JERUSALEM – Para se të ulej për bisedime, Bibi i dhuroi mikut të tij Donald dhuratat që kishte sjellë nga shtëpia: një pajisje për lokalizim dhe një version luksoz të saj, i veshur me ar, për të përkujtuar operacionin me pajisje shpërthyese kundër Hezbollahut libanez.
"Fantastike," i tha presidenti.
Ndoshta as vetë Benjamin Netanyahu nuk e kishte imagjinuar se dhurata e Trump-it do të ishte edhe më "fantastike", të paktën për të dhe për aleatët e tij të ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës. "Një zgjidhje gjeniale," vlerësoi një burim i lartë—një formulim që zakonisht nënkupton vetë Netanyahun.
Një surprizë e tillë—e cila bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, për shumicën e analistëve është e pazbatueshme, ndërsa për arabët është një "spastrim etnik"—e befasoi madje edhe Itamar Ben-Gvir* i cili zakonisht është ai që trondit të tjerët.
Ai ishte larguar nga qeveria në shenjë proteste ndaj marrëveshjes me Hamasin, por tani ka sinjalizuar se është i gatshëm të kthehet nëse kryeministri e pranon sërish.
Gjithçka falet në emër të ideologjisë dhe shpresës se planet e ndërtimit të Shtëpisë së Bardhë për 363 kilometrat katrorë të shkatërruara nga 16 muaj luftë do të përfshijnë hapësirë edhe për rindërtimin e kolonive izraelite të evakuuara në vitin 2005.
"Të varrosim idenë e një shteti palestinez"
Ministri Bezalel Smotrich*, i cili ndan të njëjtin qëndrim por ka qëndruar në qeveri, komentoi me entuziazëm:
"Projekti i paraqitur nga Trump është përgjigja e vërtetë ndaj 7 tetorit 2023. Ata që kryen masakrën më të tmerrshme në tokën tonë, duhet ta humbasin tokën e tyre. Tani do të varrosim përgjithmonë idenë e një shteti palestinez."
"Asgjë për të humbur"
Kur edhe Benny Gantz*—i cili supozohet të përfaqësojë opozitën e moderuar dhe të arsyeshme—deklaron se "Izraeli nuk ka asgjë për të humbur nëse kjo ide zbatohet", atëherë është Danny Danon, një nga njerëzit më besnikë të Netanyahut, që e kujton nga detyra e tij si ambasador në OKB:
"Palestinezët nuk mund të detyrohen të largohen pa pëlqimin e tyre."
Trump nuk ka folur për zhvendosje të detyruar dhe nuk ka shpjeguar detajet se si mund të funksionojë ky operacion. Mbi të gjitha, ai duket se ka errësuar me këto deklarata çështjet më urgjente: arritjen e fazës së dytë të marrëveshjes për lirimin e pengjeve të fundit izraelite të mbajtura në Gaza dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
Kjo, ndërkohë që fillimi i marsit po afrohet dhe Netanyahu mund të urdhërojë rifillimin e luftës—deri tani, mbi 47,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën kundër Hamasit.
Një vizion si ai i një ndërtuesi
Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump përsëriti se "nuk mund të ndalet" derisa të shkatërrohet plotësisht fundamentalizmi islamik. Qasja e tij si një ndërtues për konfliktin izraelito-palestinez—e artikuluar fillimisht nga Jared Kushner, dhëndri i tij, një vit më parë—garanton më shumë kohë për Netanyahun.
Kjo do të thotë se nuk ka nevojë të japë përgjigje të menjëhershme për aleatët e tij të krahut të djathtë ekstrem. "Mjafton mirazhi i një Riviereje", shkruan gazeta Haaretz.
*Shënim redaksional: Itamar Ben-Gvir, politikan izraelit i ekstremit të djathtë, ministër i Sigurisë Kombëtare në qeverinë e Benjamin Netanyahut që nga viti 2022 dhe lider i partisë Forca Hebraike (Otzma Yehudit). . Ai është një figurë shumë e diskutueshme për shkak të qëndrimeve të tij nacionaliste dhe anti-arabe.
Bezalel Smotrich është një politikan izraelit i ekstremit të djathtë, lider i partisë Zionizmi Fetar dhe ministër i Financave në qeverinë e Benjamin Netanyahut që nga viti 2022. Ai është gjithashtu ministër i dytë në Ministrinë e Mbrojtjes, me kompetenca të zgjeruara mbi Bregun Perëndimor.
Benny Gantz është një politikan dhe ish-gjeneral izraelit, një nga figurat kryesore në politikën izraelite në dekadën e fundit. Ai ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes, u dorëhoq në qershor 2024, dhe ka qenë një nga rivalët kryesorë të Benjamin Netanyahut. Aktualisht, është lider i partisë Uniteti Kombëtar (National Unity Party) dhe një nga figurat kyçe në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së Izraelit./Corriere della Sera/