Kronikë

Zjarr në Zvërnec, rrezikohen banesat! Forca zjarrfikëse, ujësjellësi dhe banorët në terren për shuarjen e flakëve (VIDEO)

25 Qershor, 12:54| Përditesimi: 25 Qershor, 13:00

  • Share

 

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe shkurre në zonën e Zvërnecit, në qytetin e Vlorës. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe disa banesa që ndodhen në afërsi të zonës së zjarrit.

Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse me tre automjete, të cilat po punojnë intensivisht për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe zonave të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në ndihmë të zjarrfikësve ka shkuar edhe një automjet i ujësjellësit, i cili po ndihmon në furnizimin me ujë të forcave në terren.

Po ashtu, banorë të zonës i janë bashkuar përpjekjeve për të lokalizuar flakët dhe për të mbrojtur pronat dhe banesat e tyre. Ata po punojnë me mjete rrethanore për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit deri në momentin që situata të vihet nën kontroll.

Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende, por dyshohet se mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, një fenomen që, fatkeqësisht, është përsëritur në disa zona të bregdetit dhe të pyjeve në jug të vendit gjatë ditëve të fundit.

Aktualisht, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë, ndërsa autoritetet lokale dhe emergjencat civile bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, duke kërkuar nga qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të papërgjegjshme që mund të përkeqësojnë situatën.


Lajmi kryesor:

Zjarret në vend, Emergjencat Civile: Shuhen vatrat problematike në Pilur dhe Kukës


H.K/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?