Një email, i publikuar nga media shtetërore kineze në Twitter, i cili supozohet të jetë nisur nga një teniste profesioniste kineze, ka nxitur shqetësime lidhur me sigurinë e saj.
Emrat të njohur të sportit dhe personazhe të tjerë jashtë vendit, i kanë bërë thirrje Pekinit për të dhënë informacione se ku ndodhet tenistja dhe nëse është mirë. Po deri tani këto thirrje janë përballur me heshtje.
Zyrtarët kinezë nuk kanë thënë asgjë publikisht, që kur tenistja e njohur kineze Peng Shuai akuzoi një ish-zyrtar të lartë të qeverisë për sulm seksual.
Ky është rasti i parë i bërë publik në kuadër të lëvizjes #MeToo që prek sferën politike në Kinë. Ai nuk është raportuar nga mediat vendase dhe debatet mbi këtë çështje në internet janë censuruar.
Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Tenisit për Femra, Steve Simon, hodhi dyshime rreth email-it, që i ishte drejtuar atij vetë. Në email-in që pretendohet të jetë shkruar nga zonja Peng, thuhet se ajo nuk ndodhej në rrezik dhe se pretendimi për sulm seksual nuk është i vërtetë. Emali u publikua të enjten nga shtypi shtetëror kinez.
“E kam të vështirë të besoj se është vetë Peng Shuai që ka shkruar email-in që kemi marrë”, shkruante zoti Simon.
Ai shtonte se ky email "ngre shqetësime lidhur me sigurinë dhe vendndodhjen e saj".
Zoti Simon ka kërkuar një hetim të plotë mbi këtë çështje. Shoqata e Tenisit për Femra tha se është e përgatitur që të mos zhvillojë më turne në Kinë, nëse nuk merr përgjigjen e duhur. Emra të njohur të tenisit, si Naomi Osaka dhe Novak Djokovic, kanë folur hapur mbi këtë çështje. Hashtagu #WhereisPengShuai po diskutohet gjerësisht në internet.
Kina e censuroi lëvizjen #MeToo e cila lulëzoi për një kohë të shkurtër në vitin 2018. Ndërkohë autoritetet po bëjnë përgatitje për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit të planifikuara të zhvillohen në shkurt. Aktivistë e disa politikanë ndërkombëtarë, të shqetësuar mbi situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në Kinë, kanë bërë thirrje për bojkotimin e tyre.
I pyetur disa herë rreth kësaj çështjeje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian tha sërish të enjten se nuk dinte asgjë.
Më 2 nëntor 35 vjeçarja Peng shkruate në një postim të gjatë në rrjetet sociale, se tre vite më parë Zhang Gaoli, ish zëvendës kryeministër dhe anëtar i komitetit qendror të Partisë Komuniste, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale pavarësisht refuzimeve të përsëritura.
Postimi u fshi menjëherë më pas nga llogaria e saj në Weibo, platforma kryesore e medias sociale kineze, por foto të asaj që ishte shkruar u përhapën me shpejtësi në internet në Kinë. Që nga ajo kohë, ish-tenistja nuk është shfaqur më në publik, gjë që ka ngritur pikëpyetje lidhur me vendndodhjen e saj dhe nëse po mbahet diku, pa vullnetin e saj.
Zhang Gaoli, 75 vjeç, u largua nga jeta publike pas daljes në pension në 2018, sikurse është traditë për ish-zyrtarët e lartë. Nuk ka informacione nëse ai ka ndonjë lidhje të ngushtë me udhëheqësit aktualë.
Akuza e tenistes për sulm seksual është e para drejtuar ndaj një politikani të fuqishëm në Kinë. Akuzat në të kaluarën kanë prekur figura të shquara që punojnë në organizata jofitimprurëse, akademikë e fushën e medias, por nuk kishin arritur kurrë tek zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste apo kompanitë shtetërore./VOA