Kronikë

Zjarret djegin pyje dhe bimësi, 23 vatra në 24 orët e fundit! AKMC: 7 prej tyre ende aktive, zjarre në Dukat dhe Parkun Kombëtar të Lurës

21 Korrik, 12:14| Përditesimi: 21 Korrik, 12:29

  • Share

 

Zjarret në vend janë kthyer në një problem kombëtar, teksa pothuajse çdo ditë regjistrohen vatra të reja dhe hektarë me pyje e bimësi të shkrumbuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot (21 korrik) bilancin e zjarreve të një ditë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim. 269 ha të djegura në total”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Ndër vatrat më problematike aktive mbetet ajo te Liqeni i Luleve, parku Kombëtar i Lurës në Dibër. Por edhe në fshatin Derjan të Matit, ku terreni është i vështirë dhe ndërhyrja e pamundur me mjete.

Po kështu në Shmil të Elbasanit, Vernik të Devollit, Dishnicë të Korçës apo Dukat të Vlorës.

Në Dukat, mbi Orikum, vijon aksioni për shuarjen sipas AKMC, por era e favorizon zjarrin si dhe bimësia. Përveç forcave të ushtrisë, po aktivizohet edhe helikopteri “Cougar”, teksa flakët mbeten intensive.

Edhe në fshatin Shmil të Labinot-Malit në Elbasan ka vatër aktive zjarri, sikurse edhe në Orenjë të Librazhdit.

Edhe në Lezhë, në një pyll me pisha e lis, në afërsi të Shkopetit, ka vatër zjarri, ku është dërguar edhe helikopteri i ushtrisë që kreu dy misione për shuarjen.

Një tjetër vatër është në Vernik të Devollit. Zjarr ka edhe Dishnicë të Korçës, ku janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, deri në kufirin me Greqinë në rastin e Devollit.

Agjencia e Mbrojtjes Civile shprehet se po monitoron edhe shumë vatra të tjera zjarresh që janë nën kontroll apo janë shuar. janë angazhuar 45 mjete zjarrfikëse dhe mbi 400 forca operacionale. Vetëm dje pati 157 efektivë të forcave të armatosura dhe helikopterë. Disa qarqe kanë rrezik të lartë për zjarre.


Lajmi kryesor:

Zjarret/ 4 avionë nga Greqi e Italia ndërhyjnë në malin e Dukatit në Vlorë e ‘Liqenin e Luleve’! Flakë në Shijak e Bilisht, Vengu në terren


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?