Zgjidhja ekstreme mund ta shpëtojë PD-në!

12 Qershor 2023, 09:19| Përditesimi: 12 Qershor 2023, 10:19

  • Share

Nuk ishte e vështirë të imagjinohej degradimi i PD-së deri në këtë pikë, sikurse nuk është e vështirë të parashikohet rënia edhe më thellë e saj në humnerën e vetshkatërrimit, pas vendimeve të fundit konfuze dhe hileqare të grupit parlamentar dhe të kryesisë së partisë. Njerëzit janë turrur të zënë karriken bosh dhe nuk duan t’ia dinë se karrikes i janë kalbur këmbët dhe nuk mban dot më. Të thuash sot “unë e dija se do ndodhte kështu” nuk është mburrje. Ështe dhimbje. Dhimbje që mund të qetësohet vetëm nëse tregon, se çfarë ke bërë që kjo të mos ndodhte.

Nëse i analizoj sjelljet e lidershipit dhe të forumeve kundrejt këtij degradimi të pashpresë, shumë pak njerëz dhe akoma më pak gjeste më rezultojnë, se kanë ndihmuar për të frenuar rrokullimën. Tmerrësisht pak dhe tmerrësisht të paefektshëm. Ndarja nga non grata Berisha dhe vula e tij e turpit ishte një gjest i tillë, por ai u sfumua shumë shpejt për shkak të makthit të vetdorëzimit pa kushte dhe pa parime ndaj sulmit dhe dhunës që kapësi dhe dhunuesi patologjik, i paskrupullt e pa moral i bëri institucioneve dhe ligjit.

Makthi i vetdorëzimit i kaploi të gjithë udhëheqësit tanë, ata që lëpinë pështymën, por edhe ata që nuk i kursyen kundërshtitë me fjalë, por as ia kursyen bujarinë Berishës me vepra. Thirrja e vazhdueshme për bashkim me non gratën që u bë lajtmotivi i tërë të shiturve dhe delenxhinjve, ishte varri që po i hapej me gjakftohtësi partisë nga njerëzit që mbanin çelësat e saj. Ky krim politik, nëse nuk ndëshkohet me egërsi, varrin e hapur do ta mbushë me idealin, shpresën, misionin, pasionin, energjinë, forcën dhe ëndërrën demokrate. Ky krim politik, nëse nuk çrrënjoset do ta varrosë PD-në.

Sot shoh që udhëheqja është ndarë në grupe tarafesh që kacafyten si bajlozë për “hapset e kashtës” dhe askush nuk del të thotë si mendon t’a shpëtojë këtë parti. Nuk u intereson shpëtimi i partisë, nuk u interesojnë demokratët. U interesojnë vetëm çelësat. Dhe ky është një turp i papërballueshëm. Këtë dhimbje dhe turp unë nuk e duroj dot. Nuk e duroj, nëse nuk them publikisht si mund të shpëtohet PD-ja në gjendjen ku ka rënë.

Unë jam i bindur se bajlozët e hapseve të kashtës nuk do zbrapsen në betejën e tyre per të kapur çelsat e hiçgjësë, nuk do reshtin, deri sa të kapin karriken me këmbët e kalbura, nuk do përmbahen, deri sa ta bëjnë pleh të tërën. Unë e di se të shiturit dhe delenxhinjtë nuk duan t’ia dinë për kujën e parimorëve dhe të ndershmëve. Unë e di se ata nga një anë dhe Berisha nga ana tjetër do ia arrijnë qëllimit për t’a asgjësuar këtë forcë politike. Por unë di gjithashtu, se prap Partia mund të shpëtohet.

Mund të shpëtohet, duke bërë betejë deri në fund kundër të shiturve dhe delenxhinjve. Ndoshta beteja duhet të fillojë me thirrjen për të shkrirë, për të shpërndarë Partinë. Të ndershmit dhe parimorët që ende kanë ngelur aty mund t’ia dalin. Ndoshta kjo është rruga e vetme për t’a shpëtuar atë nga të shiturit dhe delenxhinjtë. Ndoshta është kjo rruga që mund të mbajë gjallë idealin, shpresën, misionin, pasionin, energjinë, forcën dhe ëndërrën demokrate. T’i mbajë gjallë, që të vendosen në themelin e një force të re.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?