“Zhurma” për më shumë se 3 muaj në QSUT dhe zjarri që ‘dogji’ drejtoreshën

31 Maj, 13:41| Përditesimi: 31 Maj, 13:56

  • Share

Pas 3 muajve e gjysmë nga zjarri i 11 shkurtit, Urgjenca e QSUT pritet të kthehet me shërbime të plota për qytetarët në fillim të qershorit.

Punimet për rehabilitimin e saj zgjatën afro 2 muaj. 30 milionë lekë i kushtoi buxhetit të shtetit kthimi në normalitet i urgjencës, siç ministrja e Shëndetësisë kish njoftuar, pas zjarrit të 11 shkurtit në katin -2 të godinës të inauguruar 1 vit më parë, për sëmundjet e brendshme.

Koston reale e pësuan qytetarët të cilëve në pritje të ndihmës së shpejtë në spitale të tjera si Trauma e Sanatoriumi në Tiranë, të cilat u përballën me fluks të pazakontë duke trajtuar edhe rastet urgjente të QSUT me 50-60 raste në ditë.

Nga kjo e premte dhomat në pavion që ishin jashtë shërbimi, janë rikthyer në funksion, por ende po kryhen testime për rikthimin e plotë të shërbimit të sigurtë për qytetarët.

Një shkëndijë elektrike në një nga dhomat teknike në katin e 2-të dëmtoi të gjithë sistemin elektrik dhe nxorri jashtë një pjesë të mirë të aparaturave imazherike. Prokuroria e Tiranës, e cila sekuestroi dhe dosjen e tenderit për ndërtimin e urgjencës, po heton ende për shkaqet që pritet të dalin nga ri-ekspertimi pasi akti i parë i ekspertizës e vlerësoi zjarrin aksidental si pasojë e keqfunksionimit të baterive. Organi i akuzës kërkon të specifikojë nëse incidenti ka apo jo lidhje me standardet e punimeve për rikonstruksionin e spitalit, një investim me vlerë 17 milionë euro.

Në ditët e 44 të urgjencës jashtë shërbimit, Albana Fico deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i Urgjencës së QSUT-së pas më shumë se 2 vitesh në krye, vend që e mban tashmë mjekja Alma Cani. Vendimi erdhi pas situatës kaotike të krijuar me urgjenca e në mesin e presionit nga opozita për të dhënë shpjegime se çfarë ndodhi në të vërtetë me urgjencën e re të QSUT-së.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?