Me një kthesë të re, kancelari gjerman Friedrich Merz ka hapur rrugën për përdorimin e fondeve sovrane ruse të ngrira në Europë. Nuk është hera e parë që Merz i jep një ndryshim të fortë politikës gjermane: mjafton të kujtohet riarmatimi. Por përdorimi i aseteve të Kremlinit — deri në 140 miliardë — për të financuar rezistencën ukrainase, tregon gjithashtu se Europa po ndërgjegjësohet se ndihma amerikane po zbehet. Dhe se do të duhet të vihen në lëvizje burime të mëdha, në mënyrë që të mos lejohet që Ukraina të bjerë. Sepse Donald Trump, në këtë lojë, do të qëndrojë mënjanë.
Në një farë kuptimi, Merz thyen një tjetër tabu të kujdesit gjerman. Ai e bën këtë me një letër për Financial Times, në të cilën kërkon "mobilizimin e burimeve financiare në një shkallë të tillë që të garantojë qëndrueshmërinë ushtarake të Ukrainës për disa vite". Dhe shpjegon: "Nuk e bëjmë këtë për ta zgjatur luftën, por për t’i dhënë fund. Moska do të ulet në tavolinë për të diskutuar një armëpushim vetëm kur të kuptojë se Ukraina ka një kapacitet më të madh qëndrueshmërie. Ne kemi këtë kapacitet qëndrueshmërie. Europa është në provën ndoshta më të madhe se në çdo moment tjetër të jetëve tona. Gjermania duhet të marrë përsipër një pjesë të veçantë të përgjegjësisë. Dhe do ta bëjë".
Merz shprehet ende "shumë i kujdesshëm" sa i përket konfiskimit të rezervave të bankës qendrore ruse, për çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe për të mos dëmtuar euron si monedhë rezervë globale. Skema për të cilën mendon kancelari nuk do të ishte një konfiskim dhe duhet të rezistojë edhe përballë proceseve në gjykatat ndërkombëtare. Sigurisht, Merz vendos disa kufizime dhe ofron udhëzime të qarta, pjesërisht edhe në favor të industrisë gjermane.
Ideja kryesore është që likuiditeti i gjeneruar falë rezervave ruse të ngrira në Europë të përdoret tërësisht për forcimin ushtarak të Ukrainës: sot përpjekja thjesht ushtarake e Kievit përthith rreth 62 miliardë dollarë në vit, por kostoja po rritet vazhdimisht. Fondet nga rezervat ruse nuk duhet pra të mbulojnë buxhetin civil të Ukrainës, as të zëvendësojnë plotësisht kontributet që vijnë nga BE; ato fonde duhet të jenë në pjesën më të madhe shtesë.
Udhëzimi i dytë i Merz lidhet me vetë Gjermaninë dhe Europën. Kancelari shkruan: qeveritë europiane dhe Kievi "do të vendosin së bashku se cilat materiale ushtarake të porosisin" falë fondeve ruse; dhe vazhdon: "Një program i tillë duhet të ndihmojë në forcimin dhe zgjerimin e industrisë europiane të mbrojtjes". E qartë është synimi i Merz për të kontrolluar në nivel europian këtë buxhet (ndoshta edhe për të parandaluar episode korrupsioni në Kiev) dhe për të prodhuar një pjesë të porosive në impiante gjermane dhe europiane. Kjo do t'i jepte Ukrainës fuqi më të madhe ushtarake, dhe vendet evropiane me një industri mbrojtëse do të kishin qasje në ekspertizën e Kievit në armët e gjeneratës së ardhshme, duke filluar me ndërthurjen e dronëve dhe inteligjencës artificiale.
Kthesa gjermane erdhi ngadalë. Por pas samitit në Alaska mes Trump dhe Putin u bë e qartë se Shtëpia e Bardhë nuk do të ndalte Kremlinin, as nuk do të angazhohej për Ukrainën. Asnjë lider i BE-së nuk dëshiron ta kundërshtojë publikisht Trump, por askush nuk është naiv. Berlini dhe disa kryeqytete nordike tashmë kanë nisur një skemë ku paguajnë nga buxhetet e tyre për raketat Patriot amerikane të dërguara në Ukrainë (dhe në të ardhmen mund të përdorin frytin e aseteve ruse për këtë). Pikën e fundit e ka sjellë fjalimi i presidentit amerikan në OKB. Kur ai tha, me një tjetër kthesë, se "ukrainasit mund të fitojnë dhe të rimarrin gjithë territorin" por "me ndihmën e BE-së". Si për të thënë se Shtëpia e Bardhë do të lante duart. Kryeministri polak Donald Tusk komentoi dje me ironi: "Ky optimizëm i habitshëm fsheh premtimin e një përfshirjeje të reduktuar të Shteteve të Bashkuara dhe një transferim të përgjegjësisë për t’i dhënë fund luftës tek Europa. E vërteta është më mirë se iluzioni".
Liderët europianë po përballen në vendet e tyre me buxhete të kufizuara, shpesh edhe nga kufizime politike. Në këtë aspekt, një kthesë mbi rezervat ruse mund të ndihmojë. Sigurisht që do të prodhojë një reagim të mëtejshëm nga Kremlini, i cili mund të ngrejë ose të sekuestrojë prona të tjera të kompanive perëndimore në Rusi. Megjithatë, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga skena ukrainase tashmë ka pasur këtë efekt: Europa merr një rol jetik në mbrojtjen e Kievit dhe, bashkë me të, sheh të rritet brutalisht presioni mbi të nga Moska./Corriere della sera
Komente

Ukraina gjate ketyre viiteve te luftes ka marre ndihma nga perendimi me teper se 400 miliarde dollar dhe armatim pa fund plus ndihme logjistike por rezultati nuk ka ndryshuar pra po humbet jurse keta tani duke perdorur keto asete te ngrira Ruse mendojne se do te ndryshoje ndonje gje , siguriaht qe jo sepse Ukraina nuk ka njerez qe te dergoje ne fushen e beetejes dhe kjo eshte bazike per nje lufte prandaj zotii Merz mos i vrisni dhe ata pak djem Ukrainas qe kane mbetur per egon tuaj te semure , ju duhet ta kuptoni e perendimi e beri kohen e tij dhe tani do te hapi krahun si ka nddodhur me perandorite e meparshme
Përgjigju