Ambasadorja amerikanë Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kim thotë se po vazhdon zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe se kjo i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022.
‘Vazhdon zbatimi i Reformës në Drejtësi. Më vjen mirë që Zyra e Presidencës (në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Avokatin e Popullit dhe të tjerë) zhvilloi dje një short transparent për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin 1 vit më parë që mundësoi funksionalitetin. Veprimi i djeshëm i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022. Inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse që të vazhdojnë përpara – pavarësisht pengesave – për zbatimin e reformës në drejtësi.’- shkruan Yuri Kim.
Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Sokol Binaj (kryetari i ri), Anila Leka, Edlira Petri, Enton Dhimitri, Arta Marku, Etjen Kapo dhe Klodiana Mema do të jenë 9 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2022. Sipas ligjit kryetari i ri do të jetë Sokol Binaj si përfaqësues i Gjykatës së Lartë.
Pak javë më parë Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dërguan në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në short.