Shkrimtari Gazmend Kapllani

Zhiti: “I keqi i vetes”, saga tronditëse e Gazmend Kapllanit

11 Dhjetor 2018, 07:50| Përditesimi: 11 Dhjetor 2018, 07:54

  • Share

Gazmend Kapllani, poet e romancier (autor i librit bestseller “Ditar kufijsh” përkthyer në dhjetë gjuhë të botës), gazetar e hulumtues, pedagog në universitete të Athinës e aktualisht në Boston, vjen në Shqipëri për të takuar lexuesit për romanin e tij të fundit “I keqi i vetes”.

Ndonëse ka një muaj që ka dalë nga shtypi, romani është në duart e shumë lexuesve dhe kritikëve, që kanë dhënë vlerësim maksimal për të. Shtëpia botuese Albas ka realizuar disa takime. Takimi i parë nisi mbrëmë në Tiranë, në librarinë Tirana Times, ndërsa në datën 12 dhjetor, ora 12:00, do të mbahet në universitetin “Fan Noli” në Korçë. Më 13 dhjetor takimi do të mbahet në Shkodër me nxënës e studentë dhe më 14 dhjetor përmbyllet në Fakultetin Histori-Filologji, Tirane, për të bashkëbiseduar me studentët në një orë leksioni të Letërsisë Bashkëkohore, etj. Takimi i djeshëm pati trajtën e një dialogu letrar midis Kapllanit dhe shkrimtarit të mirënjohur Visar Zhiti për romanin “I keqi i vetes”. “Gazmend Kapllani arrin me guximin e shkrimtarit të lirë atë lartësi që priste letërsia shqipe postdiktatoriale e shekullit XXI, prandaj dhe vepra e tij është po aq e përbotshme.”, është shprehur për të shkrimtari Visar Zhiti. Sipas Zhitit ky libër është i çmuar, i bukur tragjikisht, marramendës, me të papritura, i prajshëm, me plot fshehtësi poezie e humor të zi si realiteti”.

“Shkrimtari Gazmend Kapllani, tashmë i njohur si romancier dhe në vende të tjera, na vjen me veprën “I keqi i vetes”, me një sagë e shkëlqyer dhe tronditëse, që ndonëse e shkruar në SHBA, ku dhe jeton, ka arealin shqiptar e ballkanik, ka botën, atë të njeriut, fatin dhe dramën e tij, në kapërcyell ndryshimesh të kohëve dhe vendeve dhe të përplasjeve të tyre.”, është shprehur shkrimtari Visar Zhiti, duke e vlerësuar romanin e Gazmend Kapllanit , si një vepër “me madhështi të brendshme, atë të thellësisë dostojevskiane, me trishtim kafkian, jo të ftohtë, me kadencën e romancierëve të njohur amerikanë. Por gjithnjë vetvete.” Sipas Zhitit,  “Gazmend Kapllani solli veprën që pritej.”

Subjekti i romanit të Gazmend Kapllanit lidhet me aktualitetin shqiptar. Karli dhe Frederiku janë dy vëllezër nga qyteti Ters në Shqipëri, një qytet imagjinar, i ngjashëm me një kolazh të qyteteve të ndryshme të Ballkanit. I ati i tyre, një ish-komunist fanatik (që i pagëzoi ashtu djemtë e tij për nder të Karl Marksit dhe Frederik Engelsit), po përcillet për në banesën e fundit. Karli kthehet nga mërgimi në vendlindje, për të marrë pjesë në zinë familjare.

Ndërsa varrosin të atin, dy vëllezërit nisin të zhvarrosin kujtime, keqkuptime dhe mëri të vjetra mes tyre. Dy vëllezërit përbëjnë mishërimin e idealeve të kundërta, njëri të rebelit dhe të ikanakut larg atdheut; tjetri, filozofinë e bindjes dhe të mosbraktisjes së atdheut. I pari kërkon të hidhet dritë në epokën e errët të komunizmit, ndërsa i dyti kërkon ta lërë në harresë.

Ngjarjet do ta dërgojnë lexuesin dhe në katër qytete të tjera të Europës e të Amerikës për t’u kthyer sërish në Ters. Sepse nuk mund të dish se ku po shkon, pa kuptuar më parë se nga ke ardhur. “I keqi i vetes” është një roman i pazakonshëm për të zakonshmen tonë tipike shqiptare, por dhe ballkanike e më gjerë. Teksti i tij ngërthen kohë, vende dhe fate njerëzore, ku me plot fantazi e frymë përftohet një realitet më i ngjeshur, i rëndë, në të cilin përzihen tragjikja me absurdin komik dhe dhembjen, befasitë dhe dashuria me pengesat e reja, drita ndjellëse e ikjes nëpër gjithkund, për t’i shpëtuar vetes, me kthimet e ashpra në një truall metaforik, yni, i përbashkët, prapë shqiptar e ballkanik, po aq dhe botëror. 

Gazmend Kapllani, i përkthyer në dhjetë gjuhë deri më sot dhe i vlerësuar nga kritika perëndimore si një nga zërat më origjinalë. Librat e tij më të njohur dhe të vleërsuar nga kritika janë Ditar i shkurtër kufijsh (Nerajda); Je m’appelle Europe (ed. Intervalles); La dernière page (ed. Intervalles), etj

Me romanin më të ri, “I keqi i vetes” vjen para lexuesit shqiptar me një roman që lexohet me një frymë e që për nga temat që trajton, ndër më të dhembshmet e aktuale të historisë së Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, mbetet universal… “Kapllani trajton absurditetet e nacionalizmit në Ballkan - dhe kudo - me humor të hidhët,

zgjuarsi dhe thellësi filozofike”, shkruan Boyd Tonkin, Indipendent.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?