Konferenca për të Ardh men e Europës ishte një mundësi unike për qytetarët europianë për të debatuar mbi sfidat, prioritetet e Europës. Është vendi ku institucionet kryesore të Bashkimit Europian dialogojnë me qytetarët dhe marrin rekomandime prej tyre për atë se si e dëshirojnë ata Bashkimin Europian në të ardhmen.
Thelbi i këtij procesi ka të bëjë me pjesëmarrjen e qytetarëve. Konferenca, e cila përfundoi para pak ditësh, ka prodhuar një raport me 49 rekomandime dhe më shumë se 200 propozime se si të përmirësohet BE-ja. Këto përfshijnë integrimin më të thellë të BE-së në politikat e ndryshimeve klimatike, sociale dhe shëndetësore dhe kalimin nga unanimiteti në votim me shumicë të cilësuar në Këshill për të gjitha fushat.
EUROPA, ME DISA NIVELE E SHPEJTËSI
Në fjalimin përmbyllës të Konferencës për të Ardhmen e Europës në Strasburg, që përkoi me Ditën e Europës, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, parashtroi vizionin e tij për themelimin e një Komuniteti Politik Europian, i përbërë nga një grup shtetesh europiane jashtë BE-së, të cilat do të ishin të lidhura me BE-në, por jo domosdoshmërisht pjesë e saj. Macron u bëri thirrje shteteve anëtare që të krijojnë sa më parë një Konventë të re për të diskutuar ndryshimin e Traktateve të BE-së, që do t’i hapte rrugën, ndër të tjera, edhe krijimit të këtij komuniteti.
Samiti i Këshillit Europian, më 23 dhe 24 qershor, pritet të ndezë shkëndijën e parë në këtë proces, pasi Presidenti Macron në cilësinë e udhëheqësit të shtetit që mban Presidencën e radhës së BE-së, ka kërkuar një debat për krijimin e Konventës. Duke marrë shkas nga konteksti i luftës në Ukrainë, ai tha se vizioni i tij për një rreth më të gjerë shtetesh europiane do të siguronte një mënyrë për të sjellë Ukrainën dhe vendet e tjera të Partneritetit Lindor, si Gjeorgjia dhe Moldavia, në rrjedhën europiane më shpejt se ç’mund t’i sjellë anëtarësimi i plotë në BE, i cili mund të marrë vite apo edhe dekada.
Për Ukrainën, ai tha se tashmë është një anëtare e BE-së “në zemrat tona”, për shkak të betejës së guximshme kundër pushtimit rus. Por theksoi se të gjithë e dinin se anëtarësimi i Ukrainës në BE mund të zgjasë disa vite, ose në realitet disa dekada. Për shkak të kërkesave rigoroze që imponon ky proces, “BE-ja nuk mund të mbetet në një afat të shkurtër platforma e vetme për të strukturuar kontinentin europian”, nënvizoi Macron.
Një “komunitet politik” i tillë, sipas Macron, do t’u mundësonte “shteteve demokratike europiane që besojnë në vlerat tona thelbësore një hapësirë të re për bashkëpunim politik për çështjet e sigurisë, energjisë, transportit, investimeve në infrastrukturë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, veçanërisht të të rinjve”. Pa përmendur shprehimisht Mbretërinë e Bashkuar, për Presidentin Macron Komuniteti Politik Europian mund të jetë i hapur për “ato vende që janë larguar nga Bashkimi Europian”. Ky vizion, për një Europë me nivele ose shpejtësi të ndryshme, do të shtrihej në radhë të parë brenda anëtarëve ekzistues të BE-së. Bie fjala, vendet që i përkasin Eurozonës dhe Zonës Schengen, duhet të kenë të drejtë të diskutojnë dhe të vendosin për politika veçmas nga shtetet e tjera të BE-së.
Ndryshime të tjera të Traktatit që Macron dëshiron përfshijnë: përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar përkundrejt përdorimit të vetos, angazhime më konkrete në lidhje me sfidat që burojnë prej ndryshimeve klimatike dhe më shumë kompetenca për Parlamentin Europian. Nëse kësaj ideje do t’i jepej formë institucionale, do të krijohej BE-ja e “rrathëve koncentrikë” apo BE-ja e “shteteve në qendër” dhe “shteteve në periferi”. Macron rikujtoi gjithashtu thirrjet e tij të mëparshme për veprim të përbashkët të BE-së për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë. Vizioni i tij përmblidhet në “një Europë që zgjedh partnerët në mënyrë të pavarur, por nuk mbështetet tek ata”, një referencë e qartë për NATO-n dhe SHBA-të.
REZISTENCA NDAJ NDRYSHIMIT
Ideja e Macronit ka hasur në rezistencë dhe është shoqëruar me konfuzion se çfarë do të thotë e gjithë kjo për të ardhmen e kontinentit. Edhe gjatë mandatit të parë, presidenca e Macron është shënuar nga ide novatore për reformimin radikal të BE-së dhe NATO-s, duke i dhënë shpesh atij dimensionin e një mendimtari strategjik më shumë sesa të një politikani. Parashtrimi i këtyre ideve në periudhën e ndërmjetme mes zgjedhjeve presidenciale dhe atyre të pritshme parlamentare, ku Macron përballet nga njëra anë me të majtën radikale antikapitaliste, dhe nga ana tjetër me të djathtën ekstreme, pritet të kënë një ndikim edhe në zhvillimet e brendshme të jetës politikë në Francë.
Ndonëse lëvizja e tij e guximshme pritet të turbullojë ujërat e ndenjura, është e vështirë të vlerësohet shkalla e bashkërendimit me aktorë të tjerë brenda BE-se, sikundër nëse ky propozim do të arrijë të bëhet realitet. Macron mbështet rekomandimet e Konferencës për të Ardhmen e Europës për shtrirjen e votimin me shumicë të cilësuar në të gjitha fushat politike të BE-së. Kjo do të zgjeronte votimin me shumicë të cilësuar në fusha të tilla si politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, taksat, politika sociale dhe buxhetore.
Mënyra e votimit përbën padyshim “thembrën e Akilit” për shtetet anëtare ekzistuese në BE. Shtetet anëtare luajnë një rol vendimtar në këtë proces, pasi duhet të bien dakord në mënyrë unanime për çdo ndryshim Traktati. Mirëpo, koha është e ngutshme, sepse disa nga këto çështje, me ose pa rishikim të Traktatit, duhet të trajtohen përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian të vitit 2024.
Vetëm gjashtë shtete, përfshirë Gjermaninë, kanë sinjalizuar deri më tani se janë të hapura për fillimin e një Konvente. Kancelari gjerman Olaf Scholz u tregua i kujdesshëm duke e konsideruar atë një “ide interesante” që mund t’u japë zgjidhje sfidave, me të cilat do të përballet BE-ja në të ardhmen, në dallim nga Angela Merkel, e cila kundërshtonte çdo ide për një BE me disa nivele e shpejtësi. Ndërkohë, janë trembëdhjetë shtete anëtare, kryesisht në lindje të BE-së, por edhe Suedia e Finlanda, që kundërshtojnë ndryshimin e Traktateve, duke argumentuar se BE-ja funksionon mirë kështu siç është. Nga këndvështrimi i Danimarkës, jo anëtare e zonës së euros, BE-ja mund të funksionojë në mënyrë të kënaqshme.
Megjithatë, zona e euros mbetet në thelb jofunksionale. Politika e zgjerimit apo politika e jashtme dhe e sigurisë kufizohen gjithashtu nga vetoja kombëtare. Historia e vetos bullgare ndaj fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut që po pengon paradoksalisht edhe Shqipërinë apo vetoja hungareze ndaj seksioneve të naftës ruse, janë vetëm shembuj ilustrues të pafuqisë së BEsë për të vepruar. Ndaj, edhe nëse BE-ja do të binte dakord për një proces ndryshimi të Traktatit, ajo do të niste një rrugë me ndalesa, duke përfshirë referendumet kombëtare.
Brenda vetë BE-së, shpesh tregohet shakaja se nëse vetë BE-ja do të aplikonte për anëtarësim në BE, ajo nuk do të pranohej sepse i mungojnë disa parime themelore që janë udhërrëfyes për shoqëritë demokratike. Për shembull, Hungaria, një shtet që përbën rreth 2% të popullsisë së BE-së, ushtron të drejtën e vetos ndaj ndalimit të naftës ruse, që mbështetet nga shtetet që përbëjnë rreth 98% të popullsisë. Po kështu, Bullgaria një shtet që përbën më pak se 2% të popullsisë së BE-së bllokon fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, që paradoksalisht mban peng dhe Shqipërinë, proces që mbështetet nga shtetet që përbëjnë më shumë se 98% të popullsisë. Këshilli Europian, deri tani institucioni më i fuqishëm i BE-së, nuk përgjigjet para askujt.
Punimet e tij dhe ato të Këshillit të Ministrave nuk janë publike. Ndërkohë që Këshilli i BE-së është institucion bashkëligjvënës në BE, vështirë të gjendet një institucion tjetër me kompetenca bashkëligjvënëse, diskutimet e të cilit nuk janë publike. Vështruar në këtë kontekst, propozimet e Konferencës për të Ardhmen e Europës çojnë drejt një BE-je më demokratike, duke synuar korrektimin e deficitit demokratik të saj. Kjo do të thotë se fushat e politikave që shtetet anëtare i kanë ngritur në nivel europian duhet të rregullohen përmes votimit me shumicë të cilësuar. Një sistem që merr parasysh numrin e popullsisë së shteteve anëtare, por edhe mbron interesat e shteteve më të vogla. Shumica e cilësuar është të paktën po aq demokratike sa çdo sistem tjetër votimi. Për shembull, çdo shtet amerikan, pavarësisht nga madhësia, ka dy senatorë.
Ky sistem është gjithashtu produkt i një kompromisi që mbron shtetet më të vogla. Prandaj, çështja kryesore që lidhjet me reformimin e mëtejshëm të BE-së e ka zanafillën tek mënyra e vendimmarrjes. Dhe e lidhur me këtë është çështja e një BE-je me disa nivele e shpejtësi. Jo të gjitha shtetet anëtare do të bien dakord për një shtrirje të votimit me shumicë të cilësuar në fusha të tjera, e lëre më pastaj në të gjitha fushat e veprimtarisë së BE-së. Kështu që BE-ja duhet të gjejë një mënyrë kompromisi për të dyja. Hera e fundit që u provua shtrirja e votimit me shumicë të cilësuar në disa fusha ishte gjatë Konventës Kushtetuese në vitet 2002-2003, nën udhëheqjen e ishPresidentit francez, Valéry Giscard d’Estaing.
Mirëpo këto ndryshime të trupëzuara në Traktatin Kushtetues të BE-së, u refuzuan në referendumet e vitit 2004 në Francë dhe Holandë. Traktati i Lisbonës arriti të shpëtojë vetëm disa fusha nga aplikimi i kësaj mënyre vendimmarrje. Traktati zgjeroi gjithashtu aplikimin e një tjetër procedure, atë të bashkëpunimit të zgjeruar, e cila ka rezultuar jofunksionale në praktikë. Nëpërmjet procedurës së bashkëpunimit të zgjeruar, të paktën nëntë anëtarë të BE-së, mund të ecin përpara ndërmjet tyre, në fusha specifike të politikave. Ideja ishte t’i jepej zonës së euros një platformë qeverisjeje dhe kësisoj të krijohej një bashkim fiskal. Kjo është arsyeja pse ideja e parashtruar nga Presidenti Macron për një Europë me disa nivele e shpejtësi duhet lexuar e lidhur ngushtë me çështjen e votimit me shumicë të cilësuar. Ndaj, të dyja çështjet do të trajtohen së bashku.
KOMUNITETI POLITIK EUROPIAN
Ideja tjetër e Presidentit Macron është krijimi i një Komuniteti Politik Europian, në qendër të të cilit qëndron një BE e reformuar dhe rreth saj shtete, të cilat jo domosdoshmërisht bëhen anëtare të BE-së, por që kanë një nivel bashkëpunimi të thelluar me të. Kjo mund të funksionojë si një paradhomë për anëtarësimin e plotë për treshen e shteteve të Partneritetit Lindor, duke llogaritur kohën dhe procesin që nevojitet deri në anëtarësimin e plotë. Megjithatë, udhëheqësit e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë kanë paraqitur aplikimin për anëtarësim në BE, duke hedhur poshtë çdo skenar alternativ përkundrejt anëtarësimit në BE.
Mbase, Komuniteti Politik Europian mund të shërbejë si një platformë për ndërtimin e një marrëdhënieje të përhershme për shtete të tilla si: Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Norvegjia, Islanda, Lihtenshtejni apo Turqia. Megjithëse shtetet e mësipërme kanë ambicie dhe aspirata të ndryshme, ato gjithsesi kanë një marrëdhënie të strukturuar me BE-në. Propozimi i Komunitetit Politik Europian është i ngjashëm me atë që bëri ish-Presidenti francez, Francois Mitterrand, menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit. Asokohe, ideja e Mitterrand nuk u pranua, pjesërisht për shkak të kundërshtisë së SHBA-së që nuk dëshironte “ndarje” të reja në kontinent.
Luftërat në ish-Jugosllavi e gjetën të papërgatitur Europën në planin gjeopolitik. Angazhimi amerikan ishte vendimtar për ndalimin e konflikteve të përgjakshme në mes të Europës. Në vend që të vendoste theksin te finalizimi i projektit të ribashkimit që nisi më rënien e Murit të Berlinit, si një projekt në antitezë me luftërat dhe konfliktet e përgjakshme, BE-ja u përqendrua te ndërtimi i politikës së euros. Edhe në të shkuarën janë hedhur ide të ngjashme, të cilat kanë synuar finalizimin e projektit politik të Europës. Kështu, në janar të vitit 2003, ish-Presidenti i Komisionit Europian, Romano Prodi, propozoi krijimin e “unazës së miqve” rreth e qark BE-së. Ky propozim, i cili synonte anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, në harkun kohor të një dekade dhe njëkohësisht krijimin e “unazës së miqve” rreth e qark një BE-je të zgjeruar, u parashtrua një vit para zgjerimit të madh të BE-së të vitit 2004, me shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Një pjesë e këtyre propozimeve u trupëzuan në Axhendën e Selanikut të vitit 2003, ku BE-ja u zotua për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Prodi e shihte Ballkanin si një lloj ure midis strategjisë së zgjerimit drejt lindjes dhe asaj që ai e quante “politika e re e fqinjësisë”. Përmes kësaj politike do të krijohej një marrëdhënie solide me fqinjët e një BE-je të zgjeruar, në një hark që do të shtrihej në Rusi, Ukrainë, Kaukaz dhe Moldavi e deri në Marok, Tunizi dhe gjetkë. Pak a shumë të njëjtën pikëpamje parashtroi së fundmi edhe ish-Kryeministri italian, Enrico Letta, i cili propozoi krijimin e një “Konfiderate Europiane”, si një mundësi për konsolidimin e projektit europian dhe transformimin e BE-së në një fuqi të vërtetë gjeopolitike.
Në kushtet aktuale të luftës në Ukrainë dhe kur po kalon thuajse një dekade nga zgjerimi i fundit i BE-së me pranimin e Kroacisë në vitin 2013, pyetja shtrohet nëse do ta tërheqë imagjinatën e europianëve ideja e propozuar nga Macron. Vlen të theksohet se Kancelari Scholz fashiti çdo hije dyshimi mbi propozimin e Presidentit Macron rreth pozicionimit të Ballkanit Perëndimor në këtë konfigurim, teksa i bëri thirrje BE-së për të lëvizur me shpejtësi drejt anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kancelari Scholz njoftoi vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor para Samitit të BE-së të 23 dhe 24 qershorit, sikundër ripërtëritjen e Procesit të Berlinit, si mekanizmi kryesor i bashkëpunimit rajonal, për të forcuar kësisoj qëndrimin e Gjermanisë se për Ballkanin Perëndimor nuk ka alternativë përkundrejt anëtarësimit në BE.
Në të vërtetë, një Komunitet Politik Europian do të kërkonte një kornizë solide institucionale dhe instrumentet e veprimit. Përndryshe do të ishte vetëm një klub tjetër ku mbahen fjalime e ku ofrohet mundësia për “foto gjeopolitike”. Sigurisht që një gjë e tillë kërkon ndryshim traktati. Por mbi të gjitha është e rëndësishme që të ketë qartësi rreth qëllimit të vërtetë të kësaj ideje. A është Komuniteti Politik Europian një çmim ngushëllues për shtete që nuk do të anëtarësohen dot në BE apo një hap drejt anëtarësimit të plotë?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është thelbësore, sidomos në kushtet kur procesi i zgjerimit të BE-së ka vite që është në gjendje klinike, ku BE-ja është në pamundësi për të zbatuar vendimet e saj të vitit 2018 dhe vitit 2020 për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe kur dihet se është Presidenti Macron që këmbëngul që në nisje të mandatit të parë të presidencës së tij se BE-ja duhet më shumë të reformohet sesa të zgjerohet. Tradicionalisht, Franca e ka trajtuar me vetëpërmbajtje procesin e zgjerimit të BE-së, sidomos në lindje dhe jug të Europës, teksa e konsideron Gjermaninë përfituesen kryesore nga procesi i zgjerimit që prej vitit 2004, influenca ekonomike dhe tregtare e së cilës në lindje dhe jug të kontinentit është e padiskutueshme.
Nevojën për më shumë qartësi të projektit europian me theks respektimin e sovranitetit dhe parimin e subsidiaritetit e shpalosi ishministri i Punëve të Jashtme të Francës, Hubert Védrine, në një intervistë për “Le Figaro” në vitin 2016, i cili tërhoqi me alarm vëmendjen e BE-së përkundrejt zellit të saj normues dhe vetëbesimit lidhur me procesin e zgjerimit. Në vend të idesë së “rilançimit” për herën e disatë të Europës, Vedrin parashtronte nevojën për një qartësim më të madh dhe një përcaktim të ri të parimeve dhe objektivave. Pikërisht, në kontekstin e zhvillimeve dhe qëndrimeve të mësipërme duhet lexuar edhe ideja e Macronit.
Nga njëra anë, si një dëshirë për të akomoduar Ukrainën, dhe nga ana tjetër si nënvizim i besimit të patundur të tij se pa reformim të BE-së dhe transformim të saj në disa nivele e shpejtësi, nuk mund të ketë proces zgjerimi as për shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë në pritje që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003. Në të vërtetë, Macron është udhëheqësi i parë i BE-së që përshkruan atë që të gjithë anëtarët aspirantë të BE-së e kuptojnë. Rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE.
Për të qenë pjesë e BE-së, një shtet duhet të tregojë se ka një ekonomi të fortë, institucione demokratike dhe se nuk është i rrënuar nga korrupsioni dhe se u përmbahet parimeve sociale, politike e ekonomike të BE-së. Është e qartë se kjo nuk do të ndodhë për Ukrainën, Moldavinë apo Gjeorgjinë brenda një kohë të shkurtër. Kësisoj, Macron po ofron një zgjidhje në mes, duke e kthyer Europën në një arenë gjeopolitike. Mirëpo, për ukrainasit sanksionet nuk mjaftojnë. Ndihmesa me armatime për të çliruar vendin mund të jetë më e mirë se një Komunitet Politik Europian, që siç sugjerohet nuk do të ishte gjë tjetër veçse një çmim ngushëllues në mungesë të anëtarësimit në BE.
BE-ja ka zhvilluar ndër vite një stil komunikimi që shpesh fsheh më shumë sesa zbulon. Ukraina mund të jetë në zemrat e BE-së, por BE-ja bën dallimin mes asaj që është në zemrën e saj dhe asaj që duhet bërë. Veprimet i bazon në një shqyrtim racional, i cili mund të zhgënjejë zemrën. Kjo mënyrë e trajtimit të realitetit e ka origjinën tek iluminizmi. Por a do ta pranojnë ukrainasit, të cilët pushtuan sheshet në vitin 2004 dhe sërish në vitin 2013 për të orientuar vendin e tyre në rrugën drejt BE-së, një propozim të tillë? Në Samitin e BE-së të mbajtur në Versajë më 10-11 mars 2022, krerët e shteteve dhe qeverive njohën aspiratën europiane të Ukrainës, teksa i kërkuan Komisionit Europian përgatitjen e opinionit (avis) mbi aplikimin për anëtarësim në BE të Ukrainës, duke siguruar në të njëjtën kohë se ajo i përket familjes europiane.
Shtetet anëtare të BEsë mund t’i japin Ukrainës statusin e vendit kandidat dhe madje në mënyrë simbolike të fillojnë bisedimet e anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ata do të shprehin solidaritetin e tyre me luftën e Ukrainës dhe do të angazhoheshin politikisht që Ukraina të bashkohet me BE-në sapo të përmbushë kushtet. Mirëpo, precedentët e së shkuarës nuk ngjallin besim. Turqia mori statusin e vendit kandidat në vitin 1999 dhe filloi bisedimet për anëtarësim në BE në vitin 2005, por askush nuk di të thotë nëse ajo do të bëhet një ditë anëtare e BE-së.
Po kështu, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë marrë respektivisht statusin e vendit kandidat në vitin 2005 dhe 2014, por ende nuk kanë nisur bisedimet për anëtarësim në BE. E, pra, realiteti i procesit të anëtarësimit në BE është më i lodhshëm e njëkohësisht i dhimbshëm krahasuar me të gjitha pretendimet morale. Urgjenca që ndiejnë ukrainasit nuk do të përputhet me burokracinë dhe gjendjen politike të BE-së. Perspektiva politike që kërkohet është më e rëndësishme sesa përmbushja e kërkesave teknike nga një vend në luftë.
Ndaj, i duhet dhënë përgjigje pyetjes se cili do të jetë misioni i një bashkëpunimi politik dhe të sigurisë në pragun e Rusisë, aq më tepër kur kjo e fundit ka forcat e saj ushtarake të dislokuara në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji. Kjo duhet të përcaktohet qartë, për të evituar situata të ngjashme me atë që ndodhi në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, ku edhe pse u konfirmua perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, ky proces nuk u materializua.
BE-ja do të duhet të qartësojë se ku qëndron strategjia e zgjerimit për shtetet e Partneritetit Lindor në raport me NATO-n dhe politikën e saj të dyerve të hapura. Aleanca Atlantikut të Veriut i përmbahet zyrtarisht kësaj politike, e cila mbështetet nga shtetet e BE-së që janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Me nisjen e procesit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, vetëm Irlanda, Austria, Malta dhe Qipro mbeten shtete të paangazhuara brenda BE-së.
Kjo do të thotë se, përgjithësisht, anëtarësimi në NATO i paraprin anëtarësimit në BE, siç është, për shembull, rasti i kandidatëve në Ballkanin Perëndimor, me përjashtim të Serbisë. Nëse në rastin e Ukrainës anëtarësimi në BE do të vazhdonte ndërkohë që hyrja në NATO jo, kjo do ta vendoste BE-në në një situatë të vështirë, teksa do të pranonte një vend jashtëzakonisht të ekspozuar gjeopolitikisht, në një mjedis të pasigurt. Në një situatë hipotetike, sipas nenit 42.7 të Traktatit të BE-së, shtetet anëtare kanë detyrimin të ofrojnë “ndihmë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion” për Ukrainën si shtet anëtar në rast të një agresioni të armatosur në territorin e saj.
Edhe nëse BE-ja dhe anëtarët e saj do të kishin kapacitete të veta më të fuqishme, ato nuk mund ta bëjnë këtë pa masat mbrojtëse të NATO-s. Pavarësisht nga proceset e anëtarësimit, NATO dhe BE-ja duhet të bashkërendojnë ngushtë politikat me shtetet e Partneritetit Lindor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në një të ardhme të afërt BE-ja nuk do të jetë gati për të pranuar në gjirin e saj shtetet e Partneritetit Lindor.
Për të siguruar në mënyrë efektive kufijtë me Rusinë, BE-ja duhet të zgjerojë ndjeshëm aftësitë e saj ushtarake brenda kornizës së Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të thellojë bashkëpunimin me NATO-n.
PASOJAT E LUFTËS NË UKRAINË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Hijet e dyshimit për qëndrimin francez ndaj procesit të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë fashitur. Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë dëshmia më e qartë e status quo në procesin e anëtarësimit në BE. Procesi i zgjerimit nuk ka gjetur mënyrën për të fuqizuar forcat e ndryshimit në shoqëri apo tërhequr qytetarët në procesin e konsolidimit demokratik, integritetit institucional dhe rrugën e reformave për zhvillim të qëndrueshëm.
Ndërkohë që qëndresa e ukrainasve ndaj pushtimit rus ka prodhuar një realitet dhe pritshmëri të reja në lindje të BE-së, në plan të parë duket sikur është zhvendosur vëmendja nga Ballkani Perëndimor. Lufta në Ukrainë ka pasoja të rëndësishme që mund të ndikojnë në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Kjo luftë, në mënyrë të pashmangshme, i zgjoi europianët nga gjumi dhe do t’i bëjë ato të mendojnë dhe veprojnë më shumë gjeopolitikisht, çka mund të jetë e dobishme për ecurinë e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Një tjetër pasojë e luftës së Ukrainës është një ndryshim në perceptimin e kufijve të Europës. Për shumicën e europianëve, kufiri është tani në Ukrainë, jo në Ballkanin Perëndimor. Kështu, anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, rreth tri dekada nga përfundimi i luftës në ish-Jugosllavi, do të ishte jo vetëm i shumëpritur për Ballkanin Perëndimor, por edhe një lajm i mirë për Ukrainën dhe shtetet e Partneritetit Lindor. Pasi, do të tregonte se rimëkëmbja e pasluftës është e mundur dhe se BE-ja kujdeset për mirëqenien, si dhe për statusin e vendeve të prekura nga lufta.
Ndaj, BE-ja duhet t’u japë fund pasojave të luftës në Ballkanin Perëndimor, nëse kërkon të jetë e besueshme dhe efektive në adresimin e pasojave të luftës në Ukrainë. Le të mos harrojmë se vetë BE-ja lind si një projekt paqeje. Është koha që BE-ja të tregojë aftësi për të vepruar dhe përballuar pasojat e luftës në kontinent.