FUSHË-KRUJË- Një sipërfaqe e mbjellë me pemë frutore në fshatin Derven në Fushë-Krujë është përfshirë nga flakët.
Flakët e favorizuara nga era i janë afruar banesave,po ndërhyrja në kohë nga ana e zjarrfikëses ka bërë lokalizimin e tyre dhe ka evituar dëmet në banesa. Ndërkohë sipërfaqja e mbjellë me pemë frutore rreth një hektar është djegur. Po ashtu një pjesë e hekurudhës Durrës- Fabrika e çimentos është përfshirë nga flakët dhe për pasojë është djegur një gjatësi rreth 300 metra hekurudhë.
Sipas zjarrfikëse, vënia e zjarreve është e qëllimshme nga banorë të zonës të cilët i vënë për të pastruar sipërfaqet nga shkurret e ferrat por zjarret kanë dalë jashtë kontrollit. Zjarri në Derven vijon ende dhe nuk është shuar. Gjatë këtyre dy muajve janë regjistruar me dhjetëra zjarre të tillë. Kujtojmë se ditën e djeshme, një vatër zjarri ka përfshirë fshatin Nikel në Fushë-Krujë, i cili dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm.