Shuhet përfundimisht zjarri në Malin e Gjerë. Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës me në krye komandant Gramoz Llapin në 12 orët e fundit në luftë me flakët e zjarrit në kushte tërësisht të pafavorshme, arritën të shuanin të katërta vatrat e zjarrit në Malin e Gjerë që po luftoheshin prej orëve të para të mëngjesit.
Aktualisht këto vatra janë të fikura. Në dy prej tyre vijojnë të digjen ende trungje të thata në sipërfaqe të djegur.
Drejtoria PMZSH Bashkia Gjirokastër në orën 04.30 u nis për të ndërhyrë në shuarjen e vatrave të zjarrit që ndodhen në shpatin e Malit të Gjerë, të cilat po përparonin drejt qytetit të Gjirokastrës.
Pas 3 orë e 30 minuta rruge me këmbë duke u ngjitur në shpatin e Malit te Gjere, zjarrfikësit e Gjirokastrës dhe forca vullnetare filluan ndërhyrjen me mjete rrethanore pre shuarjen e vatrave të zjarrit. Në vendngjarje u konstatuan 4 vatra zjarri.
Më shumë se 11 forca zjarrfikëse të Gjirokastrës, 34 forca vullnetare të Bashkisë Gjirokastër dhe 50 forca te ushtrisë u angazhuan fillimisht në orët e para të mëngjesit në këtë aksion në shkallë të gjerë. Ne krye të këtij aksioni ishte vënë drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikësve të Shqipërisë Arben Cara.