Tiranë/ Zjarr gjatë natës në një azil privat në rrugën 'Ali Visha', 4 të moshuar në spital! VIDEO kur shpëtohen nga policia

5 Tetor, 07:36| Përditesimi: 5 Tetor, 15:44

  • Share

 

Zjarri ka rënë rreth orës 00:15, ndërsa mësohet se 4 të moshuar kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Kanë qenë forcat policiore që u kanë ardhur në ndihmë, ndërsa në video dallohet edhe momenti kur policët nxjerrin të shpëtuarit nga azili.

Për Report Tv, foli edhe e afërmja e një të moshuari, e cila thotë se përgjegjësit e azilit u kanë thënë se shkak për flakët është bërë kondicioneri.

“Është i sëmurë me parkinson. Si duket është trondiur, nga zhurma, tymi, është tek Ushtaraku. Ne erdhëm për ta takuar, ca do thonë ata. Ka shpërthyer kondicioneri. Kishte 5 muaj që qëndronte këtu”, tregon ajo.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e detajeve.

Ora 09:50
Azili në Tiranë përfshihet nga flakët, 4 të moshuar në spital! Policia ndihmoi në evakuimin e banorëve! VIDEO

Një godinë që funksiononte si azil për të moshuarit në rrugën “Ali Visha” në Tiranë është përfshirë nga flakët pak pas mesnatës së mbrëmshme.

Mësohet se 4 të moshuar janë dërguar në spital ku po marrin mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Më datë 05.10.2024, rreth orës 00:15, Policia ka marrë njoftim se në një azil në rrugën "Ali Visha", kishte rënë zjarr dhe të moshuarit që akomodohen në ambientet e azilit, kishin mbetur të bllokuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bashkë me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën’ informoi sot në mëngjes policia e Tiranës.  

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?