Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në mëngjes në pyllin e Eshtaolit, në zonën malore në perëndim të Jeruzalemit. Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit dhe rrezikut që ai të dalë jashtë kontrollit, autoritetet izraelite kanë shpallur gjendjen e emergjencës.
Grupi palestinez Hamas ka publikuar një mesazh në Telegram ku u bën thirrje palestinezëve që të “djegin gjithçka që munden – pyje, male dhe shtëpitë e kolonëve izraelitë”.
Në të njëjtin mesazh thuhet se të rinjtë palestinezë në Bregun Perëndimor, në Jeruzalem dhe brenda Izraelit kanë djegur makinat e tyre si akt proteste, dhe se Gaza “pret hakmarrjen e të lirëve”.
Në rrjetet sociale, zjarret janë quajtur “Flakët e Përmbytjes”, një referencë ndaj emrit “Përmbytja e Al-Aqsas” që Hamasi përdori për sulmin e 7 tetorit. Një kanal lajmesh palestinez, Akhbar Filastin, ka bërë thirrje që të rinjtë në Bregun Perëndimor të djegin shtëpitë e kolonëve dhe të ndezin barin përreth vendbanimeve izraelite me kokteje molotov.
Edhe një tjetër kanal, Jenin Neës, i ka bërë thirrje të rinjve që të djegin pyjet pranë tokave të pushtuara, duke e quajtur zjarrin “një mundësi për t’i dëmtuar izraelitët”.
Sipas mediave izraelite, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në zonën e Jeruzalemit. Këta zjarre besohet se kanë lidhje me flakët që po përhapen në pjesën qendrore të Izraelit.
Shumë ekipe zjarrfikësish po punojnë për të ndaluar përhapjen e flakëve, por përpjekjet po vështirësohen nga era e fortë dhe temperaturat e larta që janë rritur papritur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se avionë nga Italia dhe Kroacia do të mbërrijnë së shpejti për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve./ Përshtatur nga La Repubblica
Komente
