Kronikë

Zjarr i madh në fshatin Hudënisht të Pogradecit, shuhet pas dy orësh luftë me flakët në terren të vështirë (VIDEO)

11 Korrik, 14:04| Përditesimi: 11 Korrik, 15:57

  • Share

Pogradec- Një vatër zjarri u aktivizua ditën e sotme në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha mbi fshatin Udënisht të Pogradecit, duke rrezikuar përhapjen në një masiv pyjor të konsiderueshëm.

Flakët u favorizuan nga era dhe terreni i thyer malor, ç’ka e bëri ndërhyrjen të vështirë dhe vetëm nga toka.

Në vendngjarje u angazhuan menjëherë rreth 20 forca të shërbimit zjarrfikës të Pogradecit, punonjës të AdZM-së, të Njësisë Administrative, si dhe punonjës të shërbimit Pyjor dhe Gjelbërimit, të cilët bënë të mundur izolimin e flakëve në dy krahë, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Pas rreth dy orësh përpjekjesh intensive, vatra u neutralizua plotësisht, duke shmangur dëme të mëdha në kurorën pyjore të zonës. Gjithsesi po kryhet monitorim për të mos pasur riaktivizim të vatrës.

Zjarri përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe pisha, ndërsa terreni i pakalueshëm bëri të pamundur përdorimin e mjeteve të rënda, duke e lënë ndërhyrjen vetëm në dorën e forcave të angazhuara nga toka.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve dhe vizitorëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta dhe erëra, që rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve.

Xh.K/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?