Zhdukja e Remzi Hoxhës/ Rrëfimi i plotë i djalit të tij: Pse Berisha urdhëroi rrëmbimin e babait tim! Për 10 vite kemi pasur njeriun e SHIK-ut 'avokat', 'shuhet' shpresa për gjetjen e eshtrave

23 Tetor 2020, 09:14| Përditesimi: 23 Tetor 2020, 14:39

  • Share

21 tetori i vitit 1995 për shumë njerëz mund të ketë qenë një ditë e zakonshme, por jo për një familje shqiptare që vinte nga Kosova dhe që kishte disa muaj që kryente aktivitet në Shqipëri. Bëhet fjalë për Remzi Hoxhën, i cilësuar nga media në Shqipëri si biznesmeni shqiptar nga Kosova, por ai ka pasur mjaft peshë në çështjen kombëtare të Kosovës. Ky person pra, Remzi Hoxha, do të zhdukej më 21 tetor 1995, do të rrëmbehej nga ish-agjentët e shërbimit sekret të kohës, siç njihej ShIK dhe më pas do të humbte jetën, me shumë gjasa, në një nga bazat e ShIK-ut të kohës. Por pse u rrëmbye dhe pse u zhduk Remzi Hoxha? Çfarë dinte Remzi Hoxha që u bë problem për Shërbimin Informativ Kombëtar, që në atë kohë drejtohej nga Gazidede. Në fakt, për këto 25 vite, familja është munduar jo më shumë për të zbuluar rreth fatit të Remzi Hoxhës, që nga vetë familja konsiderohet tashmë i vdekur, por është munduar që të gjejë eshrat e tij. Një betejë kjo, disavjeçare por që fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë lajm të mirë në këtë drejtim. Dhe pikërisht sot, në 25-vjetorin e zhdukjes së tij, familja ka vendosur që të heqë dorë nga shpresa për të gjetur të paktën eshtrat e tij. Por pikëpyetjet vijojnë të mbeten të mëdha. zhdukja e Remzi Hoxhës mund të cilësohet si ngjarja e dytë më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri në 30 vite. Pas vrasjes së shekullit të Azem Hajdarit, kjo mund të cilësohet si zhdukja e shekullit, jo vetëm se u zhduk një person që kishte një aktivitet biznesi në Tiranë, por se çfarë fshihet pas zhdukjes së tij. Do të kemi mundësi që nëpërmjet djalit të tij i cili u rrëfye në emisionin Repolitix, do të mësojmë më tepër se çfarë mendon familja, përse u zhduk Remzi Hoxha. Nga Prishtina, pikërisht sot ka ardhur në studio Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.

          Zoti Hoxha ju falënderoj që jeni këtu sot. Do të kemi mundësinë që të shpjegojmë për publikun, sepse personazhi i Remzi Hoxhës është shumë i njohur edhe në Shqipëri, dhe të kuptojmë hap pas hapi se çfarë ndodhi atë 21 tetor të vitit 1995 dhe cila, sipas jush, është arsyeja e zhdukjes së tij.

          Fillimisht të kujtojmë zanafillën e kësaj zhdukjeje, një nga ngjarjet më të mistershme që ka prekur vendin në tri dekadat e fundit. Drejtësia shqiptare ka dhënë një dënim vërtet të cunguar sepse vetëm një person është dënuar ndërsa të gjithë të tjerët janë shpallur të pafajshëm. Personi i dënuar, Ilir Kumbaro, është jashtë Shqipërisë prej vitesh. Për sa i përket zhdukjes së Remzi Hoxhës, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur, me vendimin e datës 22 nëntor të vitit 2012, me trupën gjykuese të përbërë nga Gurali Braimllari, Dritan Hallunaj, Nertila Kosova, Etleva Deda, Ardit Mustafai. Të pandehur kanë qenë Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi. Përfaqësuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka qenë prokurorja Elisabeta Imeraj. Prokurorja ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Kumbaro, të parashikuar nga neni 109/1 dhe nga neni 25 i Kodit Penal në tre raste, duke kërkuar dënimin vetëm me 13 vite burg; deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Arben Sefgjini; deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Avni Koldashi, për veprat penale për të cilat akuzohen, duke qenë se nuk provohen që t’i kenë kryer. Në vendimin e gjykatës, pjesa më e madhe e të pandehurve janë shpallur të pafajshëm. Është vendosur pushimi i çështjes ndaj Avni Koldashit dhe ndaj Arben Sefgjinit. Ndërsa është deklaruar fajtor i pandehuri Ilir Kumbaro për kryerjen e veprës penale të “torturës me pasoja të rënda” pasi ka sjellë vdekjen e shtetasit Remzi Hoxha, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim me të pandehurin Budion Meçaj, i cili nuk jeton më. Kjo ka qenë vendimmarrja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e shpallur në Tiranë më 22 nëntor 2012, në orën 15:45.

Edhe Gjykata e Apelit me vendimin e saj, ka lënë në fuqi këtë vendim, me një ndryshim të vogël. Trupa e saj gjykuese përbëhej nga Dhurata Haveri, Gjin Gjoni, Artur Kalaja, Hysni Demiraj, Tom Ndreca. Nga këta gjyqtarë kujtojmë që Gjin Gjoni dhe Artur kalaja kanë dhënë dorëheqjen para vetingut dhe Hysni Demiraj,Tom Ndreca e Dhurata Haveri janë shkarkuar nga vetingu.

Seanca është zhvilluar më 18 mars 2013. Gjykata e Apelit ka vendosur që ta mbyllë përfundimisht këtë çështje. Për Ilir Kumbaron, për kryerjen e veprës penale të “torturës me pasoja të rënda” duke sjellë vdekjen e shtetasit Remzi Hoxha, gjykata lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, pra dënimin me 13 vite burg.

 Po ashtu kjo çështje është shqyrtuar edhe në Gjykatën e Lartë e mospranim rekursi. Nëse do të ketë prova të reja dhe elemente të reja të çështjes, SPAK-u mund ta rishqyrtojë si çështje, por në kushtet ku ndodhemi sot nuk ka asnjë element për ta rihapur çështjen dhe për ta rihetuar e rigjykuar.

Zoti Hoxha, kjo histori është shumë tronditëse për ju si familjarë. Pse sot ju vendosët që të hiqni dorë nga shpresa për të gjetur eshtrat e Remzi Hoxhës?

          Është një çerekshekulli, janë 25 vite dhe është një kohë shumë e gjatë. Ne po keqtrajtohemi në çdo aspekt, si familje. Ka shumë vite dhe do të thotë që i bëjmë vetes pyetjen se a do të zbardhet dhe a do t’i gjejmë eshtrat. Po na duket si pa fund dhe, në njëfarë mënyre, duke qenë që e gjithë klasa politike, se rrëmbimi u bë më 21 tetor 1995, kur në pushtet ishte PD-ja dhe SHIK-u i PD-së, i Sali Berishës. Do të thotë që udhëhiqej nga Bashkim Gazidede, që sot nuk jeton më, që e kishin kryer krimin. Ne, që nga ditët e para, në fakt që nga dita e parë më 21 tetor, kur punonjësit e babait tim e denoncuan rastin në Komisariatin nr. 3 në Tiranë dhe treguan targat e makinave, atyre u dhanë një dokument që dëshmonte se targat TR 2449 C ishin të SHIK-ut. Pra ne e dinim që SHIK-u e kishte marrë.

          Në SHIK thoshin që nuk dinin asgjë dhe të shkonim diku tjetër, që të merrnin kohë. Kalonin ditët dhe ne nuk e kishim babanë në mesin tonë. Pastaj kaluan muaj e vite. Donim të besonim që ishte gjallë dhe po mbahej për kushedi se çfarë arsyeje, sepse babai im përndiqej nga regjimi serb, ka qenë i arrestuar, ka qenë i rrahur, ka qenë i thirrur në polici për intervista shumë herë gjatë regjimit serb. Dhe ne mendonim se ndoshta ka ndonjë element që po e mbajnë, por asnjëherë duke mos dashur të besojmë që është i gjallë. Dhe ndodhi 1997-a, të gjithë dolën prej burgjeve, u lirua gjithçka, por babai im nuk doli. Pastaj erdhi në pushtet Fatos Nano, si në opozitë gjoja, sepse tani e kuptojmë që në pozitë dhe në opozitë këta janë të gjithë bashkë. Të gjitha i bëjnë për show. Kishim shpresë të paktën tek Edi Rama sepse edhe Edi Rama, edhe Erion Braçe, edhe Gramoz Ruçi, sa ishin në opozitë e shfrytëzonin rastin e babait tim për t’i hedhur gurë. Dhe prandaj del Berisha dhe thotë që e kanë bërë politike. Ne nuk e kemi bërë, e kanë bërë ata, por për interesat e tyre dhe asnjëherë për ne. Neve si familje na kanë dhënë shpresa të rreme. Tani po përfundon mandati dhe ende nuk e kemi varrin e babait tim. U bënë reformat në drejtësi, vetingu, SPAK-u. Çështjen e babait tim e di e gjithë bota, e di Amnesty International etj.

Jo pa qëllim e përmenda që, pas vrasjes së Azem Hajdarit, kjo është ngjarja më e bujshme në Shqipëri.

          Po, në shumicën e raporteve ndërkombëtare për Shqipërinë.

Para se të ndodhte kjo ngjarje, babai juaj punonte si biznesmen. Pse erdhi në Shqipëri?

          Faktikisht ne vijmë nga një familje argjendarësh, që nga viti 1965. D.m.th. kemi 55 vite që merremi me argjendari. Para luftës së Kosovës argjendarët ishin më të pasurit. Edhe në Shqipëri, kur erdhi babai im, ka qenë biznesmeni më i pasur në Shqipëri. Këtë ma kishte dëshmuar Milazim Abazi, që ka qenë drejtor i Dardania Bank, i cili më thoshte se transaksionet më të mëdha i ka bërë babai im. Përveç se ishte një biznesmen shumë i suksesshëm, ishte një njeri me shumë autoritet dhe një njeri që biznesin e kishte sepse me kapital mund të bësh më shumë gjëra.

Erdhi në Shqipëri për të bërë biznes apo kishte qëllim për të ndihmuar më pas zhvillimet në Kosovë?

          Në Shqipëri erdhi për të qenë i lirë sepse përndiqej nga regjimi serb. Ne jetonim në Ferizaj dhe babai im, për ta pasur më të lehtë aktivitetin, përgatitjen e rezistencës ndaj regjimit serb, kishin themeluar shoqatën për ekonomi të vogël dhe zejtari, plus edhe bashkimit të sindikatave të pavarura të Kosovës, do të thotë që i shfrytëzuan si mekanizma që të lëviznin më lirshëm, që të organizoheshin më mirë dhe në këtë mënyrë t’i bënin rezistencë Serbisë për përjashtimet nga puna, për keqtrajtimet ndaj popullatës, për të gjitha padrejtësitë që i bëheshin popullatës shqiptare atje. Pastaj filloi të përndiqej nga regjimi serb. Edhe gjatë asaj kohe ne jetonim atje, derisa filluan, në dy raste të ndryshme, na hodhën granata në oborr. Herën e tretë me mitraloz.

Në cilat vite ka qenë kjo klimë e tensionuar me regjimin serb?

   Në vitet 1990-1991, në Ferizaj.

Dhe kjo ju bëri që të shpërnguleshit në Maqedoni?

          Babai na mori dhe shkuam në Shkup. Edhe në Shkup nuk e linin të qetë dhe më pas babai shkoi 3 muaj në Bullgari. Bashkëpunëtorët e babait na kanë treguar, se ne ishim fëmijë dhe s’e kemi ditur, që aty ka vënë kontaktet për blerjen e armatimit.

 Dalim te pista e armëve, sepse është folur për çështjen e armëve edhe në Kosovë.

          Patjetër.

Armët do t’i blinte në Bullgari dhe ku do t’i çonte?

          Në Kosovë. Dy maunet e para me armatime i ka futur babai im në Kosovë. Ky ka qenë njëri nga aktivitetet me të cilat është marrë babai, sepse ai nuk ishte me ndonjë parti politike. Në Kosovë ishte LDK-ja, LPK-ja, LPRK-ja, pastaj ishin grupet fetare dhe në njëfarë mënyre babai im ishte i fokusuar që të krijohej një platformë ku të gjithë të ishin njëzëri, të gjithë të ishin bashkë kundrejt regjimit serb të asaj kohe. Përveç asaj ai i kishte krijuar mekanizmat që në të gjitha trojet ku kishte shqiptarë si, në Kosovë, në Shqipëri, në maqedoni, në Malin e Zi, në Turqi, në Greqi, të kishte një bashkëpunim, të kishte një koordinim dhe sidomos biznesmenët nga Kosova të vinin dhe të investonin në Shqipëri. Shqipëria sapo ishte çliruar nga komunizmi.

Pra, ka qenë një aktivist i mirëfilltë i çështjes kombëtare në Kosovë.

          Po.

Pse vendosët që nga Maqedonia të vinit në Shqipëri? Donte t’i shërbente kësaj çështjeje apo kishte edhe atje probleme me regjimin maqedonas.

          Kosova ishte nën regjimin e Serbisë. Maqedonia ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.

Dhe ndoshta një nga aleatet më të mira të Serbisë.

          Po pra dhe në njëfarë mënyre, në Shqipëri ishte vendi i lirë, ishte mëmëdheu. Shumë gjenerata nga ne kanë vuajtur 10, 20 apo 30 vite burg vetëm se kishin flamurin shqiptar. Disa kanë humbur edhe jetën për Shqipërinë dhe për flamurin e Shqipërisë. Edhe sot, ne e shohim Shqipërinë si mëmëdhe, edhe pse për fat të keq, një pjesë shumë e madhe në Shqipëri na shohin si të huaj. Edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, për të mos folur për në Preshevë e në Malin e Zi.

Thuhet që dy kanë qenë motivet e përndjekjes që SHIK-u i Gazidedes i ka bërë babait tuaj. Njëri është takimi i mundshëm, them i mundshëm sepse deri tani nuk kemi parë prova, mes ish-presidentit të kohës Sali Berisha me ish-presidentin maqedonas Kiro Gligorov dhe me ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviç, takim ky i zhvilluar në Maqedoni dhe që babai juaj e ka kuptuar këtë lloj takimi. Cila është e vërteta për këtë histori?

          Ky është një element dhe është elementi i takimit të Gazidedes me Arkanin.

 Po janë dy, është edhe ky, por to të flasim pak më vonë për këtë. Takimi i parë është i rëndësishëm. Sipas të dhënave që ka familja juaj, ku ka ndodhur ky takim dhe ku ishte babai juaj që e kuptoi se po bëhej ky takim?

          Babai shkonte në Maqedoni në mënyrë të fshehtë. Në Kosovë shkonte në mënyrë të fshehtë. Dhe në Kosovë, në Kaçanik, prej nga ku kemi edhe prejardhjen, është edhe një tjetër Remzi Hoxha, të cilin e ka arrestuar policia serbe dhe duke menduar që është babai im e ka rrahur derisa e ka bërë për spital. Më vonë, shefi i policisë e sheh dhe thotë që kanë marrë Remziun e gabuar. Kështu që njerëzit që ishin aktivë në çështjen e Kosovës, që jetonin dhe vepronin në Shqipëri, e kanë njohur babanë tim. Ne si familje, për fat të keq, dhe këtu ndihemi fajtorë që nuk kemi punuar aspak për ta ndriçuar veprimtarinë e babait tim sepse kemi qenë të fokusuar gjithmonë në zbardhjen e asaj që ka ndodhur, në gjetjen e eshtrave. Babai im ka qenë gjithmonë në lëvizje.

          Në njërin nga takimet që kishte me Shefqet Maliqin dhe me Basri Zukën, që ishin anëtarë të sindikatës së pavarur për ekonomi të vogël dhe zejtari, në takimin që kanë pasur me sindikatat e Shqipërisë, në kthim, babai shkonte për në Shkup te prindërit, Shefqeti në Ferizaj ku edhe jeton, Basriu në Prishtinë ku edhe jeton. Më 31 maj 1993 ka ndodhur ky takim, në Tushemisht, ku është kufiri me Pogradecin dhe me Ohrin, pjesa maqedonase. Dhe aty polici kufitar i thotë që duhej të ktheheshin e të shkonin nga Qafë Thana se kufiri ishte i mbyllur. Babai po shkonte nga Shqipëria për në Maqedoni. Duke u kthyer shohin eskortën e Presidentit Berisha. Këta nuk kanë pasur asnjë informacion se çfarë po ndodhte. Dhe çfarë ndodh? Këta kthehen, babai im ndalon në Shkup, këta vazhdojnë për në Ferizaj dhe për në Prishtinë. Në lajmet kryesore të mbrëmjes, lajmi kryesor ishte që Sllobodan Millosheviç takohet me Kiro Gligorovin në Shën Naum. Dhe retrospektivisht e tregojnë që të tre, në të njëjtin moment, e kanë bërë lidhjen se mos vallë ka qenë edhe Berisha në atë takim. Dhe unë e them pak me ironi që në atë kohë nuk ka pasur as internet, as telefona të mençur, që të lidheshin në whatsapp dhe të komunikonin me njëri-tjetrin. Telefonat ishin të përgjuar, kështu që nuk kanë pasur asnjë komunikim të mundshëm. Basriu, në cilësinë e sekretarit të shoqatës, i shkruan një letër, pa marrë leje prej babait tim sepse nuk kishin kontakte, i shkruan Presidentit Rugova për ta pyetur nëse ka dijeni se mos vallë Berisha ka qenë në atë takim. Atë letër ia dorëzon Adnan Merovcit, që ishte shef i kabinetit të Rugovës, i cili e ka konfirmuar edhe në media disa herë që kështu ka ndodhur. Ky ia jep atë letër Rugovës. Rugova pyet Berishën. Berisha e pyet se nga i ka ardhur informacioni dhe përgjigjja ishte: nga Remzi Hoxha, sepse Bariun nuk e njihte askush. Dhe Berisha mendonte se Remzi Hoxha dinte diçka për të.

Pra kjo që më 31 maj 1993, më shumë se dy vite përpara zhdukjes.

          Po. Dhe çfarë ndodh pastaj? Këtë datë nuk e kam si informacion.

Pra Berisha e njeh babanë tuaj që më 31 maj 1993.

          Si jo, që më 1993. Ndoshta edhe më herët.

Ka një deklaratë të Berishës ku ai thotë se si e ka njohur Remzi Hoxhën, që do ta dëgjojmë më vonë, por le të mbetemi te ky moment.

          Ka dhënë shumë deklarata ai, por sidoqoftë.

Kjo është e fundit, e bërë para dy javësh.

          Dhe rasti tjetër, njëlloj si në këtë rast, ka qëlluar në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar.

Këtu kemi një insinuatë të babait tuaj që mund të ishte takuar Berisha, nuk është se ka fakte apo filmime.

          Absolutisht jo. Unë e them prapë me ironi që po të kishim qenë sot, edhe babai im do të kishte pasur një telefon të mençur, e hap kamerën dhe filmon.

 

Ju thatë që lajmin e dha media maqedonase. Po media serbe, e dha lajmin e takimit?

          U dha edhe në Shkup, edhe në Prishtinë, po të njëjtin lajm.

U tha që ishte i pranishëm edhe presidenti shqiptar?

          Absolutisht jo. Vetëm këta të dy. Dhe Basriu e ka pyetur Rugovën se mos vallë ka qenë edhe Berisha dhe a kishte informacion Rugova. D.m.th. ai ia ka bërë si pyetje. Dhe Berisha pastaj ka menduar se mos babai kishte ndonjë foto apo video etj., dhe do ta bëjë publike dhe pastaj do të zbulohej e gjithë ajo punë, i gjithë ai bashkëpunim që ka pasur me Serbinë dhe që ishin sekrete publike.

Periudha për të cilën po flasim, pra kur është zhdukur Remzi Hoxha por edhe dy persona të tjerë Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj ishte një periudhë kur Serbia por edhe regjimi i Berishës i asaj kohe në Shqipëri, ishin në një marrëdhënie dashurie, kur Shqipëria e furnizonte me naftë kontrabandë.

          Por ishte gjithçka ilegale, nuk bëhej hapur.

          Gjithmonë Berisha atëherë e vuante këtë prognozë sepse shërbimet sekrete e filmonin të gjithë skenën e furnizimit me naftë kontrabandë të tankeve serbe, që luftonin në Kroaci apo në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe pikërisht, si pasojë e këtyre videove që shërbimet sekrete i nxirnin herë pas here dhe që dokumentonin furnizimin e makinës ushtarake, gjithmonë i është krijuar ajo bindja se edhe Remzi Hoxha mund të ketë filmuar dhe mund të nxjerrë zbuluar të gjithë strategjinë apo alibitë e Berishës apo deklaratat publike që ai bënte duke mohuar lidhjet e tij. Furnizimi i Serbisë bëhej rregullisht nga Shqipëria, pra Serbia me Shqipërinë ishin në një marrëdhënie biznesi. Thjesht biznesmenët që vepronin, nuk deklaronin, por vetëm bënin biznes, ata merrnin naftën, këta merrnin lekët që shkonin në xhepat e politikanëve shqiptarë. Këtë gjë nuk mund ta bënte kushdo, se SHIK-u i Gazidedes nuk të lejonte.

          Pra ky është takimi i parë që ju mendoni se babai juaj konstatoi në njëfarë mënyre që mund të kishte një takim mes tre presidentëve. Ju thatë që kjo gjë i shkoi në vesh Rugovës, Rugova lajmëroi Berishën. Nga ky moment keni pasur shqetësime nga agjentura shqiptare?

          Babai nuk e ka ditur që Basriu i ka bërë pyetje Rugovës, d.m.th. është komplet viktimë edhe e këtij procesi të pyetjes. Normal që babai e ka ditur që e përcjellin edhe në Shqipëri, se po ta shohësh që i njëjti njeri të vjen në 2-3 vende e të sheh, do të thotë që diçka nuk është në rregull. Kjo më ka ndodhur edhe mua këtu në Shqipëri pas shumë viteve. Absolutisht që ka qenë viktimë. Është ndodhur në kohën e gabuar, në vendin e gabuar.

          Momenti i dytë është në mes të Arkanit dhe Bashkim Gazidedes.

Sqaroj për të gjithë publikun që Bashkim Gazidede, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror nga viti 1992 deri më 1997, para disa vitesh është ndarë nga jeta. Ndërsa Arkani ka qenë një nga njerëzit që i urrente më shumë shqiptarët në Serbi.

          Arkani ka qenë dora e djathtë e Sllobodan Millosheviçit, d.m.th. ka qenë udhëheqësi i njësisë elitare speciale të tigrave, që kanë kryer krimet më çnjerëzore dhe masakrat më të mëdha në Kosovë. Pra, kryebanditi i Sllobodan Millosheviçit.

 Kur mund të ketë ndodhur ky takim?

          Më 1993, në të njëjtin vit.

 Cilat janë rrethanat që ju dini?

          Babai im merrej edhe me biznesin. Kishte kompaninë e duraluminit, që ishte kompania më e madhe absolute, siç janë tani grupet e mëdha si Balfin apo Kastrati. Në atë kohë babai ishte njëshi absolut me biznes në Shqipëri, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të kohës. Duralumini ishte një bum në ato vite. Babai shkon në Shkodër për një projekt shumë të madh, që të inspektonte punët si po shkonin. Mbaron inspektimin bashkë me menaxherin e tij dhe shkojnë për drekë. Kur hyjnë në një restorant të Shkodrës, aty sheh Bashkim Gazideden dhe Arkanin duke ngrënë drekë.

Brenda në Shkodër? Takim publik?

          Po. Por Arkanin këtu në Shqipëri nuk e kanë njohur fare, madje ne edhe sot dëgjojmë muzikë serbe. Për kosovarët kjo është e tmerrshme.

Pra takimi ka qenë krejt i hapur. Shefi i SHIK-ut të Shqipërisë ishte në shoqërinë e Arkanit.

          Po.

Ai vetë e ka mohuar.

          Po normal që e mohon. Dhe babai im tronditet dhe duke qenë se ishte mik shumë i mirë me Pjetër Arbnorin, ka qenë edhe në seancën e parë demokratike d.m.th. mysafir nderi i Pjetër Arbnorit, shkon dhe e takon Arbnorin dhe e pyet se si është e mundur kjo, kur po bëheshin përgatitjet për luftë në Kosovë, ata takoheshin bashkë. Diçka nuk ishte në rregull. Normal që Pjetër Arbnori, si kryetar i parlamentit, i thotë se do të pyeste pasi ai nuk kishte informacion. Kështu që pyet berishën, pyet Gazideden. Përsëri doli emri i Remzi Hoxhës.

Dy raste ku përmendet emri i babait tuaj tek ish-presidenti Berisha. Kur ka ndodhur takimi i dytë?

          Më 1993, por muajin nuk e di. Me sa më kujtohet mund të ketë qenë muaji shtator, por datën e saktë nuk e di. Ndërsa takimi në mes tre presidentëve është bërë më 31 maj 1993. Kjo është datë e saktë.

          Berisha e urdhëron Gazideden që të marrin Remziun dhe të shohin se çfarë provash kishte. Normal që babai nuk kishte prova sepse nuk kishte shkuar për të bërë prova.

Nga e kuptoni ju që Berisha ka urdhëruar? Që në atë periudhë nisi survejimi i babait tuaj, sepse nga viti i takimeve deri në vitin e rrëmbimit të tij, është në mes një periudhë prej dy vitesh. Ka qenë gjatë këtyre dy viteve në survejim babai juaj?

          Babai e ka përmendur gjatë gjithë kohës, edhe sa ishim aty, na pati ardhur tek apartamenti ku jetonim në rrugën “Qemal Stafa” afër tregut të fruta-perimeve, një person që trokiste në derë, thoshte që ishte nga Fieri. Vazhdimisht ka pasur frikësime, mesazhe etj., dhe e ka ditur që është në përgjim. Mirëpo që do t’i ndodhte diçka e tillë, jam i bindur që edhe ai nuk e ka menduar sepse Shqipërinë e konsideronim si vend të lirë. Ai na solli edhe neve si familje që të jetonim këtu. U regjistruam nëpër shkolla, d.m.th. ne erdhëm për të jetuar në Shqipëri. Po të kishte ndier ndonjë rrezik më të madh, do të shkonim në Gjermani apo në Zvicër apo diku tjetër, sepse i kishim të gjitha mundësitë për të shkuar.

As që ju shkonte ndërmend kjo?

          Absolutisht jo.

Ju mendoni se dijenia që ai kishte për këto dy takime ndikoi në aktin e rrëmbimit?

          Pikërisht janë këto.

Dhe kë bëni përgjegjës për këtë?

          Është patjetër Sali Berisha. Unë e kam thënë shpesh që edhe Sllobodan Millosheviçi nuk ka shkuar në Kosovë dhe vetë fizikisht të shkonte në fshatra e në qytete dhe t’i kapte vetë njerëzit e t’i masakronte vetë. D.m.th. ai ka qenë udhëheqësi politik. Ka qenë personi që jepte urdhra dhe të gjitha ato struktura kanë qenë në shërbim të tij, edhe të Millosheviçit, edhe të Berishës. Berisha i mbronte me mish e me shpirt, d.m.th. i keni përcjellë edhe ju proceset kur fillimisht u arrestuan as denoncimit të Avokatit të Popullit Ermir Dobjani. U kapën, rreth 8 muaj u mbajtën në burg dhe u liruan, morën dëmshpërblime. Pastaj në mos gaboj, më 2003, Berisha i amnistoi. Pastaj i ndjeri Xhevat Hana e rihapi çështjen.

 Pse mendoni që ky akt u bë me urdhër të Berishës? Çfarë e frikësonte Berishën? Sipas logjikës suaj, ish-presidenti mund të kishte frikë nga një dëshmi apo nga prezenca e babait tuaj për këto dy takime?

          Tani, pas 25 viteve, edhe fëmijët e vegjël e kanë mësuar se çfarë është media, çfarë është propaganda, çfarë është politika etj. Sali Berisha është shitur në publik. Propagandën e ka pasur si “babai i kombit”. Ashtu ka menduar edhe babai im për Berishën, që është babai i kombit. Edhe në Kosovë ende ka njerëz që Berishën e shohin si babanë e kombit, prej propagandës që u ka mbetur në kokë që atëherë. Dhe asnjëherë për këtu nuk ka qenë asnjëherë e rëndësishme se e ka gruan dhe vjehrrën serbe. D.m.th. ai është martuar, jo vetëm të jetë në dashuri, është martuar me serbe. Liria është serbe, nënën e ka serbe dhe ky është martuar me serbë.

Ç’do të thotë kjo, se te ne, është e vërtetë që nuk është parë asnjëherë si problem.

          Normale. Në Shqipëri ndjenjat patriotike, për fat të keq, është dashur që ne kosovarët të vijmë dhe t’i ngjallim.

Çfarë do të thotë ky fakt për ju?

          Sinqerisht e them. Edhe me Kombëtaren e futbollit dhe në çdo aspekt tjetër është dashur të vijmë që të ngjallim ato ndjenjat, t’ju tregojmë pak dhe t’ju hapim sytë se Serbia edhe Shqipërinë e sheh si armike. Shqipëria nuk arrin ta shohë akoma Serbinë si armike. Prandaj nuk ka qenë, prandaj dhe dëgjohet muzikë serbe në festën e 28 Nëntorit, në Festën e Flamurit. D.m.th., nuk është bërë e madhe. Berisha ka qenë dhe është edhe sot në lidhje me Serbinë dhe del në anën tjetër dhe bën propagandë. Ata e dinë që nuk e ka me të keq kur e shan Serbinë, se duhet të ngrihet para popullit të vet, para Kosovës. Kështu që nga frika të mos i dalin të vërtetat, të mos i dalin të palarat në publik dhe që të mund ta vazhdonte atë demagogjinë e vet, që të deklarohej si babai i kombit, është frikësuar se mos i del ndonjë nga këto gjëra, sepse fillojnë të lidhen figurat e pazëllit dhe zhvishet figura e tij.

Ish-presidenti Berisha në një intervistë të pak ditëve më parë e ka përmendur këtë çështje, duke theksuar se emrin e Remzi Hoxhës e ka dëgjuar nga Adem Demaçi.

Sali Berisha thotë që nuk ka pasur asnjë lidhje. Ju folët pak më parë për ato që mund të kenë qenë momentet e njohjes së Sali Berishës me emrin e Remzi Hoxhës. Ndalemi pak te fjalët e Berishës, ku flet për atentat ndaj Kiro Gligorov, pastaj atentat ndaj tij. Çfarë është kjo histori se është krejt ndryshe nga ajo që ju tregoni.

Babai im ka qenë ndër figurat e rëndësishme të kosovarëve që kanë jetuar në Shqipëri. Dhe nuk është e vërtetë që babai im të jetë njohur me kaq shumë personalitete të Shqipërisë dhe Berisha të mos e ketë njohur. Kjo e para. E dyta, babai im ka qenë shumë i kërkuar nga UDB-ja dhe normale që për ata ka qenë një pengesë e ardhshme. Aktivitetet e tij kanë qenë pengesë e ardhshme kundër regjimit serb. Është e vërtetë që kur ndodhi atentati i Gligorovit, ai kompjuteri që është roboti, që jep karikaturën se kush mund të ketë qenë, ishte shumë e ngjashme me fytyrën e babait tim. Mirëpo nga hetimet doli që ishin bullgarë apo ku e di unë dhe shteti i Maqedonisë i ka gjetur autorët e atentatit. Dhe Berisha tani mundohet që ta përfshijë emrin e babait në këtë ngjarje.

Pse e bën këtë, sepse është e rëndë. Atentati ndaj Gligorovit është akt terrorist.

          Është e rëndë dhe ky mundohet të thotë gjithçka vetëm që të heqë përgjegjësinë nga vetja. Duhet ta ketë të qartë Sali Berisha që mua nuk më intereson fare as për Sali Berishën, as për zgjedhjet. Thotë që e kemi ngritur çështjen pa asnjë arsye kur ka pasur zgjedhje. Por ne nuk kemi faj që zgjedhjet janë në përvjetore, 21 tetori është më 21 tetor, nuk është as në janar, as në mars, as në qershor. Ne zakonisht e kemi ngritur zërin në përvjetore. Por e kemi ngritur zërin edhe kur ka pasur ndonjë seancë, kur ka pasur ndonjë aktivitet, kur ka pasur ndonjë padrejtësi. Për 4 vite, 90 herë është shtyrë procesi gjyqësor. 90 herë dhe kjo është e dokumentuar.

          Xhevat Hana të gjithë angazhimin e tij që t’i grumbullonte komplet faktet për t’i dënuar me dënimet më të rënda. E mbytën atë, vdiq ai. Erdhi Elisabeta Imeraj, një argate e Berishës. Ditën e parë kërkoi nga kriminelët që kanë kryer krimin, që të tërheqë akuzën. Ky ishte shok edhe për trupin gjykues ose të paktën ashtu u duk. Por për ne familjarët dhe për mediat që ishin prezente aty ishte një shok. Dhe për dy personat që ishin fizikisht aty kërkoi që të mos dënohen. Prokurori kërkon që të dënohen, jo të mos dënohen. Për personin që nuk ishte aty se ishte në arrati, Ilir Kumbaro, kërkoi vetëm 13 vite dënim. Pastaj gjykata vendosi që këta të dy t’i dënonte, por ato dënime ishin të amnistuara dhe Ilir Kumbaron ta dënonte në mungesë, jo me 13 vite por me 15 vite burg. Dhe pastaj ndodh që Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini thanë që nuk donin as të dënoheshin as të amnistoheshin, donin që të ishin fare të pastër. Dhe e bënë dënimin ashtu siç deshën vetë se i kishin të gjitha organet në dorë, edhe prokurorinë, edhe drejtësinë. Dhe vendimin e qëndisën ashtu siç deshën vetë.

Kjo situatë ka nisur në vitin 1995, kur punëtorët e kompanisë “Albatros” panë që Remzi Hoxhën e tërhoqën zvarrë dhe e futën në makinë dhe bënë kallëzimin në polici. Kallëzimi është marrë nga oficeri Ilir Xhepa apo Xheka. Është trajtuar me rigorozitet dhe është marrë kallëzimi i të 3 dëshmitarëve. Janë marrë edhe targat, sigurisht që është marrë informacioni për targat. Fillimisht është menduar për një rast kriminal si pasojë e konkurrencës. Nga informacioni është verifikuar se targat ishin shtetërore dhe makina i përkiste SHIK-ut dhe përdorej për operacione sekrete. Kështu që të gjitha palët kanë filluar të tërhiqen dhe çështja është mbajtur konstante, duke mos u dhënë informacione as familjarëve. Çështja është pezulluar, është rihapur, ka pasur arrestime që janë vlerësuar si të paligjshme nga gjykata. Ka shkuar deri në Prokurorinë e Përgjithshme, ku e ka trajtuar Xhevat Hana. Kur është hapur Prokuroria e Krimeve të Rënda më 2004, çështja ka kaluar atje. Xhevat Hana e ka marrë sërish çështjen, ka pasur një hetim ku është pyetur në këtë prokurori edhe Bashkim Gazidede që është shoqëruar me policë sepse nuk shkonte me vullnetin e tij. Prandaj mendoj që këtu është një dorë shtetërore.

Çfarë konstatoi Xhevat Hana? A ndryshon puna e tij nga ajo e prokurores që e mori çështjen pas tij?

          Xhevat Hana konstatoi që personat përgjegjës që kishin dijeni për këtë operacion sekret ishin Arben Sefgjini, që ishte drejtor i drejtorisë së SHIK-ut për Tiranën; Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budion Meçe. Këta ishin përgjegjësit kryesorë që kishin edhe kontrollin territorial në vendin ku ka ndodhur ngjarja, në Tiranë. Pastaj ngjarja zhvendoset nga Tiranë në Vahinë ku është torturuar personi. I çoi si të pandehur që të katër. Ilir Kumbaro ishte në arrati, ishte shpallur në kërkim dhe u arrestua më 2008 në Angli, si shtetas kosovar. Prokurori Xhevat Hana nuk arriti të kërkonte dënimin e tyre sepse ky gjyq zgjati disa vite dhe prokurori u nda nga jeta. Çështjen e mori Elisabeta Imeraj. Pas disa seancave ajo tërhoqi akuzat kryesore dhe të rënda, që kishte ngritur Xhevat Hana. Sipas saj një pjesë e këtyre akuzave ishin amnistuar dhe për një pjesë tjetër nuk kishte elemente që të provonin veprën penale. Akuzat ishin për rrëmbim dhe torturim me pasojë vdekjen, por nuk kishte kufomë. Kështu që akuzuat u reduktuan. Procesi gjyqësor ndaj Ilir Kumbaros është zhvilluar në mungesë të tij. Ilir Kumbaro nuk ka pasur mundësinë që të japë dëshminë e tij. Disa dëshmitarë kanë thënë që personin ia kanë çuar Ilir Kumbaros në Vahinë të Lezhës, prandaj edhe u akuzua.

Çfarë pozicioni ka pasur Ilir Kumbaro në SHIK-un e asaj periudhe?

         Nëndrejtor i Tiranës, në mos gaboj. Shef ka pasur Arben Sefgjinin.

Ky vendim është marrë më 22 nëntor 2012. Zoti Hoxha, si e pritët këtë vendim?

          Kishim dy ndjesi. E para ishte ajo e një fitoreje të vogël sepse u dëshmua, u vulos që ata ishin personat që e kishin rrëmbyer babanë tim dhe që për 17 vite kishin thënë që nuk e njihnin dhe nuk dinin asgjë për të, gjë që edhe Berisha e thotë, por ja ku janë dëshmitë. Këta në momentin kur e kanë vrarë babanë, nga paniku janë munduar të fshehin çdo gjurmë, duke përfshirë edhe të gjithë dokumentacionin e operacionit që kanë udhëhequr dhe tëë gjitha ato survejime që i kanë bërë babait, Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit. Edhe këta, sado që matematicienët janë njerëz të zgjuar, kanë lënë gjurmë dhe të gjithë njerëzit janë të gabueshëm. Xhevat Hana, përveç dëshmitarëve që u merr dëshmitë dhe bën konstruksionin e rastit, shkon edhe te financat e SHIK-ut. Dhe aty gjen bllokun e dietave, të karburantit, të hoteleve d.m.th. me ditë e me orë dhe me shumat përkatëse të lekëve të të gjithë personave në fjalë. Në këtë mënyrë i ndërton të gjitha dëshmitë. Xhevat Hana iku nga jeta.

Ju patët kontakte me të, si familje?

          Ne kishim kontakte dhe në njëfarë mënyre ishte edhe pak e çuditshme, se edhe me ne rrinte në distancë. Unë nuk e di se çfarë ka ndier ai si person, por edhe neve na mbante në distancë. Në restrospektivë shihet se ka bërë një punë të shkëlqyer, përkundër të gjitha pengesave që kishte, sepse kishte pengesa në çdo aspekt. Ai kishte arritur që ta ndërtonte të gjithë ngjarjen dhe t’i siguronte të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe t’i çonte para drejtësisë. Nëse Xhevat Hana do të kishte qenë gjallë, do të kërkonte dënimin maksimal të të treve, jo siç bëri Elisabeta Imeraj që si prokurore në vend që të kërkonte dënimin, kërkoi pafajësinë. D.m.th. e kurdisën në atë mënyrë që të jepej dënimi më minimal. Për ne ishte një therje në zemër, por fakti që u dëshmua, megjithëse ne e dinim që nga dita e parë, i kishim emrat e atyre që e kishin marrë. Na i kishin dhënë shumë njerëz, por na porosisnin të mos tregonim se rrezikonin jetën.  

  Raporti Xhevat Hana – familjarët – gjyqi. Në fakt gjatë periudhës së hetimit e të gjykimit, familjarët kanë dashur që të identifikohen autorët. Por meraku kryesor i tyre ishte gjetja e trupit. Ata kanë bërë një punë operative me Xhevatin, në takimet si palë e dëmtuar dhe e viktimizuar në këtë ngjarje. Nga njëra anë familjes i interesonin eshtrat e të ndjerit, por nga ana tjetër autorëve të ngjarjes makabre dhe bashkëpunëtorëve të tyre nuk i interesonte kjo. Ende mbahet shumë sekret si informacion. Nëse eshtrat do të gjendeshin, autorët shonin automatikisht në burgim të përjetshëm, sepse ishin të gjitha provat bindëse për këtë.

Zoti Hoxha, sipas jush përse u katandis drejtësia kështu? Në pamje të parë nuk duket si një proces politik. Përse duhej të mbroheshin kaq shumë këta njerëz?

Ne kemi parë që në kohën kur bëhej procesi gjyqësor për Arben Sefgjinin, flitej edhe për Gazideden. Dhe kur u emërua drejtor i Hipotekës, drejtor i Tatimeve etj., mediat reaguan dhe Berisha thoshte përderisa të shpallen fajtorë, ata nuk janë fajtorë. Berisha i mbronte me mish e me shpirt këta, sepse e shantazhonin Berishën. Edhe sot e shantazhojnë, sepse Berisha ka dhënë urdhrin që të bëhej ky operacion. Është çështje tjetër pastaj që këta u zbuluan nga kontrolli. Atyre u ka ngelur në dorë, sepse nuk ka qenë në plan që të vritej. E gjithë kjo pastaj mbrohet nga e gjithë aparatura e Berishës. E thashë sot për gazetën “Shqip”, po e them edhe për ju: pse asnjëherë gjatë 25 viteve nuk më ka kontaktuar askush nga TV Klan? Blendi Fevziu asnjëherë nuk më ka thirrur në emisionin e tij, edhe pse kjo është një prej ngjarjeve më të rënda të Shqipërisë. E gjithë bota e di që TV Klan favorizon dhe mbron Sali Berishën. D.m.th. e gjithë aparatura është e tij. Normal që ne nuk mund ta akuzonim Fatos Nanon apo Edi Ramën apo Ramiz Alinë për këtë krim, sepse ka ndodhur në kohën e Berishës, kur ai e kishte në funksion qeverinë, SHIK-un, të gjitha institucionet. Po ashtu edhe sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe të gjitha. Normale që ne e kërkojmë nga Berisha. Mirëpo ne jemi të zhgënjyer me të gjithë klasën politike në Shqipëri. Edhe me Edi Ramën jemi të zhgënjyer, edhe me Ilir Metën, edhe me të gjitha institucionet e drejtësisë.

Keni marrë premtime?

Nga të gjithë, sidomos kur kanë qenë në opozitë. Më thërrisnin vetë. Erion Braçe më shkruante në tëitter, e përdorte në parlament për t’i hedhur gurë Berishës, për të marrë vota. Por nuk bënë asgjë.

Kam dëgjuar diku që ju keni tentuar, edhe nëpërmjet familjarëve të Berishës, që të shkonit drejt eshtrave. Ka qenë një takim mes jush dhe vjehrrit të Berishës? Cila është e vërteta?

Nëna ime, përmes disa miqve, pa e lajmëruar atë që është gruaja e Remzi Hoxhës, shkoi te shtëpia e vjehrrit të Berishës. Pasi prezantohen, ai i thotë nënës sime: “Remziu është mirë, fëmijët le të vazhdojnë shkollën dhe do të vijë koha kur do të kthehet në shtëpi”.

Pasi kishte ndodhur ngjarja?

Po, pasi kishte ndodhur.

Sa kohë kishte kaluar?

Kjo është brenda vitit të parë. Ne atëherë e besonim që ishte gjallë. Ishte e palogjikshme që të mendoje se nuk ishte gjallë.

Kjo ishte një garanci më shumë për ju që ai mund të ishte gjallë.

Po normale. Ato ishin fjalë shumë shpresëdhënëse. Tani Berisha flet shumë lehtë, por nëse ndonjëherë i ndodh atij ose familjarëve të tij, e sheh se çfarë dhembje kemi ne.

Padyshim, ngjarja juaj vërtet dramatike dhe rëndohet më shumë sepse eshtrat nuk po gjenden.

E rrëmbeu shteti. Le ta nxjerrë prapë shteti ku e ka, qoftë edhe të vdekur.

Mua më vjen keq që na duhet neve si familjarë të bëjmë gjurmime, të bëjmë prokurorin, policin, që t’i tregojmë botës të gjitha ngjarjet, të bëjmë presion publik. Neve na kanë interesuar eshtrat, ne kemi kërkuar eshtrat dhe duke qenë që të gjitha pushtetet u ndërruan, duke qenë që u bënë ndryshime, vetingu etj., ne akoma nuk i kemi eshtrat. Ne si familje e kemi humbur shpresën dhe prandaj ne si familje duam ta mbyllim dhe turp i qoftë të gjithë Shqipërisë. Ne si familje njohim vetëm dy burra të Shqipërisë, Ermi Dobjanin Avokat i Popullit dhe të ndjerin Xhevat Hana. Këta u treguan burra, treguan që duan të ketë drejtësi në Shqipëri. Të tjerët e kanë notën zero.

Ju thatë që tashmë nuk keni më shpresa për gjetjen e eshtrave. Çfarë do të bëni këtej e tutje, do t’i riktheheni normalitetit, jetës?

Ne me vite jemi frikësuar edhe të mendojmë se si do të kishte qenë, po të kishte një varr babai. Jemi frikësuar edhe ta mendojmë atë. Duke qenë se i kemi humbur të gjitha shpresat, ne duam, me shumë dhembje, t’i themi mjaft më. Ne do t’i bëjmë një varr që do të jetë i hapur, që nëse vijnë eshtrat ndonjëherë, vendi është. Do t’i bëjmë edhe një memorial, ku do të shkojmë ta vizitojmë çdo herë që kemi nevojë për t’u çmallur. Në anën tjetër, ne si familje, duke qenë që të gjitha emocionet, të gjithë fokusin e kishim te gjetja e eshtrave dhe nuk na ka interesuar asnjëherë politika e Shqipërisë, për ne Shqipëria është Shqipëri, të gjithë opozitë-pozitë janë të njëjtë, d.m.th. për mua, unë edhe sot ka miq që janë qoftë në PD, qoftë në PS, qoftë në LSI, qoftë së s’janë fare në politikë, që janë artistë etj., apo edhe nga shoqëria civile, do të thotë që për ne të gjithë shqiptarët e Shqipërisë janë vëllezër dhe motra, të gjithë janë shqiptarë.

Keni kërkuar edhe në mënyrë private për të gjetur eshtrat, jo nëpërmjet shtetit?

          Ne kemi kërkuar në të gjitha mënyrat. Xhaxhait tim, i mashtruar nga shumë mashtrues, i kishin thënë që të blinte edhe një furgon. Kishte punësuar dy njerëz që kishin punuar më parë në SHIK, kishin përgatitur edhe një bunker te furgoni, që të shkonin te spitali për njerëz me çrregullime mendore, sepse i kishin thënë xhaxhait tim që aty është. Shkon xhaxhai, futet te një dhomë ku ishin njerëz me pak çrregullime. Hap derën, nuk ishte aty. Shkon te dhoma tjetër ku ishin me njerëz me pak më shumë çrregullime.

Në ç’vit ka ndodhur kjo histori?

          Në vitet 1996-1997.

Pra kur ju kishit akoma shpresa se ai ishte gjallë?

          Po. Shkon deri te dhoma ku ishin njerëzit me shumë më tepër probleme. Me vete shpresonte që të mos ishte aty. Pastaj një grup tjetër i thotë që të blinte aparatura për gjetjen e eshtrave në tokë, sepse e dinin si vend. I bleu edhe ato. Pastaj një grup tjetër matrapazësh i thotë që t’u jepte 30 mijë dollarë dhe ne do t’i sjellim eshtrat, të vijnë njerëz që garantojnë, është gjithçka e sigurt. 15 mijë dollarë njëherë dhe 15 mijë dollarë kur t’i sjellin eshtrat. I marrin eshtrat dhe kur i shohin, ishin eshtra të qenve.

 Deri në këtë pikë ka shkuar drama e familjes suaj.

          Deri në këtë pikë. Pastaj ka pasur rast tjetër, kur ulet me njërin që i thotë: “Po vjen Remziu, më jep një kafe dhe e presim”. Ulen dhe e presin. Mendo se çfarë emocioni është të presësh njeriun që ke shumë vite që e kërkon dhe mendon se nuk do ta gjesh. Si e përjeton zemra atë pritje. D.m.th. këto janë keqtrajtime nga më të ndryshmet. Kur erdhën xhaxhallarët, ditët e para, normal që trokit në polici dhe nuk është, shko në SHIK dhe nuk është, shko aty e shko këtu dhe nuk është, dhe morën avokat, duke filluar nga Maks Haxhia që njihej si një nga avokatët më të mirë dhe pastaj, pas dy ditëve tha që nuk mund të merrej me këtë rast. Shko te njëri e shko te tjetri dhe e njëjta përgjigje, që nuk mund të merreshin me këtë rast. Dhe njeri pas njeriu shkojnë deri te Petrit Serjani. I thonë xhaxhallarëve që është avokat i mirë dhe ai u thotë që mund të angazhohej, mirëpo edhe ata vetë e dinin që ishte rast me rrezikshmëri të lartë. Këta normal që e dinin këtë. Disa avokatë të tjerë u dorëzuan, nuk e morën fare si angazhim. Normal që pranuam sepse ishin nevojtarë për avokatë e për këshilla sepse gjatë gjithë jetës nuk kishim pasur si familje asnjëherë punë me ligjet. Pastaj ky avokati, për të fituar besimin e xhaxhallarëve organizon 2-3 takime në Ministrinë e Drejtësisë, aty e këtu ku nuk na pranonin neve, dhe pastaj familja i beson atij verbërisht. Nga ana tjetër, çdo përpjekje që bënim ne, se kishim miq shumë, pa fund, edhe si familje, por edhe babai se ai ishte personalitet dhe miq kishin pa fund, dhe të gjithë njerëzit që takonim, na thoshin që është Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro. Këta tre emra kanë dalë që nga dita e parë. Ne pastaj çdo konsultin e bënim me Petritin. 10 vite e kemi pasur “avokat” Petritin dhe një ditë, Tom Gashi avokat nga Kosova, erdhi të regjistrojë djalin e vet Albinin në shkollë te ne, dhe më thotë: “Jam shumë kureshtar, më ka intriguar kjo puna e babait tënd. A ka mundësi të ma sjellësh dosjen?”. I thashë: “Po, patjetër”. Ia çova dosjen, por ai kërkonte dosjen gjyqësore. Ne nuk e kishim. Thërras Petrit Serjanin dhe i kërkoj dosjen gjyqësore. Më tha që neve nuk na takonte dosja gjyqësore, se nuk ishim palë. I thashë Tom Gashit çfarë më tha avokat Petriti. Ky nxori Kodin Penal të Shqipërisë dhe ma dokumentoi. Thërras xhaxhallarët, erdhën, bëmë takimin. Bashkë me Tomën dhe me xhaxhanë tim erdhëm në Tiranë, morëm Petrit Serjanin dhe shkuam e morëm dosjen. Ai nuk tha asnjë fjalë, përse na kishte gënjyer. Dhe që nga ajo ditë nuk kemi bashkëpunuar më. Për 10 vite ne në fakt kemi pasur njeriun e SHIK-ut “avokat”. 10 vite na kanë kontrolluar këta njerëz.

 Ju thatë që çështja juaj është ndërkombëtarizuar, është përmendur në të gjitha raportet për të drejtat e njeriut. A keni pasur mbështetje ndërkombëtare? Sipas jush pse nuk është arritur të bëhet presioni i duhur ndaj shtetit shqiptar?

          Unë e kam kuptuar që në politikë të gjithë janë partnerë sepse ndërrojnë karriget, herë në pozitë e herë në opozitë. Siç duket këta kanë marrëveshje xhentëllmene, që për çështje shumë të ndjeshme të mos e japin njëri-tjetrin. Bëjnë politikë ditore, shajnë njëri-tjetrin, dhe e gjith është se kush do të bëjë marketingun dhe propagandën më të mirë.

   Pra ju po thoni që kjo ishte një çështje aq e ndjeshme saqë të gjitha palët ishin të interesuara që të mbyllej? Në këtë konkluzion keni arritur sot?

          Ky është konkluzioni dhe vjen edhe nga rezultatet. Kur erdhi Fatos Nano, normal ne duke e ditur që Berisha dhe strukturat e tij e kishin rrëmbyer babanë tim, kishim shpresë që ky si palë kundërshtare do të angazhohej edhe për ta përdorur për interesin e tij politik, por edhe për të na ndihmuar neve dhe për të zbatuar drejtësinë, do ta nxiste këtë çështje që institucionet e drejtësisë të merreshin. Kaloi dhe nuk u bë asgjë. Erdhi pastaj për dy mandate Berisha. Bashkë me të ishte edhe Ilir Meta që e solli në pushtet. Edhe nuk bënë asgjë dhe i bënë të gjitha këto lojëra që të shpëtonin me letra, me ligj, dhe në njëfarë mënyre të mbyllej kjo. Dhe shpresë shumë të madhe kishim nëse do të vinte përsëri PS-ja në pushtet, Edi Rama, sepse ata, sa ishin në opozitë na thërrisnin që të na përdornin për vete. Dhe ajo na dha një shpresë shumë të madhe. Menjëherë pasi u zgjodh Rama, pas 4 muajve kishim takim në zyrën e tij në Kryeministri. Na premtoi që do të merrej, na tha që e kishte shumë të lehtë dhe do të duheshin disa vite që të zgjeronte pushtetin e tij sepse shteti ishte i kapur. Por që kishim shpresë. Dhe tani edhe ajo shpresë është shuar, sepse tani ka pushtet absolut dhe nuk i ka ato pengesa që kishte kur e mori pushtetin. Janë bërë këto “pastrimet”, se unë nuk besoj dhe ky është rezultati, një çerek shekulli, 25 vite.

 Dhe me të gjitha këto që thatë, drama juaj ka qenë edhe më e madhe për shkak të mashtrimeve që keni pasur.

 Është mbyllur çështja në aspektin ligjor? Ka ndonjë hapësirë?

          Në aspektin ligjor çështja është mbyllur sepse edhe Gjykata e Lartë ka proceduar me mospranim rekursi, pra nuk ka pranuar që ta gjykojë këtë rast, sepse ajo është gjykuar edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë, edhe në Gjykatën e Apelit. Mundësia e vetme mbetet SPAK-u, nëse gjenden eshtrat ose prova të tjera që implikojnë këta individë, por edhe të tjerë, si përgjegjës të këtij krimi makabër. Fakti që një person është zhdukur dhe dyshimet janë shumë të forta se është vrarë, këtë e dëshmon edhe Avdyl Loshaj që ka qenë bashkëvuajtës në bazën e Lezhës, nuk e amniston këtë krim, mund ta pezullojë dosjen. Por fakti mbetet që personi është zhdukur dhe nuk dihet se ku është. Edhe vetë familja, megjithëse po i thotë stop kërkimeve, nuk e çregjistron dot nga gjendja civile. Nuk e di si është ligji në Kosovë, por në Shqipëri nuk e çregjistrojnë nëse nuk gjendet trupi. Kështu që këta mund të kenë probleme pastaj në çështjet e pronësisë apo të trashëgimisë.

Ndoshta është dhënë certifikata e vdekjes.

          Nuk na ka interesuar ndonjëherë.

Dakord, por në aspektin ligjor nuk e ka provuar askush, as gjykata, që Remzi Hoxha ka ndërruar jetë.

Por ka një certifikim gjyqësor.

          Jo nuk ka sepse edhe vetë akuza që kishte ngritur Xhevat Hana, ajo e torturimit me pasojë vdekjen e personit, është tërhequr nga Prokuroria në seancat e fundit gjyqësore. Dhe ka mbetur në fuqi vetëm akuza ndaj Ilir Kumbaros për torturë dhe jo për rrëmbim. Si vepër nuk parashkruhet sepse vrasjen nuk ka ligj që ta parashkruajë. Thjesht duhet vullnet dhe një indicie e re. PS-ja e ka të gjithë pushtetin që nga Vermoshi deri në Konispol. SPAK-u ka ardhur me objektiva të reja hetimore. Gjithashtu edhe Shërbimi Informativ Kombëtar e ka të gjithë dokumentacionin. Nëse strukturat e mëparshme e kanë zhdukur dokumentacionin, atëherë është gjë tjetër, duhet të gjehen fajtorët dhe të dënohen. Qoftë edhe Prokuroria ta bëjë për prestigjin e saj, të quhet një hetim historik, sepse shteti aty është, edhe dokumentet. Nëse janë zhdukur dokumentet zyrtare, të dënohen ata që e kanë bërë.

          Shqipëria, edhe si shtet, edhe si drejtësi, do ta ketë këtë njollë derisa të zbardhet rasti. Ne në Kosovë kemi rastet e Serbisë që për 21 vite janë mbi 1 600 persona që i kanë varrosur në varreza masive dhe nuk kanë vullnet që t’ua japin familjarëve. Në njëfarë mënyre, me këtë rast, Shqipëria po vihet në të njëjtin nivel me Serbinë, madje këtu 25 vite, atje 21 vite. E para kjo. E dyta, neve si familje gjithmonë na ka përfaqësuar prokuroria, se është organi i akuzës. SPAK-u nëse do të ketë vullnet, ka shumë mënyra se si të gjejnë elemente për ta rihapur çështjen. Së pari, kanë qenë në gjyq vetëm 4 nga 9 personat që kanë qenë fizikisht për ta rrëmbyer babanë. Vetëm 4 emra dimë, d.m.th. janë edhe 5 emra që nuk janë akuzuar. Kështu që cilido prej tyre mund ta rihapë dosjen.

 Ju si familje, e keni diskutuar si mundësi për të ribërë një kërkesë, apo një rikallëzim për këta individë?

          Ne nuk kemi qenë palë asnjëherë.

 Por ju jeni të dëmtuarit. Kodi i Procedurës Penale në Shqipëri ka ndryshuar që nga viti 2017 dhe jua jep mundësinë.

 Nuk kemi informacion. Nuk e njohim ligjin.

Keni të drejtë edhe ju si palë e dëmtuar ta kërkoni, jo vetëm prokuroria. Besoj se ky është një informacion që mund t’ju vlejë, gjithnjë duke gjetur avokatin e duhur.

          Po, shumë i vlefshëm si informacion.

 Është folur edhe për vrasjen e gazetarit Ali Uka, dy vite më vonë, më 1997 dhe që ka një lidhje me vrasjen e babait tuaj. Cila është lidhja?

          Ali Uka ka qenë një gazetar nga Kosova, djalë i ri. Babai im ka qenë dera kryesore ku, të gjithë ata që vinin nga Kosova, trokisnin, qoftë për strehim, qoftë për ndonjë ndihmë, qoftë për punësim, për gjithçka. Ali Uka ka qenë një djalë shumë i zoti. Në paraqitje nuk ta jepte përshtypjen, por ka qenë shumë i zoti. Dëshmitë e miqve të babait tregojnë se kanë kaluar mjaft kohë bashkë. Dhe duke qenë se ishte gazetar, kishte rënë në gjurmë të informacioneve rreth zhdukjes së babait tim. Dhe thuhet, sepse nuk është dëshmuar, që një nga arsyet sepse edhe atij ia kanë montuar vrasjen, është që të mos dalë e vërteta e zhdukjes së babait, në këtë rast.

Në atë kohë, të ishe gazetar dhe të merreshe me atë çështje, ishte utopi, sepse avokatët vetë e linin çështjen rrugëve, jo më një gazetar.

    Realisht drama e familjes suaj të rrëqeth. Si është përjetuar kjo histori në Kosovë? Si njihet Remzi Hoxha në Kosovë? Po nga politika e Kosovës a jeni i zhgënjyer, sepse edhe ajo mund të luante rol për ta çuar përpara hetimin në Shqipëri.

          Të them të drejtën, pjesë të fajit që politika e Kosovës nuk ka bërë më tepër, kemi edhe ne, sepse ne asnjëherë nuk e kemi parë si problem politik këtë çështje. Kohë pas kohe kemi pasur kërkesa. Është ngritur edhe në Parlamentin e Kosovës, e ka ngritur edhe e ndjera Nekibe Kelmendi, që ishte bashkëshortja e Bajram Kelmendit, i cili po ashtu kishte lidhje shumë miqësore me Berishën. Dhe kur xhaxhallarët shkuan ta takojnë dhe t’i kërkojnë ndihmë, siç i kanë kërkuar edhe të ndjerit Fehmi Agani, që edhe ai është interesuar, edhe Adem Demaçi, që të gjithë njerëz me reputacion, që ishin si zota për ne si popullatë. D.m.th. ishin figura shumë të mëdha, me shumë autoritet. Dhe kur të gjithë këta erdhën dhe Berisha u thoshte: “Mos u merrni me këtë punë se është çështje shtetërore”, u zhgënjyen. Madje, Adem Demaçi na tha që “duhet të mësohemi të jetojmë pa babën”, d.m.th. atij i kishte thënë direkt që nuk jeton më. Dhe ai, me fjalë më të buta, tha: “Duhet të mësoheni të jetoni pa babën”.

Jua tha juve?

          Na e tha.

 Në ç’periudhë?

          Nga fundi i viteve ’90, pas luftës, më 1999.

 Në atë periudhë Berisha ka qenë thjesht lideri i opozitës.

          D.m.th. ne kërkonim ndihmë nga secili. Sinqerisht, sado që Berisha mundohet në këtë rast që të tregojë sikur ne e bëjmë për politikë, gabohet, se neve nuk na intereson politika në Shqipëri, siç nuk na intereson politika në Amerikë, a fiton Trump apo Biden. Për ne, Amerika është Amerikë. Edhe këtu, e gjithë Shqipëria është Shqipëri për ne. Madje, as nuk kemi lidhje me politikën, as në Kosovë, as këtu.

Aktualisht jetoni në Prishtinë. Me çfarë merreni?

          Po, në Prishtinë. Ne kemi 5 kompani atje. Nga viti 2003 kam hapur një shkollë amerikane dhe është një nga shkollat më të mira të rajonit. E them këtë duke u nisur nga rezultatet që arrijnë nxënësit, nga bursat që marrin, duke përfshirë edhe bursë të plotë 4-vjeçare në Harvard. Pastaj kemi edhe “Duplex Club”, kemi edhe “SushiCo” edhe të tjera.

  Kam dëgjuar shpesh Hashim Thaçin që ta përmendë këtë histori. Keni pasur kontakte me Presidentin e Kosovës?

          Kam pasur kontakte dhe unë nga ai, jam munduar edhe zyrtarisht edhe jozyrtarisht, të kërkoj ndihmë. Edhe Hashim Thaçi është deklaruar si politikan dhe është shprehur publikisht vetëm kur atij i është dashur që të thumbojë apo të sulmojë Berishën. Kështu që edhe ajo është një hiç, një asgjë.

   Me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, viktimave të veprës penale që në këtë rast jeni ju dhe familja juaj, ju jepet mundësia dhe hapësira ligjore për të kërkuar rihapjen e hetimeve për personat përgjegjës që ju dyshoni se kanë rrëmbyer, kanë torturuar dhe më pas kanë vrarë Remzi Hoxhën. Se sa do të arrihet që të zbardhet apo jo, është çështje tjetër pastaj. Por klauzola ligjore ekziston që ju t’i drejtoheni me një kërkesë tjetër, pavarësisht se ju tashmë u keni thënë stop të gjitha pretendimeve, por që mundësitë ekzistojnë.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?