TIRANË- Po vijon në Gjykatën e Posaçme të Apelit rigjykimi për kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, festim Bexhdili, i akuzuar si pjesë e grupit që organizoi, rrëmbeu dhe zhduku pa gjurmë trupin e Jan prengës, më 17 janar 2020, nga Kamza deri në kompleksin luksoz, në shenjë hakmarrjeje për vjedhjen e një sasie kokaine nga vëllai i viktimës në Angli.
U shoqërua për t’u pyetur edhe i dyshuari tjetër për ngjarjen Aldo Majnishta, në cilësinë e dëshmitarit. Ky i fundit kyçi gojën para trupës gjykuese, duke thënë se “dua të përfitoj nga e drejta për të mos dhe deklarime“. Majnishta po gjykohet në një proces paralel në GJKKO për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, pasi çështja ndaj kopshtarit është ndarë.
Ai është përmendur nga Prokuroria e Posaçme si një nga personat që, së bashku me Bexhdilin, ka ndihmuar në zhdukjen e trupit të viktimës.
“Na rezulton se Festin Bexhdili me Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i “Mercedez”-it dhe e mbulojnë me çarçaf. Në orën 18:12, në 18:30, automjeti del nga garazhi i “Golden Resort”. Na rezulton se Bexhdili është larguar me të tjerët nga garazhi dhe është kthyer sërish aty," tha Behar Dibra, prokuror i SPAK.
Avokati i tij, Ilir Murati, ka kundërshtuar interpretimin e pamjeve filmike nga ana e prokurorisë dhe kërkoi ekspertë të pavarur për të verifikuar pamjet. Gjykata administroi provat e paraqitura nga mbrojtja.
“Në asnjë moment nga pamjet filmike, nuk duket Festim Bexhdili duke kryer veprime. SPAK thotë se Bexhdili ka zbritur viktimën nga njëra makinë në tjetrën.
Është ose gabim nga këqyrja ose me keqdashje. Ku thuhet nga SPAK se Bexhdili pasi e merr viktimën nga një automjet në tjetrin ikën bashkë me persona të tjerë, për ta zhdukur.
Është totalisht e padrejtë. Meqë çështja është me dyer të hapura, dua t’i mbaj publike këto qëndrime. Marrim ndoshta dhe specialist, ekspert për të vërtetuar pretendimet tona”, tha ai mes të tjerash në kërkesën e tij në GJKKO.
Ndërkohë, Apeli i GJKKO ka urdhëruar shoqërimin me forcë ditën e nesërme të Dritan Rexhepit, pasi ky i fundit ka refuzuar që të shkojë për të dëshmuar. Rexhepi akuzohet si porositësi i rrëmbimit, vrasjes dhe më pas zhdukjes së trupit të Jan Prengës.
Bexhdili akuzohet se ishte pjesë e grupit ku ka dhe dijeni për zhdukjen e trupit të Prengës dhe të vendit se ku është hedhur apo groposur. SPAK nga hetimet ka deklaruar se Prenga është vrarë gjatë torturave dhe më pas trupi u zhduk pa gjurmë, për të mos lënë prova.
Gjykata e Lartë prishi vendimin e dënimit me burg përjetë për Festim Bexhdilin, duke e kthyer çështjen për rigjykim, teksa ky i fundit pretendon se nuk ka marrë pjesë në krim. Por sipas SPAK ai e di vendin ku u dërgua trupi, pasi ka qenë pjesë. Për ngjarjen janë të dyshuar si organizatorë dhe autorë gentian Funiqi, (Doçi), Dritan Rexhepi dhe Altin Hajri, ky i fundit pronar i kompleksit “Golden” ku ndodhi dhe krimi.
Komente
