Gjatë 24 orëve të fundit Emergjencat Civile raportojnë për 5 vatra zjarri. Aktualisht në të gjithë vendin vetëm 3 prej tyre janë aktive, ndërsa 2 të tjera po mbahen në monitorim.
Situata Parkun Natyror Gërmenj paraqitet më e qetë edhe për shkak të reshjeve të rëna pasditen e djeshme, por vatra mbetet ende aktive dhe forcat operacionale po punojnë për shuarjen e saj.
Vatra e zjarrit në Malin e Bërzhitës në fshatrat Ibë dhe Durisht të njësive administrative Bërzhitë dhe Petrelë ndodhet në një terren shumë të largët dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka. Aktualisht, nuk përbën rrezik për banesat apo zonën pyjore.
Zjarri i nisur më datë 10 gusht në fshatrat Damjan dhe Isufaj të Tiranës dhe i përhapur prej datës 13 gusht edhe në zonën e Pezë - Helmës, vijon të jetë aktiv në disa vatra të minimizuara, por që po mbahen nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare.
Ndërkohë, nën monitorim po mbahet vatra e zjarrit në Ternovë të Bulqizës nga 7 efektiv te MZSH për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi nga djegia e trungjeve të thatë brenda vatrës.
Situata vijon të monitorohet në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit në bashkinë Fushë-Arrëz. Gjatë orëve të mëngjesit është bërë rivlerësimi i situatës dhe aktualisht po punohet për të parë nëse ka vatra aktive, si dhe për izolimin e cungjeve që vijojnë të digjen. Në terren janë angazhuar 50 forca të FA, të cilat janë shpërndarë në dy grupe me qëllim vendosjen nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit. Momentalisht, situata është e qetë dhe flakët janë shuar, por puna po vijon për të garantuar izolimin e plotë të vatrës.
Lajmi kryesor:
Dy vatra zjarri në Vlorë/ Në flakë fusha e mbetjeve, rrezikohen banesat në Selenicë! Nis ndërhyrja me helikopter (VIDEO)
SI.E./S.B/ReportTv.al