Berat- Një vatër zjarri ra sot (11 korrik) në fshatin Malas-Gropë të Njësisë Administrative Kutalli, në Bashkinë Dimal të qarkut Berat.
Zjarri ishte shumë pranë banesave të zonës, kurse vatra po vihet nën kontroll nga efektivët e angazhuar të zjarrëfikëseve të Dimalit, Beratit, Kuçovës, Fierit dhe Lushnjës.
Zjarri ka nisur në ferrat dhe barishtet në anë të rrugës së fshatit, por i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, përparoi me shpjetësi drejt kodrave me ullinj. Drejt zjarrit janë nisur 2 mjete zjarrëfikëse nga Berati, 1 mjet nga Kuçova, 1 nga Dimali dhe 3 mjete zjarrëfikëse nga Fieri e Lushnja.
25 zjarrëfikës në total janë duke luftuar me flakët, me mjete rrethanore, pasi drejt kodrave me ullishte nuk ka rrugë makinash për të mundësuar futjen e mjeteve zjarrëfikëse drejt zonës. Ndërkohë që në ndihmë të zjarrëfikësve kanë shkuar edhe banorët.
Zjarri ka shkrumbuar mjaft hektarë me ullinj, ndërkohë që është shmangur përhapja drejt banesave të zonës. Ende ka vatra të nxehta në zonë, të cilat po mbahen nën vëzhgim, ndërkohë që ende nuk dihet sesa hektarë ullinj janë djegur dhe nëse zjarri ka qënë i qëllimshëm apo jo.
Komente
