Politikë

Zjarret/ Blushi i PL akuzon Qeverinë dhe propozon 3 nisma: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe të mblidhet Këshilli i Sigurisë

13 Gusht, 15:22| Përditesimi: 13 Gusht, 15:34

  • Share

Partia e Lirisë fajëson masat e munguara dhe korrupsionin e Qeverisë për situatën e zjarreve. Mungesa e një buxheti të duhur dhe logjistikës janë shkaqet kryesore, teksa bëhen edhe propozime për 3 nisma urgjente.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ai që doli sot në një deklaratë për mediat lidhur me gjendjen e shkaktuar nga zjarret ditët e fundit.

Blushi shprehet se “piromani i Shqipërisë është kryeministri Edi Rama”, teksa fajëson korrupsionin zyrtar për gjendjen dhe pasojat e zjarreve. Si nismë të tretë propozon që t’i adresohemi Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane

Deklarata e plotë e Tedi Blushit:

“Prej javësh, Shqipëria po digjet në të katër anët e saj për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë kriminale të Qeverisë, që me dashje nuk ka marrë asnjë masë efektive për të parandaluar në kohë dëmet kolosale në pasuritë publike dhe private të shqiptarëve.

Mijëra hektarë pyje, kullota, pemishte, dhjetëra banesa të djegura dhe qytetarë të plagosur në luftë me flakët është bilanci tragjik i braktisjes pa mëshirë të qytetarëve nga shteti që lufton sot me flakët me mjete rrethanore, për shkak se nuk ka pasur kurrë vullnetin për të çliruar fondet e domosdoshme për mbrojtjen dhe emergjencat civile, duke i kanalizuar ato drejt PPP-ve, koncesioneve dhe mijëra tenderave sekretë për t’i vjedhur.

Piromani i Shqipërisë është Edi Rama.

Me vetëm 21 milionë euro buxhet vjetor për mbrojtjen nga zjarri, aq sa shpenzon në vit Edi Rama vetëm për udhëtimet dhe vakancat e dyshimta me charter privat është tallje me shqiptarët, pronat dhe pasuritë e të cilëve po përpihen nga flakët.

Qeveria ka para për të paguar charterat privatë të Edi Ramës, por nuk jep asnjë cent për të blerë avionë për shuarjen e zjarreve, si të gjitha vendet fqinje që kanë të paktën 3 ose 4 avionë zjarrfikës.

Shqipëria po digjet sepse këtu të çon korrupsioni i përbindshëm i një Qeverie që "djeg" 90 mijë euro/ditë për një incenerator që nuk ekziston dhe që akordon vetëm 9 euro/vit për mbrojtjen e qytetarit nga zjarri.

21 milion euro për mbrojtjen nga zjarri, baraz me koston e e një kilometër të Unazës së florinjtë të Tiranës, është braktisje me vullnet të plotë, e qëllimshme dhe sistematike e qytetarëve në mëshirë të fatkeqësive.

Thellësisht trishtues është fakti që braktisja e shtetit ka sjellë edhe humbje jetë njerëzish, duke konfirmuar fatkeqësisht paralajmërimet tona se korrupsioni i kësaj qeverie po merr edhe jetë shqiptarësh të pafajshëm të cilët meritonin të jetonin me dinjitet në banesat e tyre.

Është cinike që Kryeministri Edi Rama nuk denjon të bëjë një deklaratë e jo më të ndërpresë pushimet, por dërgon disa ministra për të bërë vetëm foto në zonat e shkrumbuara nga flakët por pa u dhënë asnjë sqarim qytetarëve se pse nuk morën asnjë masë për të parandaluar tragjeditë.

Duke vlerësuar me mirënjohje të thellë heroizmin dhe sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, si dhe të personelit të Forcave të Armatosura për të neutralizuar vatrat e zjarrit dhe për t’iu ndodhur pranë qytetarëve, përballë mjeteve minimale dhe rrethanave ekstreme, konstatojmë me dhembje se megjithatë situata po percipiton shumë rrezikshëm duke mos kursyer as qytetet, si rasti i Delvinës, ku situata ishte apokaliptike.

Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore.

Inkurajojmë domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente dhe të efektshme, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të pasur sukses në luftën kundër zjarreve masive.

Së pari, Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri shpalljen e menjëhershme dhe pa vonesa të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarri, si një masë e domosdoshme ligjore që të paktën do të garantonte përfitimin e plotë të dëmshpërblimeve për të gjithë qytetarët e dëmtuar në prona nga zjarri.

Së dyti, i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të miratuar një strategji të bashkëveprimit dhe koordinimit më të ngushtë të të gjitha insitucioneve për përballimin e situatës shumë të rëndë, në mënyrë që të sigurohen të gjitha burimet e brendshme dhe mbështetja e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të shkaktuara nga zjarret.

Së treti, vlerësojmë nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke pasur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe e pasurive publike dhe private.

Situata është jashtë kontrollit dhe rrezikon jetë njerëzish, prona private, trashëgimi natyrore dhe stabilitetin social.

Shqipëria nuk po digjet nga zjarri por nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria në ekstrem e shtetit që ka braktisur qytetarët e vet.

Çdo orë vonesë tjetër në këtë drejtim është përgjegjësi penale shumë e rëndë e shtuar për Qeverinë”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • lia: 13/08/2025 15:39

    Dhe une e kam nje propozim te hapet nje llog bankare e te derdhim te gjitha para qe ato qe e orkestruan kete te mos arrijne asgje dhe ato njerez te ndertojne shtepite e tyre perseri ju lutem na mbeshtesni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?