Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka reaguar ndaj vatrave të zjarrit që janë ndezur sërish dhe në mënyrë të qëllimshme nga njerëzit duke dëmtuar kështu sipërfaqe të mëdha pyjore si dhe kërcënuar banesa e objekte të ndryshme që ndodhen pranë këtyre vatrave të zjarrit.
Xhaçka shkruan se janë me dhjetarë efektivë të Forcave të Armatosura që po 'luftojnë' me flakët në 8 qarqe të vendin, si Fier, Shkodër, Vlorë, Lezhë, Tiranë, Vlorë etj. Angazhimi i Forcave të Armatosura ka ardhur si nga toka dhe nga ajri, në rastet kur pushteti vendori ka ezauruar të gjithë kapacitetin me njerëz e mjete që disponon.
Xhaçka nuk ka nguruar të paralajmërojë të gjithë ata individë që vendosin qëllimisht zjarrin duke u thënë se Ligji “Për mbrojtjen Civile” nuk ka për t’i kursyer dhe se do të përgjigjen para ligjit për veprimet e tyre të papqërgjegjshme.
"Flakët e shkaktuara nga dora e njeriut më shumë sesa nga temperaturat e larta, kanë prekur sipërfaqe të tëra me pyje e kullota në 8 qarqe të vendit. Dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me mjetet e veshjet e posaçme kundër zjarreve janë angazhuar në disa operacione në Fier, Shkodër, Vlorë, Tiranë, Lezhë etj, ditë e natë, për shuarjen e zjarreve që fatmirësisht nuk kanë cenuar sigurinë e banorëve në këto zona. Angazhimi i FA nga toka e ajri do të jetë i pakursyer në të gjitha rastet kur, sipas ligjit, pushteti vendor ka ezauruar të gjithë kapacitetin me njerëz e mjete. Ligji “Për mbrojtjen Civile”, të cilin e kemi miratuar një vit më parë e që përben një prej elementëve më të rëndësishëm të reformës në fushën e emergjencave civile, nuk kursen as pushtetin vendor në rast se nuk i përgjigjet situatave të emergjencës, por as individët që i vënë zjarrin kullotave e pyjave, duke shkaktuar miliona lekë dëm të pasurisë kombëtare", shkruan Xhaçka.
Komente
