Zhvlerësimi i valutave, rënia e naftës në tregjet e huaja e fundi i koncesionit të markimit, ulin çmimin e karburantit 

12 Gusht, 21:16| Përditesimi: 12 Gusht, 21:20

  • Share

Çmimi i karburantit është ulur lehtë për herë të dytë brenda këtij viti. Nafta po tregtohet me pakicë nga 177 lekë deri në 179 lekë litri, nga 183-184 lekë/litri që është shitur që prej muajit maj të këtij viti. Kurse çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 60 lekë. Po ashtu është ulur lehtë edhe çmimi i benzinës, që në disa pika tregtohet me të njëjtin çmim si nafta, nga 184 lekë litri që ishte më parë. 

Përtej impaktit pozitiv që do të ketë në xhepin e konsumatorëve, rënia e çmimit të karburanteve mund të konsiderohet e vonuar pasi duhet të kishte ndodhur me herët si rezultat i zhvlerësimit të valutave dhe luhatjeve të vazhdueshme të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Javën e shkuar çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare zbriti në 75 dollarë fuçia, nga 83 dollarë që ishte në muajin maj. Rënia e fortë e javës së kaluar ndodhi në kushte të larta pasigurie dhe frike, se një recesion i mundshëm ekonomik mund të përfshijë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Nga ana tjetër nafta blihet në bursë me dollarë, monedhë e cila nga muaji maj deri më tani ka humbur 3 lekë, pasi nga 94 lekë në maj, tani një dollarë këmbehet me 91 lekë. Rënia është edhe më e fortë krahasuar me vjet kur 1 dollarë ishte 100 lekë. 

Kjo ulje e çmimit të karburantit me 4-5 lekë për litër ndodh në periudhën që përfundon zyrtarisht edhe koncesioni i markimit të karburanteve, i cili nga data 10 gusht ka kaluar tek Dogana, e cila do e ofrojë këtë shërbim pa pagesë. Koncesioni i markimit i ka kushtuar qytetarëve shqiptar për 11 vite në fuqi afro 55 milionë euro. Tarifa e markimit ka qenë 1 lekë për çdo litër karburant.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?