Ekonomi

Zjarret/ Emergjencat Civile në ‘emergjencë’ për kapacitete

13 Gusht, 16:38| Përditesimi: 13 Gusht, 16:51

  • Share

Fatkeqësi të paralajmëruara janë zjarret që po shkrumbojnë pyje, shtëpi, toka të mbjella e stane me bagëti në disa bashkitë të Shqipërisë.

Me mjete të vjetruara, një pjesë të prodhuara gati 60 vite më parë, apo edhe të dhuruara nga shtete të tjerë, punonjësit zjarrfikës po mundohen të shuajnë flakët.

Ky shqetësim i evidentuar në auditimet e kaluara të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbetet aktual edhe në vitin 2025, ku zjarri po shuhet me lopata, shkurre e çdo mjet tjetër rrethanor.

Përtej zjarrfikëseve të vjetra, helikopterëve të pakët në numër apo të avionëve zjarrfikës që në flotën shqiptare nuk ka, problem mbeten masat që marrin bashkitë për të garantuar veshje për tu mbrojtur gjatë ‘luftës’ me flakët.

“Bashkive dhe njësive administrative u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, si: Kostume anti-zjarr, kundërgaz, çizme kundra zjarrit, doreza kundra zjarrit etj”, thuhet në një auditim të KLSH-së të 2022-shit.

E njëjtë është situata edhe sot, e ngritur si shqetësim në kulmin e zjarreve nga Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret, Arben Cara gjatë një takimi në Kukës.

“Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme përsa i përket infrastrukturës. Po shohim reagim jo shumë të volitshëm nga ana e kryetarëve të bashkisë. Ka mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe jo vetëm, por edhe në kompletimin me pajisje sa i përket zjarrfikësve. Uniforma jo vetëm që është detyrim ligjor dhe duhet bërë me zbatim të një VKM që ne e kemi dërguar kohë më parë, por përtej tjetërsimit ose bërjes së një uniforme që dikush e bën të kuqe e dikush të verdhë dhe asnjë nga zjarrfikësit nuk përfaqësojnë siç duhet shërbimin zjarrfikës dhe shtetin shqiptar dhe nuk është uniforma e duhur që ta mbrojë atë në rast fatkeqësie dhe kjo na bën të reflektojmë”, tha Cara.

Edhe pse përballja me zjarret po shtohet çdo vit edhe më shumë, mbështetja financiare si e bashkive ashtu edhe e vetë strukturës së Emergjencave Civile mbetet minimale.

Buxheti që ndahet për 61 bashkitë me qëllim kryesor ‘mbrojtjen nga zjarret’ është 21 milionë euro.

Për këtë vit qeveria dha vetëm 19.700 euro për Delvinën për t’u mbrojtur nga zjarret, 19 mijë euro për Gramshin i cili po ashtu po shkrumbohet në disa fshatra prej zjarreve apo 28.6 mijë euro për t’u mbrojtur nga zjarri, Bashkisë Finiq që prej ditësh digjet.

Kurse buxheti i ‘Emergjencave Civile’ që nuk shkon vetëm për menaxhimin e zjarreve por edhe për fenomenet natyrore si përmbytjet apo tërmetet, këtë vit është 55 milionë euro.

Dukshëm kaq para nuk mjaftojnë, e aq më pak, vetëm angazhimi njerëzor, për t’i bërë ballë situatave kritike.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?