Zhdukja e gardistit nga Burreli, dëshmitari: E kam parë në Elbasan

6 Maj 2020, 21:09| Përditesimi: 6 Maj 2020, 21:11

  • Share

Një telefonatë shpresëdhënëse, se i riu nga Burreli është parë në Elbasan ndez një dritë jeshile për fatin e 27-vjecarit Ervin Dergutit, nënoficer i Gardës së Republikës. Ai u zhduk 9 ditë më parë nga banesa e tij në Sauk, ndërsa u nis për në punë. Në një lidhje telefonike këtë të mërkurë, në emisionin ‘Pa gjurmë’ dëshmitari rrëfen se e ka parë të riun 5 ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Ai thotë sesi njohu të riun, të cilin si për ironi të fatit e kishte takuar rastësisht në Tiranë 6 muaj më parë.

’E kam parë 5 ditë më parë në Elbasan. E kam parë afër shinave të trenit, duke u bazuar në këtë foto. Mu duk shumë serioz. I thashë që diku të kam parë. Dhe mu kujtua se diku e kisha parë. Atë person e kam takuar në muajin nëntor të vitit 2019 në Tiranë. Në atë kohë unë kërkoja një destinacion që do të shkoja dhe e kam parë në vendin ku punonte, në Gardë. E pata pyetur se nga ishte dhe më tha se ishte nga veriu dhe jetoj në Tiranë. Nuk më tha emër. Nuk e kam pyetur për emrin, thjesht kam komunikuar për të më treguar një destinacion ku unë duhet të shkoja’, thotë dëshmitari

Nënoficeri i Gardës së Republikës, Ervin Derguti humbi gjurmët 9 ditë më parë, ndërsa u nis për në punë mëngjesin e 27 prillit. Në studion e emisionit 'Pa gjurmë' një ditë më parë, daja i tij Haxhi Vela sqaroi se zhdukjen e tij e mësuan dy orë më pas, kur komanda e repartit të Gradës merr në telefon familjen duke njoftuar se 27-vjeçari nuk ishte paraqitur në punë. Kamerat e sigurisë në rrugicën pranë banesës së tij, tregojnë lëvizjen e fundit të të riut, i cili është duke ecur dhe me vete mban qesen e ushqimit. Ndërsa edhe pas denoncimit nga familjarët në Komisariatin nr: 2 ende nuk kanë arritur në gjurmët e tij. Ervin Derguti kishte dy vite që kishte nisur punë pranë Gardës dhe në momentin që është nisur për në punë ka qenë civil dhe pa armën e shërbimit me vete.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?