Pasi u publikua lajmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë bisedime me shumë vende, ndër to edhe Shqipëria, për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, këto plane konkrete për zhvendosjen e tyre janë konfirmuar për Report Tv nga vetë NATO.
Një zyrtar i NATO-s i tha Report Tv sot se disa vende në mënyrë individuale kanë bërë plane dhe se aleanca po punon ngushtë me ta për këtë qëllim. Nje mundësi është që Shqipëria t' strehojë ata.
Në përgjigjen për Report Tv e zyrtarit të Aleancës së Atlantikut Verior thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është në kontakt me qeveritë aleate për këtë çështje pasi ata që ndihmuan misionin e aleancën kanë vënë edhe jetën në rrezik.
"Anëtarë të NATO kanë zhvilluar plane individualisht për të zhvendosur afganët që kanë mbështetur misionin e NATO-s në Afganistan. Këto plane vlerësojnë trimërinë dhe shërbimin e afganëve, përfshirë shumë përkthyes, që kanë mbështetur misionin tonë, shpesh duke vënë jetën në rrezik të madh. NATO si organizatë ndërkombëtare nuk jep azil apo miraton aplikime për viza, pasi këto janë vendime që duhet të marrin kombet individualisht, sipas ligjeve dhe procedurave të tyre. NATO po luan një rol mbështetës, duke punuar ngushtë me Aleatët për të identifikuar opsionet e mundshme për ti zhvendosur dhe Sekretari i Përgjithshëm është në kontakt me qeveritë aleate për këtë çështje", ka thënë ekskluzivisht për Report Tv një zyrtar i NATO-s.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një bisedë me disa shtete për mundësinë e strehimit të civilëve afganë, dhe kapacitetet pritëse të tyre. Shqipëria ka dhënë disponibilitetin e saj duke qenë edhe vend anëtar i NATOS. Bëhet fjalë për një prezence të përkohshme e këtyre refugjatëve në vendin tonë. Më herët ishte Kanadaja që konfirmoi pranimin për të strehuar 20 mijë civilë afganë, punonjës të administratës së ushtrisë amerikanë gjatë misionit të tyre në Afganistan.
Ndërkohë që nisur nga situata që po kalon Afganistani, burime diplomatike për Report Tv bënë me dije se atje nuk ka prezencë as civile dhe as ushtarake shqiptare. 37 ushtarakët e fundit shqiptarë që ishin në Afganistan, janë larguar në muajin qershor përmes aeroportit të Kabulit ku ishin nën komandën turke.