Mediat bullgare një ditë më parë kanë folur rreth një personi të tetë misterioz të mbijetuar me origjinë arabe nga tragjedia e regjistruar në Bullgari, ku humbën jetën 44 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
“Pasagjeri i tetë” është Shaip Nauf Al Salah, i cili zgjodhi të sqaronte këtë keqkuptim përmes mediave duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me aksidentit dhe se përfshirja e tij atë listë është një gabim.
Sipas mediave, gabimi ka ndodhur në spitali “Pirogov”, aty ku Shaip ishte shtruar në repartin e traumës për shkak se kishte thyer krahun. Ky është i njëjti spital ku të mbijetuarit nga aksidenti tragjik po trajtonin plagët. Mesa duket një gabim pakujdesie, ka bërë që shtetasi arab të përfshihet në listën e të mbijetuarve nga aksidenti, megjithëse nuk kishte asnjë lidhje.
Ky dyshim është ngritur ditën e djeshme në konferencën për mediat të Prokurorisë Publike Bullgare, ku u tha se nga autobusi u nxorën 44 trupa, ndërsa 8 nga udhëtarë mbijetuan, ndërsa më parë ishte njoftuar për 45 viktima.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 02:00 në autostradën Struma, 40 kilometra në jug të Sofjes, ku mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, ka shpallur tre ditë zie në nder të 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik.