“Nuk kemi pasur asnjë depozitim për të diskutuar një çështje jashtë rendit të ditës. Dua t’u njoftoj që në ditët në vazhdim do të organizojmë takim me anëtarët e Superiores, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Do të diskutojmë me to për rikthimin e garës dhe aktiviteteve,”-u shpreh presidenti i FSHF-së Armando Duka.
Sot në orën 10 Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi në kushte të pazakonta Asamblenë e Përgjithshme, ku mbi të tjerat u lajmërua se në ditët në vijim përfaqësuesit e Superligës, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë, do të mblidhen për të votuar për rifillimin ose jo të futbollit nga aktorët e lojës, ndërkohë që kërkesa është në ministrinë e shëndetësisë.
Gjatë Asamblesë u morën edhe disa vendime si miratimi i projekbuxhetit të FSHF-së për 2020, mos ndryshimi i statusit për këtë vit, si dhe risi ishte krijimi i dy organeve të tjera të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve.
Në fjalën e tij 'online' presidenti i federatës Armando Duka, që sot foli për herë të parë nga zyrat e reja të federatës në Shtëpinë e Futbollit, bëri ironi edhe me qeverinë.
"E falënderojmë qeverinë për mbështetjen në disa investime që kemi bërë kohët e fundit, por e falënderojmë gjithashtu për injorimin në kohën e pandemisë, që nuk na mbështeti. Gjithashtu edhe për rifillimin e futbollit, ku në fillim nuk na dëgjoi,"-tha Duka.
Ndër të tjera Duka konfirmoi se është vonuar, por Kupa Mbarëkombëtare 'Nënë Tereza' me Kosovën është një projekt që do të finalizohet.