u perënduar dielli sot do të mbyllemi pasi ka perënduar. Ato dy orë nuk përbëjnë ndryshim. Nga të dhënat që ne kemi nga muaji i ramazanit ndër vite është se kemi një rënie të alkoolit, të mishit, apo të drekës. Edhe nëse sot ne punonim me drekën nuk do të punojmë më, ndoshta do të kemi pak punë për darkën, por do të jetë e cunguar pasi është orari i mbylljes në shtëpi”, shprehet Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Enri Jahaj thotë për Report TV se duhet një paketë financiare për sektorin pasi xhiroja është tkurrur, ndërsa me dhjetëra biznese të vogla janë mbyllur.

“Ne jemi kthyer në biznese mbijetese  që kur filloi pandemia dhe sot në të tilla kushte kemi mbetur. Po flasim për disa klube që punësonin shumë qytetar dhe e gjithë infrastruktura e tyre është goditur në mënyrë mjaft të rëndë dhe ka dëme të parikuperueshme, ndërsa po ti kthehemi bareve dhe restoranteve, do thosha 30-40% e tyre kryesisht bizneset familjare janë të mbyllura, dhe do të thosha se do të vijojnë të mbyllen pa u hapur sezoni. Por nga ana tjetër ka investitor në fushë, ka rihapje por balanca është negative. Xhiroja e sektorit është tkurrur në masën 50-60%, dhe kjo masë ndihmonte në mbajtjen në kosto efektive të gjithë infrastrukturat tona, dhe sot që flasim kjo lloj xhiro siguron vetëm mbijetesën dhe pagesën e detyrimeve dhe paguaj stafin”, shprehet Jahaj.

Jahaj thotë se për shkak të pasigurisë, kjo kategori biznesesh nuk mendon më as për investime.

“Për investime është vështirë të mendohet, pasi nuk dihet se si do të zhvillohemi dhe se si do të jetë qasja e klientëve në vitet që vijojnë”, pohon ai.

Sa i takon procesit të vaksinimit Jahaj shprehet se edhe kjo industri duhet të futet tek grupet prioritare.

“I bëj thirrje qeverisë që ne si grupe interesi, pra bare, restorante, hotele, klube të futen tek lista e njerëzve me prioritet për ti dhënë një shtysë dhe një garanci turistëve të vendit dhe të huaj”, thekson Jahaj.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?