Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pranuar propozimin nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.
Lajmin e ka konfirmuar Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Kurti ka propozuar hartimin e një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare. Në propozimi thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.
Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ai ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.
“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit. Ky ligj në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, u shpreh Kryeziu.
Kujtojmë se veteranët e UÇK-së më 16 qershor të këtij viti kanë zhvilluar protesta në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale dhe mospërfshirjen e tyre.
Kujtojmë se gjatë muajt qershor, veteranët e luftës së UÇK-së protestuan për rritjen e pensionit të veteranëve në projektligjin për pagat minimale në të cilin ata nuk ishin të përfshirë.