Një sipërfaqe prej rreth 5 ha me shkurre, ferra dhe të mbjella është përfshirë nga flakët pak minuta më parë në lagjen "Uznovë" në Berat. Zjarri ka shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderushme me shkurre, ferra e të mbjella dhe i favorizuar nga era është përhapur me shpejtësi në drejtim të banesave të lagjes ku më së shumti jetojnë familjet e komunitetit rom.
Mendohet se zjarri ka qënë i qëllimshëm dhe është vënë fillimisht në përroin e Zagores që për momentin nuk ka ujë dhe është i mbuluar me shkurre. Më pas era ka favorizuar flakët dhe i ka përhapur drejt tokave me të mbjella e banesave përreth.
Kanë qënë banorët e lagjes ata që kanë lajmëruar zjarrëfikësen e cila mbërriti shpejt në vendngjarje. Efektivët e repartit të shpëtimit nga zjarri kanë lokalizuar në një kohë të shkurtër flakët dhe kanë mundësuar fikjen e vatrave të zjarrit që po i afroheshin banesave, ndërkohë që banorët kishin dalë të gjithë jashtë nga frika.
Burime nga policia e Beratit bëjnë me dije se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrëvënies, ndërkohë që paraprakisht raportohet se janë përfshirë nga flakët rreth 5 ha me shkurrë, ferra e të mbjella. Mjaft zjarre janë raportuar si zjarre të qëllimshme e të vendosura nga dora e njeriut gjatë 4-muajve të fundit në qarkun e Beratit, por vetëm disa prej autorëve të këtyre zjarreve janë prangosur.
Lajmi kryesor:
Zjarr në fushën e mbetjeve në Patos, flakët përhapen edhe në kodrën ngjitur me ullishte
//ReportTv.al