Zhvlerësimi i valutave uli borxhin e huaj! Ministria e Financave: Në fund të shtatorit borxhi publik zbriti në 55.4% të PBB-së

30 Tetor, 11:43| Përditesimi: 30 Tetor, 14:56

  • Share

Ditët e vështira për valutat të cilat janë më të dobëta se kurrë përballë lekut, kanë rezultuar ‘bekim’ për shlyerjen e borxhit të huaj. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se borxhi publik i vendit në fund të muajit shtator zbriti në 55.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 57.5% që ishte në fund të vitit 2023.

E përkthyer në vlerë borxhi i vendit përllogaritet në 13.6 miliardë euro, nga i cili 7.8 miliardë euro është borxh i marrë brenda në vend në monedhën kombëtare, dhe 5.8 miliardë euro është borxh i huaj, i marrë në valutë e kryesisht në euro.

Tkurrja e detyrimeve ka ardhur kryesisht tek borxhi i jashtëm, ku ndikim të konsiderueshëm ka dhënë zhvlerësimi i valutave. Sipas raportit të Ministrisë së Financave borxhi i jashtëm është ulur me 2.65% krahasuar me vitin e kaluar, pasi në dhjetor të 2023-shit borxhi i jashtëm ishte 26,2% ka zbritur në 23,55%.

Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulta se vjet. Konkretisht nëse një këst prej 100.000 euro vjet kushtonte 10.5 milionë lekë, këtë vit ky këst kushton 9.8 milionë lekë të reja. Praktikisht zhvlerësimi i valutave ka dhënë kontributin më të madh në uljen e borxhit të huaj.

Sa i takon përdorimit të borxhit dhe përqendrimit në sektorë të caktuar, rezulton që 5.4 miliardë euro janë mbështetje buxhetore, ndjekur nga 1.7 miliardë euro në sektorin e transportit, 1 miliardë euro në energji elektrike ndjekur më pas nga sektori i ujësjellës kanalizime me 560 milionë euro.

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË
Viti 2023                   57,50% të PBB
Shtator 2024            55,45% të PBB
Diferenca                 -2.05% të PBB
BORXHI PUBLIK SIPAS MONEDHËS
Borxhi i brendshëm    7.861 mln € ose 31,89% e PBB
Borxhi i jashtëm         5.804 mln € ose 23,55% e PBB
Borxhi në total           13.665 mln euro

E.Gj//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?