Foto ilustruese

Kronikë

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: U raportuan 10 vatra, 4 ende aktive, po punohet për shuarjen e flakëve në Pishë-Poro të Vlorës

25 Gusht, 18:44| Përditesimi: 25 Gusht, 19:53

  • Share

Gjatë ditës së sotme janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë. Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara të zjarrit:
-Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës
-Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe
-Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës.
-Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
-Në Lagjen 18, Rajoni Nr.1, bashkia Korçë.
-Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr.1, bashkia Tiranë.

Ora 19:52
VIDEOLAJM/ Brenda helikopterit që shuajnë zjarret, si paraqitet situata në Vlorë dhe Skrapar

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar pamjet nga brenda helikopterëve që po shuajnë zjarret në dy vatra momentalisht; në Pishë-Poro të Vlorës dhe në Bogovë të Skraparit.

Dy helikopterë veprojnë në Vlorë dhe dy të tjerë në Skrapar.

Njëkohësisht, Forca Ajrore Shqiptare vijon monitorimin e zonës me dronët TB-2, me qëllim identifikimin e vatrave të reja potenciale si dhe evidentimin e rasteve të mundshme të zjarrëvënieve të qëllimshme.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kolegji rrëzon Lapajn dhe i jep mandatin Ana Dajkos, si e vlerësoni?