Materialet zgjedhore në KZAZ 11 në Kukës

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ Materialet zgjedhore mbërrijnë në KZAZ 11 në Kukës, kryetari i komisionit: Gjithçka është gati

9 Maj, 13:42| Përditesimi: 9 Maj, 15:56

  • Share

Baza e materialeve zgjedhore ka mbërritur në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 11 të Bashkisë Kukës.

Kryetari i këtij komisioni, Uran Cengu, bëri të ditur se gjithçka është gati për ditën e shtunë, kur do të nisë edhe shpërndarja e materialeve në 73 qendrat e votimit. Cengu informoi gjithashtu për organizimin e grupit të numërimit të votave.

Qendra e Numërimit do të jetë e vendosur në palestrën e gjimnazit të qytetit, e cila ruhet nga forcat e Policisë. Në total, 44.535 qytetarë të Bashkisë Kukës kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, një rënie krahasuar me vitin 2023, kur ishin 45.855 votues. Ulje ka edhe në qendrat e votimit.

Në 11 maj do hapen 73 qendra votimi, një më pak nga 2023 ku hapen 74. Kjo ulje është pasojë e rënies së numrit të banorëve në fshatin Kalis, ku janë larguar rreth 300 persona.

Në qytetin e Kukësit, të drejtë vote kanë 18.574 qytetarë. Ndërkohë, më 11 maj pritet të votojnë edhe 44 persona me aftësi të kufizuara dhe 27 të paraburgosur.

Edhe në KZAZ-të e Hasit dhe Tropojës kanë mbërritur materialet zgjedhore, përfshirë kutitë e votimit, fletët, pajisjet ndihmëse dhe sistemin monitorues me kamera e ekrane për të gjitha qendrat e votimit dhe numërimit.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?