Kronikë

Mbetet aktive vatra e zjarrit në Vernik të Devollit, procedohet 79-vjeçari që e shkaktoi! Grupet në terren, u rrezikua përhapja e vatrës në kufi (VIDEO)

21 Korrik, 07:09| Përditesimi: 21 Korrik, 12:12

  • Share

Vatra e zjarrit në fshatin Vernik të Devollit është ende aktive. Prefektura e qarkut Korçë bën me dije se zjarri shpërtheu dje në territorin e gjelbër pranë fshatit Vernik, dhe u përhap pranë pikës doganore. 

Ndërkohë që sot (21 korrik) Policia vendore njoftoi se ka zbuluar pas hetimeve edhe dinamikën dhe autorin e kësaj zjarrvënieje aksidentale, që është një i moshuar i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë.

"Nisi procedimi dhe u referuan materialet në Prokurori për V. A., 79 vjeç, banues në fshatin Vërnik, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, nga pakujdesia, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi", njoftoi policia.

Uniformat blu gjithashtu morën nën hetim edhe dy persona të tjerë për zjarre aksidentale në Korçë.

"U proceduan E. B., 28 vjeç, banues në fshatin Dishnicë (me probleme të shëndetit mendor), pasi dyshohet se ka ndezur zjarr dhe si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi;  M. Q., 75 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbetje dhe si pasojë është shkaktuar ndotje e ajrit", tha policia. 

Kurse për situatën e zjarrit në Vërnik po shqyrtohet mundësia e ndihmës nga pala greke për ndërhyrje ajrore, me të cilën autoritetet shqiptare janë në kontakt. Edhe vatra e zjarrit në fshatin Dishnicë në bashkinë Korçë paraqitet me intensitet të ulët. 

"Do të vlerësohet gjatë orëve në vijim nëse do aktivizohet ndihma e palës greke me një ndërhyrje nga ajri nga rajoni fqinj grek, me të cilët po mbajmë komunikimin e nevojshëm.", njofton prefektura. 

Për neutralizimin e flakëve të zjarrit në Vernik u angazhuan rreth 48 forca nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe vullnetarë, të cilët kanë punuar gjatë ditës dhe natës.

Në gatishmëri u vunë edhe 3 mjete me efektivë nga bashkitë Korçë, Maliq e Pustec, për të garantuar sigurimin e perimetrit të objekteve pranë.


Lajmi kryesor:

Vlorë/ Vijon zjarri në malin e Dukatit, po punohet për të shmangur përhapjen e flakëve drejt parkut të Llogarasë! Pritet edhe ndërhyrja nga ajri


Xh.D/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?