Disa fshatra në Gramsh u përfshinë nga zjarret në muajin gusht të këtij viti, duke sjell edhe dëme të konsiderueshme në djegie banesash dhe stalla për bagëtitë.
I ftuar në emisionin Studio Live në Report Tv me gazetarin Ermal Qori, Tajar Bici, nënkryetari i Bashkisë së Gramshit tha se janë 42 shtëpi që janë djegur si pasojë e zjarreve që prekën disa fshatra në Gramsh. Ai tha se banorët që mbetën pa shtëpi janë akomoduar në konvikt, ndërsa të tjerë do të vendosen në kontenier.
‘Ne kemi bërë evakuimet e banorëve që janë prekur nga djegia e shtëpive dhe janë akomoduar pranë konviktit në Gramash. Jemi marr me evidentimin e dëmeve dhe bagëtive. Në total janë djegur 42 shtëpi dhe dhjetëra stalla të blegtorisë. Ne kemi marr masa për ata që s’kanë vend ku të qëndrojnë dhe po i pajisim me kontenier. Aktualisht jemi në fazën e montimit të tyre. Asnjë banorë s’ka qëndruar në qiell të hapur sepse një pjesë janë strehuar në konvikt dhe një pjesë kanë gjetur zgjidhje vet duke qëndruar tek të afërmit’, tha ai.
Bici theksoi se nga ana e bashkisë u krijuan grupe që bënë të mundur evidentimin e dëmeve në terren.
‘Pas shuarjes së flakëve me një urdhër të prefektit u vunë në dispozicion specialistë dhe u krijuan grupe për evidentimin e dëmeve në terren. Pasi janë grumbulluar të dhënat se çfarë është dëmtuar me një urdhër të kryetarit të bashkisë është ngritur një komision për të bërë vlerësimin e të gjitha dëmeve’, tha ai.
Sipas tij, tashmë është duke u bërë procesi i vlerësimit të dëmeve dhe më pas do të nis edhe dëmshpërblimi për banorët.
‘Janë dhënë ndihma në ushqime për banorët dhe bazë ushqimore për blegtorinë dhe kanë nisur edhe kontributet nga biznese të ndryshme, por dëmshpërblimi do të bëhet kur mbaroj procesi i vlerësimit të dëmeve që mund të zgjas deri në javën e parë të muajit tetor’, tha ai.
Gramshi ishte një nga zonat që u godit më rëndë nga zjarret këtë verë në vendin tonë. E gjithë njësia Skënderbegas, me fshatrat që përfshin, numëron 68 banesa të djegura dhe 231 kafshë të ngordhura.
Ilir Llapushi, shefi i zjarrfikësve të Gramshit, i cili u dekorua edhe nga Kryeministri Edi Rama, ka thënë për Report Tv se as nuk e imagjinonte të ndodhte një situatë e tillë, ku nëpër fshatra shpërthyen 4 vatra zjarresh njëkohësisht.
Në një prononcim për emisionin Studio Live me gazetarin Ermal Qorri, ai tregoi momentet e para kur mësoi se kishin shpërthyer disa vatra dhe si reagoi.
“As e mendoja që mund të ndodhte një ngjarje e tillë. Kishim 2 vatra të ndezura që rrezikoheshin 2 fshatra dhe po punojnë me dy ekipe për të mbajtur zjarrin mos na hynte në fshat e ta prisnim. Kur më vjen një sinjal nga kryetari i bashkisë që situata në njësinë administrative Skënderbegas është shumë e rëndë, ka rënë zjarr dhe po ecte me shpejtësi marramendëse. Nisem me një grup urgjent drejt Skënderbegasit, duke ikur rrugës shikoj përballë meje komplet njësinë që ishte e gjitha në flakë. Në vendin që zbrisja, në fshatin Buçar plasi një zjarr tjetër. 4 vatra. Unë gjithmonë mbaj në qytet një ekip, e lë të gatshme aty. E nisa menjëherë drejt Kullollasit, distanca është shumë e madhe, 1 orë e 30 minuta me automjete. Ai brenda 20 minutash kaloi nga njëri fshat në tjetrin”.
Ilir Llapushi shprehet se situata ishte tepër e rëndë edhe për çdo stacion zjarrfikëse të BE-së. Ai thotë se edhe nëse 10 automjete zjarrfikëse të kishte në dispozicion, nuk do të mund të bënte asgjë për shkak të terrenit malor dhe pyjeve.
“Fatmirësisht ne si stacion zjarrfikës jemi të kompletuar me automjete, kemi 3 zjarrfikëse. Terreni dhe 4 vatra të menjëhershme nuk mund t’i përballonte asnjë zjarrfikëse e BE. Dhe një staf si i Gramshit nuk mund ta përballonte. Por në ato momente mobilizohesh. Kur kemi nevojë për ndihmë thërrasim zjarrfikëset kufitare. Problemi i zjarrit ishte i menjëhershëm, thatësira, ishin pisha, era e fortë, avanconin me shumë shpejtësi. Në raste të tilla edhe 10 zjarrfikëse të kisha patur këtu unë nuk do ta përballoja. Sepse nuk hyjnë mjetet në pyje. Shërbimi zjarrfikës sa më i modernizuar të jetë aq më mirë është”.
Shefi i zjarrfikësve të Gramshit apeloi që të rriten pagat e zjarrfikësve në të gjithë vendin, për të vlerësuar punën dhe sakrificën e këtyre punonjësve.
“Shpresoj që gjithë këto zjarre që ndodhën këtë vit, shpresoj që të gjithë të vlerësojnë punën dhe sakrificën tonë. Shpresoj që në të ardhmen të ketë ngritje rrogash që të motivohet një qytetar që të bëjë punën e zjarrfikësit”.
Nga vlerësimi i të dëmeve në terren, rezulton se në njësinë administrative Skënderbegas të Gramshit janë djegur 68 banesa në total, prej të cilave 10 janë shkrumbuar totalisht, 16 kanë dëmtime pjesërisht, ndërsa 42 të tjera kanë qenë të pabanueshme ose banesa sezonale.
Komente
