Zhvlerësimi i monedhave të huaja kryesisht i euros dhe i dollarit, si dhe forcimi i lekut, pavarësisht se po kontribuojnë në mbajtjen e inflacionit në kontroll, po ndikojnë negativisht në arkën e shtetit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari në tetor të ardhurat doganore të mbledhura arritën në 179 miliardë lekë, 4.2 miliardë lekë më pak se 10 mujori 2022.
Ndikimi më i madh është dhënë reduktimi i të ardhurave që mblidhen nga TVSH-ja që paguhet për mallrat e importuara. Konkretisht në 10 muaj të ardhurat nga TVSH në import janë ulur me 8 miliardë lekë në krahasim me vjet, e në total janë arkëtuar 120.8 miliardë lekë. Po ashtu edhe arkëtimet nga akciza janë 88 milionë lekë më pak se plani i Ministrisë së Financave.
Shkaku kryesor është zhvlerësimi kryesisht i euros, pasi në momentin që çmimi i produktit konvertohet nga euro në lekë, vlera këtë vit është shumë herë më e ulët se vjet, e për pasojë edhe tatimi që paguhet është më i ulët.
Në kahun e kundërt janë të ardhurat tatimore që janë rritur me 39.7 miliardë lekë në krahasim me vjet, duke arritur në 463 miliardë lekë.
Kontributin më të madhe në këtë drejtim e ka dhënë reforma e pagave të sektorit publik, pasi janë mbledhur më shumë para nga kontributet shoqërore e shëndetësore. 17.6 miliardë lekë më shumë janë mbledhur nga kontributet, për të vijuar me 11.1 miliardë lekë më shumë nga tatimi mbi fitimin dhe 10.7 miliardë lekë plus nga tatimi i të ardhurave personale.
Ndërkohë vijon të japë kontribut pozitiv rritja e çmimeve, pasi të ardhurat nga TVSH u rritën me 8.2 miliardë lekë, ndikuar edhe nga konsumi i shtuar gjatë sezonit turistik. Në total në 10 muaj u mblodhën 530.6 miliardë Lekë rreth 54.4 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar.
Qeveri kriminale, vjedh valuten e huaj qe te uli borxhin e vjedhjes masive. Ushqimet nderkoh skandaloze.
Përgjigju