Zgjerohet suficiti buxhetor, në 9 muaj arriti në 700 milionë euro! U mblodhën 5.2 mld €, por u realizuan vetëm 60% të shpenzimeve të planifikuara

22 Tetor, 09:47| Përditesimi: 22 Tetor, 11:44

  • Share

Tirane- Ecuria ekonomike përgjatë nëntëmujorit të këtij viti ka rezultuar pozitive më shumë se pritshmëritë e vetë institucioneve. Teksa pritej që në fund të shtatorit, deficiti të ishte afro 34 milionë euro, pra shpenzime më shumë se të ardhura, ka ndodhur e kundërta.

Ministria e Financave thotë se gjatë kësaj periudhe janë mbledhur afro 5.2 miliardë euro ndërkohë që janë shpenzuar 4.5 miliardë euro, duke bërë që suficiti të jetë në vlerën rekord prej 700 milionë euro.

Ky zgjerim i suficitit është ndikuar si nga rritja e të ardhurave për shkak të performancës pozitive të ekonomisë, shtimit të konsumit, rritjes së pagave, bumit turistik e xhiros së rritur të bizneseve, por nga ana tjetër ndikim ka dhënë edhe mosrealizimi i shpenzimeve të planifikuara.

Referuar treguesve fiskalw të Ministrisë së Financave, nga janari në shtator nuk janë realizuar shpenzimet e parashikuara me afro 230 milionë euro, si ato korrente ashtu edhe ato kapitale që kanë të bëjnë me investimet.

“Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 62.2 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 59.5 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3, datë 28.08.2024”, thotë Ministria e Financave.

Ndërkohë sa i takon të ardhurave ato janë rritur me 516 milionë euro ose 10.7% më shumë se vjet, ku rritja më e madhe është regjistruar tek tatimi mbi vlerën e shtuar, duke treguar për zgjerim të konsumit, dhe nga ana tjetër edhe tatimi i mbledhur nga pagat është në rritje, si rezultat i rritjes së rrogave në sektorin publik.

Gjatë këtij nëntëmujori janë 1 miliardë e 710 milionë euro janë të ardhurat doganore, dhe 1 miliardë e 700 milionë euro të ardhurat tatimore.

Deri në mbyllje të vitit pritet që të ardhurat e mbledhura të arrijnë në rreth 7.1 miliardë euro ndërsa shpenzimet në 7.7 miliardë euro.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?