Pas denoncimit në Shqiptarja.com gjendet atleti shkodran/ Ambasada shqiptare: Është në burg në Mal të Zi (VIDEO)

1 Janar 2020, 18:00| Përditesimi: 1 Janar 2020, 23:09

  • Share

TIRANE - Pas denoncimit në Shqiptarja.com të zhdukjes prej 6 ditësh të Irfan Domnorit, Ambasada Shqiptare në Podgoricë ka bërë me dije se atleti shkodran ndodhet në Burgun Hetues në Spuzhë, pasi është dënuar me 10 ditë burg. Sekretarja e Ambasadorit, Teuta Kalaj ka telefonuar miken e Domnorit, Elida Jorgoni, njëherazi ajo që bëri të ditur zhdukjen e tij, duke i siguruar se është në mbikëqyrjen e shtetit shqiptar, por nuk ka dhënë motivin se përse është arrestuar.

Denoncimi i Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit
Atleti shqiptar pas gjestit të të cilit "lëvizi" qeveria e Malit të Zi duke miratuar ligjin për simbolet  kombëtare, e që i hapi rrugë përdorimit të flamurit shqiptar lirshëm, ishte zhdukur pa asnjë gjurmë prej 6 ditësh.  Irfan Domnori prej datës 26 dhjetor nuk kishte kontaktuar me asnjë nga familjarët dhe miqtë e tij, ndërsa në banesën e tij në Shkodër nuk ndodhej as biçikleta me të cilën ai udhëtonte.

Të gjitha këto detaje, së bashku me thirrjen për të kërkuar të vërtetën, i bëri të ditur ekskluzivisht për Shqiptarja.com  Elida Jorgoni, mike e Irfan Domnorit, që i bashkon një shoqatë atdhetare. Në nëntor, Irfani u dënua me 300 euro gjobë nga autoritetet malazeze dhe u dëbua për një muaj nga Mali i Zi pasi ngriti flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në Krajë, gjest që solli edhe miratimin e ligjit në Kuvendin malazez. Në një komunikim më herët me Shqiptarja.com, Elida Jorgoni, tha se e kishte takuar për herë të fundit Irfanin më 26 dhjetor në Shkodër. Aty Irfani i kishte shprehur dëshirën e tij për të qenë në Ulqin për një ekspozitë, por se kishte frikë të udhëtonte me biçikletë nga rreziku i ndonjë aksidenti në rrugë. Nga ai moment e deri më sot, telefoni i tij rezultonte i fikur. Siç tregon Elida Jorgoni, Irfan Domnori nuk kishte bërë asnjë njoftim në punë për mungesa.

"Irfani shkoi në Mal të Zi për festën e Gështenjës më 16 nëntor, dhe kur mbaroi festa po vinte në Shkodër. Gjatë rrugës, para doganës e ndali makina e policisë dhe e futën brenda dhe ja morën gjobën padrejtësisht kur ky nuk kishte as avokat me vete. Erdhi në Shqipëri dhe i mbaroi afati 1 mujor, më 16 dhjetor. Unë me datë 26 isha në Shkodër dhe isha me të për një aktivitet dhe ai tha që dua të shkoj në Ulqin për një ekspozitë të fotografisë. Por është pasdite tha dhe e kam problem për t'u kthyer sepse nuk fle dot në hotel, dua të fle gjithmonë në shtëpinë time. Dhe po kërkoj një shokë të shkoj me makinë, të vemi e të vimë. Kam shkuar edhe me biçikletë por më kanë thënë të mos shkoj me biçikletë, se mund të më godasë ndonjë makinë vetëm nëpër rrugë jashtë qytetit se jam i pambrojtur.  Ai është elektricist në zyrën e telefonatave me turne që pret telefonata për defektet në të gjithë rajonin e Shkodrës. Unë mendoj se ai nuk do të shkonte vetëm me biçikletë, se më tha se nuk shkoj. Nuk e në atë orë çfarë ka bërë, ka biseduar me ndonjë mik, e ka ndalur policia gjatë rrugës duke gjetur një pretekst. Unë e telefonova, ra dy herë zilja, dhe një dorë e mbylli. Unë kisha bërë tre ditë telefonata rresht dhe dilte mbyllur.  Unë e kam mik Facebook-u, atdhetar. Pasdite u ktheva desha ta pyesja për një aktivitet të arbëresheve, dhe prandaj e telefonova. E mora në orën 4 pasdite më datë 27, nuk mu hap telefoni, dhe u çudita dhe e mora herë pas herë natë e ditë, deri në datë 30. Më datë 29 mora në punë, pyeta kur vjen Irfani, më thanë në datë 30, e më tej mësova që nuk kishte shkuar as në punë. Irfani është i divorcuar, dhe djali kishte kohë pa folur me të. Shkuam me djalin në shtëpinë e tij në Shkodër, dera ishte mbyllur me çelës, u futëm dhe kontrolluam gjithandej, nuk kishte asnjë shenjë, por nuk ishte as biçikleta. Pra ai ka dalë bashkë me biçikletën", thotë Jorgoni për Shqiptarja.com.

Ajo shprehet se menjëherë pasi kanë kontrolluar në shtëpi kanë shkuar në policinë e Shkodrës pasditen e 29 dhjetorit ku kanë bërë denoncimin. Por përgjigjja që kanë marrë aty i ka vënë edhe më shumë në dilemë për fatin e të afërmit të tyre.

"Pardje shkuam në polici që bëmë denoncimin zyrtar. Polici thoshte është gjallë, është atje por nuk na tregonte vendin. Duhet avokati të marrë përgjigje zyrtare. Djali mori në telefon një shokun e tij që i tha kontrollo doganën ka hyrë apo ka dalë, ai tha jo, hyrja e fundit është 16 nëntori. Por edhe kjo nuk është zyrtare, është me telefon. Djali i Irfanit nesër do marrë një avokat dhe do të shkojë në Shkodër sepse i thanë që nuk mund të japin të dhëna zyrtare me telefon. Me telefon punonjësi i policisë, të cilit nuk i besojmë, na tha që është në burg në Mal të ZI por nuk e di se ku", tregon zonja Jorgoni.

Apeli i bashkëatdhetares së atletit shkon për shtetin shqiptar. "Duam që qeveria të marrë masat përmes ambasadës përmes pikave doganore që të vërtetohet kaloi në Muriqan apo në Hanin e Hotit", përfundon ajo, teksa thotë edhe një detaj se i ka dorëzuar pesonalisht me postë nënkryetarit shqiptar të Parlamentit malazez, 5 letrat e gjyqit të parë kundër Irfan Domnorit për gjobitjen pas ngritjes së flamurit shqiptar, sensibilizim i cili sipas saj, bëri që ato ditë, më datë 28 të aprovohet ligji që lejon përdorimin lirshëm të flamurit shqiptar.

"Unë prej vitesh marr pjesë me fustanellë kombëtare dhe flamur në të gjitha shtetet fqinje dhe askush nuk më ka penalizuar. Jam i zhgënjyer nga mosreagimi i shtetit shqiptar për këtë incident. S’kam pse të dënohem. Kjo është veshja jonë e mrekullueshme që bota nuk e ka", shprehej Irfan Domnori për mediat pasi u kthye në Shqipëri pas incidentit në Malin e Zi.  

Kush është Irfan Domnori?
Damnori është një prej figurave të shquara të sportit në qytetin e Shkodrës. Irfan Domnori u bë i njohur disa vite më parë pasi pas një aksidenti mjekët shqiptarë dhe ato të Malit të Zi i thanë se do ta kalonte pjesën tjetër të jetës në një karrige me rrota. Ai jo vetëm që u shërua nga ky problem shëndetësor, por sot është një sportist profesionist që merr pjesë rregullisht në garat e vrapimit. Në çdo garë, Domnori ka uniformën e tij tradicionale, veshje kombëtare, plisin dhe flamurin kuqezi

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?