Një koncert mjaft i veçantë ka qenë ai i mbrëmjes së kësaj të enjteje në Tiranë nga Zifras Armonikas nga Spanja. Pjesë e “Vox Baroque”, që këtë vit shënon edicionin e tij të XII-të, publiku i apasionuar mundi të shijojë një mbrëmje nën tingujt e muzikës antike që udhëton nëpër kohë dhe kultura.
“Këtë vit i jemi dedikuar totalisht muzikës mesdhetare mesjetare. Në vitet e kaluara kemi prekur pak vepra ose pjesë të ndryshme të kësaj periudhe, kurse këtë vit, të gjashtë netët i janë dedikuar kësaj muzike para barokut.”, - thotë për "Report TV", Jusuf Beshiri, themelues i festivalit.
E veçanta e koncertit në Tiranë ishte interpretimi me harpën spanjolle, një instrument me të cilin luajnë vetëm pesë apo gjashtë artistë në të gjithë botën.
“Mund t’ju them që janë 5-6 instrumentistë që e luajnë këtë instrument. Kjo harpë nuk është si harpa baroke apo çeltika. Harpa spanjolle është tepër e veçantë.”, - vëren Beshiri.
Festivali “Vox Baroque” është çelur më 28 qershor e do të vijojë deri më 12 korrik. Ansamblet nga Greqia, Spanja dhe Italia do të udhëtojnë në qytetet Korçë, Shipskë, Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Festivali sjell magjinë e muzikës baroke dhe antike mesdhetare në qytete të ndryshme të vendit. Mbrëmjen e së shtunës, koncerti do të mbahet në hapësirën e torrës veneciane në Durrës.
Komente
