Vatra zjarri aktive në 5 qarqe të vendit, rrezikohen banesa! Flakët në krah të autostradës Lezhë-Milot! Vështirësi në qarkullimin e mjeteve (VIDEO)

18 Korrik 2022, 13:58| Përditesimi: 18 Korrik 2022, 23:00

  • Share

Disa vatra zjarri janë aktive në vendin tonë, por pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse flakët po favorizohet nga era. Situata më problematike paraqitet në Shkodër dhe Lezhë, ku rrezikohen banesa.

Zjarri i rënë në masivin pyjor në dalje të qytetit të Lezhës, ka depërtuar edhe në pjesën e lagjes “Nënë Tereza”. Report Tv mëson se rrezikohet një biznes dhe disa banesa. Favorizuar nga bimësia e dendur, flakët janë përhapur në disa drejtime. Në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës kanë shkuar edhe ato të Kurbinit, Mirditës, Vaut të Dejës dhe Shkodrës që po punojnë për vënien në kontroll të flakëve me qëllim shmangien e rrezikut për zonën e banuar.

Vatra të tjera zjarri janë aktivizuar në dy anët e rrugës përgjatë aksit Lezhë-Milot. Janë përfshirë nga flakët shkurre dhe bimësi pranë fshatit Markatomaj. Flakët kanë vështirësuar dhe lëvizjen e automjeteve përgjatë aksit.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe pushtetit vendor ka bërë të mundur shmangien e rrezikut për banesat duke vënë nën kontroll flakët në një vatër zjarri, në një sipërfaqe me bimësi të thatë dhe pisha në shpatin e malit në kthesën e Balldrenit, në Lezhë.

Aktualisht në të gjithë vendin ka vatra aktive zjarri në 5 qarqe. Tre vatra zjarri janë raportuar në Shkodër, një në fshatin Juban ku forcat zjarrfikëse po punojnë për të shmangur rrezikun nga banesat aty pranë. Ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve edhe në dy vatrat e tjera në Velipojë dhe Oblikë.

Era e fortë ka rënduar situatën në fshatin Bizë, në Durrës ku u aktivizua një vatër zjarri në një sipërfaqe pylli me pisha dhe shkurre, që ka vënë në rrezik edhe banesat. Në vendngjarje po punohet nga 7 mjete zjarrfikëse nga Durrësi, Shijaku, Autoriteti Portual dhe bashkia Kamëz. Gjatë paradites u aktivizua një vatër zjarri në një sipërfaqe me pisha në “Makaresh”, sipër fabrikës së çimentos në zonën e Krastës në Krujë. Po punohet në një terren të vështirë dhe ndërhyrja me mjete është e pamundur, ndërsa në mbështetje shkoi edhe një zjarrfikëse nga Tirana.

Puna po vijon për shuarjen e vatrave të tjera në fshatin Ishëm, ku u riaktivizua një vatër e fikur ditën e djeshme, në fshatin Kullë në Manzë, pranë kampit të Muxhahedinëve është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, në lagjen Nr-18, në Durrës si dhe në qytetin e Krujës ku është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi.

Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se është bërë izolimi i njërës prej vatrave në një sipërfaqe pyjore me pisha, në fshatin Lgjin dhe vijon puna për izolimin e plotë të saj. Ka një përmirësim të ndjeshëm situata në fshatin Qesarat të Finiqit, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe bimësi e ulët. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të Shërbimit Pyjor, vullnetarë dhe një grup prej 20 personash nga bashkia.

Dy vatra zjarri janë aktivizuar në fshatin Plug në Golem të Lushnjës dhe në lagjen Matkë në Rroskovec. Për izolimin e të dyjave po punohet nga forcat zjarrfikëse.

Ora 21:54
Zjarret në vend, Ministria: Vatra aktive në 5 qarqe, në Shkodër e në Bizë të Durrësit situata më e rënduar, rrezikohen banesa

1658174306_lezhezjarr.png

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për zjarret në vend. Ministria njofton se aktualisht zjarre ka në 5 qarqe të vendit, në Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier e Shkodër. Sipas njoftimit, situata me flakët është rëduar në fshatin Bizë të Durrësit, ku në rrezik janë banesat. Aktualisht po punojnë 7 zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.

E rënduar paraqitet situata edhe në Shkodër, ku banesat rrezikohen nga flakët. Ndërkohë në Krastë të Krujës, ku është aktivizuar sërish vatra e zjarrit, zjarrfikësit nuk futen sot për shkak të terrenit të vështirë.

“Gjatë ditës së sotme janë raportuar zjarre në 5 qarqe të vendit, Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier e Shkodër. Nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes civile po vijon puna për shuarjen e tyre me forca e mjete nga zjarrfikësit, efektivë të Forcave të Armatosura aty ku është kërkuar mbështetja e tyre si dhe forca të policisë, vullnetarë e punonjës të pushtetit vendor. Ndërhyrja e shpejtë e efektivëve të FA, forcave zjarrfikëse dhe atyre të pushtetit vendor ka bërë të mundur shmangien e rrezikut për banesat duke vënë nën kontroll flakët në një vatër zjarri, në një sipërfaqe me bimësi të thatë dhe pisha në shpatin e malit në kthesën e Balldrenit, në Lezhë. Aktualisht po punohet në të gjitha drejtimet për izolimin e plotë të vatrës.

Sipas informacioneve të marra është bërë izolimi i njërës prej vatrave në një sipërfaqe pyjore me pisha, në fshatin Lgjin, në njësinë administrative Orosh, në Mirditë. Por, po vijon puna për izolimin e plotë të saj. Ka një përmirësim të ndjeshëm situata në fshatin Qesarat, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, ku zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, kullotë dhe bimësi e ulët. Zjarri ka rënë në afërsi të malit të Qesaratit në një terren të thepisur dhe me formacion shkëmbor. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të Shërbimit Pyjor, vullnetarë, ndërsa në mbështetje të  forcave që ndodhen në terren për shuarjen e zjarrit kanë shkuar edhe një grup prej 20 personash nga bashkia.

Paraditen e sotme është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pisha në vendin e quajtur “Makaresh”, sipër fabrikës së çimentos, zona e Krastës, bashkia Krujë. Po punohet në një terren të vështirë, që pamundëson ndërhyrjen me forca dhe mjete. Në mbështetje ka shkuar edhe një zjarrfikëse nga Tirana. Era e fortë ka rënduar situatën në fshatin Bizë, njësia administrative Ishëm, në Durrës ku është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pylli me pisha dhe shkurre, që ka vënë në rrezik edhe banesat. Në vendngjarje po punohet nga 7 mjete zjarrfikëse me efektivët përkatëse nga MZSH Durrës, Shijak, Autoriteti Portual dhe bashkia Kamëz.

Puna po vijon për shuarjen e vatrave të tjera në fshatin Ishëm, ku u riaktivizua një vatër e fikur ditën e djeshme, në fshatin Kullë në Manzë, pranë kampit të Muxhahedinëve është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, në lagjen Nr-18, në Durrës si dhe në qytetin e Krujës ku është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi.

Dy vatra zjarri janë aktivizuar në fshatin Plug në Golem të Lushnjes dhe në lagjen Matkë në qytetin e Rroskovecit. Për izolimin e të dyjave po punohet nga forcat zjarrfikëse. Tre vatra zjarri janë raportuar në qarkun e Shkodrës gjatë ditës së sotme, një në fshatin Juban, në njësinë administrative Guri Zi, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për të shmangur rrezikun nga banesat aty pranë. Ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve edhe në dy vatrat e tjera në fshatin Velipojë dhe fshatin Oblikë”, njofton ministria.

Ora 20:02
Krujë/ Zjarrfikësit në Krastë në betejë me flakët që prej paradites, zjarri përparon në disa zona

 

Zjarri është ende aktiv në Krastën e Krujës ndërsa deri në ëto momente janë djegur dhjetëra hektarë. Që prej paradites së sotme, ende nuk janë shuar flakët ndonëse janë angazhuar dy grupe zjarrfikësish.

Zjarri ka përparuar në disa zona ku ndërhyrja me mjete është e pamundur dhe në zonën e mbuluar nga flakët ka patur shpërthime municionesh si duket të fshehura prej kohësh.

Ora 19:54
Përfshihet nga flakët masivi pyjor në autostradën Lezhë-Shkodër, zjarri shumë pranë banesave

Një tjetër zjarr i madh është aktivizuar në Lezhë. Flakët kanë përfshirë masivin pyjor në periferi të qytetit përgjatë autostradës Lezhë-Shkodër. Nga zjarri po rrezikohen disa banesa, ndërsa zjarrfikës dhe banorë janë në luftë me flakët të cilat janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime.

Ora 19:45
Zjarr në Lezhë, rrezikohen disa banesa të fshatit Piranj

Një zjarr i madh në fshatin Piraj të Lezhës ka përfshirë linjën hekurudhore. Deri tani janë shkrumbuar traversat prej druri në një gjatësi prej 500 metrash. Në rrezik janë dhe disa banesa në këtë fshat pasi era ka favorizuar flakët duke i përhapur në disa drejtime.

Në terren ndodhen zjarrfikësit, të cilët të ndihmuar nga banorë të zonës po punojnë për shuarjen e flakëve.

 

Ora 16:42
Nuk gjen qetësi fusha e Myzeqesë! Digjet tokat bujqësore, nuk i shpëtojnë flakëve as stanet

 

Gjatë ditës së sotme janë djegur tokat bujqësore, hamulloret dhe parcelat me jonxhe në fushat e Myzeqesë. Mbi 15 vatra zjarri në zonën midis Plukut dhe Grabianit kanë djegur çfarë kanë gjetur përpara ndërsa janë favorizuar edhe nga era.

Në këto fusha ka një numër të konsiderueshme stanesh me bagëti të imëta si dhe gjesh. As stanet nuk i kanë shpëtuar flakëve të zjarreve dhe disa prej tyre janë djegur totalisht ndërsa shumica kanë shpëtuar. Barinjtë janë kujdesur të largojnë bagetitë ndërsa stanet dhe bazat ushqimore janë djegur plotësisht.  

Zjarrfikëset e Lushnjes dhe Divjakës kanë ndërhyrë me mjetet e tyre por nuk kanë izoluar dot flakët për shkak të vatrave të shumta dhe faktit që zjarret përhapeshin prej flakëve.

Së fundmi zjarrfikësit janë përqendruar në afërsi të staneve që rrezikojnë djegien por edhe bizneseve në drufrutore dhe sera për të mos lejuar përfshirjen e tyre nga flakët.

Ora 15:27
Përfshihet nga flakët një sipërfaqe me shkurre në Fushë Bizë, pranë Gjirit të Lalzit, rrezikohen 10 banesa  

 

Një zjarr i madh ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre e bimë të ndryshme në Fushë Bizë, afër Gjirit të Lalzit. Sipas banorëve zjarri rrezikon 10 banesa dhe flaket janë rreth 100 metra larg banesës së parë. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset e Durrësit.

Ora 15:01
Zjarr në zonën e Peshtanit në Fier! Digjen tokë me të mbjella me ullinj e hapësira të tjera

 

Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka rënë pas mesditës së kësaj të hëne në zonën e Peshtanit në Fier. 

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderishme toke  të mbjellë me ullinj, dru frutorë si dhe hapësira të mbjella me drithëra. Nga zjarri rrezikohet edhe një stallë me bagëtish e cila ndodhet fare pranë.  

3 mjete zjarrfikëse të Fierit dhe gjithë efektivët e këtij reparti janë në luftë me flakët.

 Në ndihmë të zjarrfikësve në terren janë shpërndarë edhe banorë të zonës, e ndërsa mësohet se kanë qenë këta të fundit kë kanë njoftuar për shpërthimin e flakëve. 

E ndërsa zjarri favorizohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë, shkaqet e tij nuk dihen ende.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • tani: 19/07/2022 00:46

    SHQIPERIA DIGJET,,,EDI RAMA KRIHET NE BRUKSEL,,,,..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?