Mbetën jashtë kryesisë së Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, por emra si Arben Imami e Bardh Spahia kanë edhe një shans të fundit për të qenë anëtarë të saj.
Zgjedhja e Flamur Nokës Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha dhe Luçiano Boçi e Oerd Bylykbashit nënkryetar, si dhe e 10 sekretarëve, ndryshon përbërjen e anëtarëve të kryesisë, duke i dhënë mundësinë emrave të tjerë, që nuk e arritën përmes votës të bëhen automatikisht pjesë.
Sipas statutit 30 prillit të PD, të zgjedhurit në postet drejtuese, nuk mund të jenë në listën e anëtarëve të zgjedhur të kryesisë, pasi ata futen automatikisht për shkak të pozicionit drejtues, duke sjellë zhvendosje të listës së fituesve të dalë nga zgjedhjet për anëtarë kryesie të 28 majit, dhe duke i dhënë mundësinë për tu bërë bërë pjesë emrave që mbetën jashtë dhe që në PD e Rithemelimit nuk kanë asnjë rol drejtues si Genc Deromema, Bardh Spahia, Çlirim Gjata e Arben Imami.
Megjithatë, në ndryshimin e përbërjes së re të kryesisë këta emra mund të mbeten sërish jashtë, nëse Berisha do të marrë parasysh plotësimin e kuotës gjinore dhe në vend të tyre në kryesi të fusë nga lista, gratë që nuk u renditën fituese.
Sipas ndryshimeve të bëra në statutin e PD nga grupi i Berishës, pjesë e kryesisë janë vetëm Kryetari, sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët , kryetarët e forumit rinor e të gruas dhe njëzet anëtarët e zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar i PD, ndërsa jashtë mbeten 10 drejtuesit e sekretariateve dhe gjykata e partisë.