Zhvillimi i teknologjisë së pastër, përparësi e qeverisë amerikane

17 Prill 2023, 19:38| Përditesimi: 17 Prill 2023, 19:40

  • Share

I dërguari i Presidentit Joe Biden për klimën, John Kerry, thotë se është investuar kaq shumë në energjinë e pastër, sa nuk mund të ketë kthim mbrapa, duke shtuar se vazhdojnë përpjekjet për dhënien fund të ndotjeve të shkaktuara nga çlirimi i dioksidit të karbonit. Deklarata e zotit Kerry vjen në prag të takimit në Japoni të 7 vendeve më të industrializuara të botës. Ndër temat kryesore të takimit është edhe energjia e ripërtrishme dhe mbrojtja e mjedisit. Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit ka bërë thirrje për standarte të reja për të eleminuar ndotjet që shkaktojnë makinat. Propozimet cilësohen si disa prej kufizimet më agresive në historinë e vendit, duke vënë objektivin tek shtimi i prodhimit të makinave elektrike. Materiali në vazhdim tregon se çfarë ndikimi do të ketë tek konsumatorët plani i ri.

Alex Brown ka dhjetë vite që zotëron një makinë elektrike.

Pasioni i Brown për makinat elektrike rrjedh nga dëshira e tij për të luftuar ndryshimet mjedisore.

“Kur lindi fëmija i parë dhe sapo kisha blerë shtëpinë e re fillova të mendoja për të ardhmen e tij dhe isha vërtetë i shqetësuar për mjedisin”, tha Alex Brown që është edhe nënkryetar i Shoqatës së Makinave Elektrike në shtetin Nju Xhersi.

Disa ditë më parë, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit njoftoi synimin e saj për të vënë kufizime në sasinë e ndotjes që çlirojnë makinat dhe kamionët në Shtetet e Bashkuara. Synimi është përmirësimi i cilësisë së ajrit në të gjithë vendin.

Administrata e Presidentit Joe Biden pretendon se propozimet do të eleminojnë gati 10 miliardë ton emetime të dioksidit të karbonit, sasi kjo e barabartë me mbi dyfishin e emetimeve të gazeve gjatë vitit 2022.

“Mendoj se është lëvizje në drejtimin e duhur. Është turp që nuk kemi bërë më shumë”, tha më tej Brown.

Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) vlerëson se deri në vitin 2032 rreth 67% e tregut të makinave të reja duhet të jenë elekrike

Aktualisht makinat elektrike zënë rreth 7% të tregut.

“Është qëllim ambicioz, por ne kemi nevojë për këto lloj vendimesh të mëdha e të guximshme për të trajtuar krizën e ndryshimeve mjedisore”, thotë Eric Verhoogen, profesor në Universitetin Columbia në Nju Jork.

Në vendet e BE-së dhe në Kinë, makinat elektrike përbëjnë mbi 20 për qind të tregut, sipas hulumtimit të firmës “Counterpoint” dhe Komisionit Evropian.

“Kjo po ndodh në të gjithë globin. Nuk është se po ndodh vetëm në SHBA. Nëse i rezistoni ndryshimit, të tjerët do të përfitojnë nga kjo”, tha Pankaj, Lal, profesor në Universiteti Shtetëror Montclair.

Administrata e Presidentit Biden pretendon se amerikanët do të kursejnë mbi 1 trilion dollarë duke evituar blerjen e karburanteve, nëse propozimi miratohet. Mes optimizmit ka edhe shqetësime.

“Ka njëfarë pasigurie se si do të reagojë industria. A do të duan konsumatorët t’i blejnë këto makina? A do të ulen çmimet e tyre? A do të jenë të disponueshme mineralet për prodhimin e baterive të makinave elektrike? A do të ndërtohen stacionet e karikimit në numër të mjaftueshëm?”, thotë profesori Eric Verhoogen .

Ekspertët thonë gjithashtu se industria e automjeteve duhet të përshtatet me ndryshimet dhe krahun e punës. Një shqetësim tjetër është se mbi 60 për qind e energjisë elektrike në SHBA ende prodhohet nga lëndët djegëse fosile.

“Duhet të sigurohemi që furnizimi me energji elektrike të jetë i përballueshëm dhe gjithashtu nuk krijon probleme më të mëdha për mjedisin nga sa po përpiqet të zgjidh ky tranzicion. Pra, duhet siguruar që edhe prodhimi i energjisë elektrike të bëhet nga burime të padëmshme për mjedisin”, vlerëson më tej profesor Verhoogen.

Së fundmi, për herë të parë, burimet e padëmshme të prodhimit të energjisë elektrike e kanë tejkaluar qymyrin në prodhimin e energjisë elektrike në SHBA.

Alex Brown beson se e vetmja zgjidhje janë makinat elektrike.

“Unë besoj që do vijë koha kur do i kujtojmë makinat e vjetra me karburant dhe do të themi, ‘se ato mbajnë erë të keqe’ dhe do mendohemi se si njerëzit e kanë përballuar gjithë atë ndotje të ajrit në atë kohë?”, tha zoti Brown nga Shoqata e Makinave Elektrike të Nju Xhersit.

Rregullat e propozuara nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit lidhur me kufizimin e ndotjeve që çlirojnë makinat duhet t'i nënshtrohen një dëgjese publike përpara se të miratohen.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?