Kronikë

Zjarret në vend, Çako nga Kukësi për Report Tv: Zjarrvëniet kriminale paguhen nga grupe të caktuara! Në Lakun e Thive rrezikohen banesat, mund të ketë evakuim, po ndërhyhet nga ajri

10 Gusht 2021, 08:34| Përditesimi: 10 Gusht 2021, 17:01

  • Share

Kreu i Emergjencave, Haki Çako ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me zjarrëvëniet në vend. Duke i konsideruara të qëllimshme, Çako tha se këto kriminelë paguhen nga qarqe të caktuara për të djegur vendin, se kush është qëllimi i tyre, Çako shprehet se duhet ta nxjerrin hetimet .

Në një intervistë nga Tuneli i Kalimashit për Report Tv, Çako tha se situata më kritike në Kukës është në njësinë administrative Malzi, ku zjarri rrezikon disa banesa dhe nëse flakët përhapen mund të ketë edhe evakuim të banorëve. Ai tha se në këtë Lakun e  Thive por edhe në Karaburun të Vlorës, kanë ndërhyrë helikopterët dhe të gjitha strukturat nga toka për të bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të tyre.

"Helikopteri është në operacion në zonën e banuan në njësinë Malzi, është një zonë që ka një kohë të konsiderueshëm që po digjet dhe ka zona të banuara dhe aty janë përqendruar edhe forcat e ardhura nga Kosova. Nëse do të përkeqësohet situata, do të ketë edhe evakuim të banorëve. Ne kemi aktivizuar të gjitha strukturat, gjatë gjithë natës janë angazhuar strukturat vendore të Kukësit, Lezhës, mbrojtjes civile ku vijon operacioni. Nuk ka një rrezik të madh për momentin, por janë duke punuar për të parandaluar përhapjen e zjarreve duhet të jenë diku tek 3 apo 4 vatrave aktive që na bëjnë që të angazhohen shumë forca. Në Karaburun vijon operacioni me helikopterin holandez, është bërë një punë e madhe gjatë ditës së djeshme. Në fakt duket sikur përsëritet historia e Rozafës, sapo fikim një vatër, ndodh aktivizimi i një zjarri tjetër që të lë të kuptosh se këto janë të qëllimshme. Ëstë një terren aq i madh sa është e vështirtë të mbikëqyrësh të gjithë pyjet dhe hapësirën. Terreni njhet më mirë nga banorët dhe ata që kanë qëllime kriminale për t'i vënë zjarrin, të cilët paguhen nga  qarqe të caktuara" tha Çako.

I pyetur nga gazetari Arsen Rusta se kur do të vihen në punë të gjithë helikopterët që shteti ka në dispozicion për shuarjen e zjarreve, Çako tha se po punohet për 'i pasur sa më shpejt, pasi janë në remont. Ndërsa një helikopter shqiptar është në punë  për shuarjen e zjarreve, Çako tha se shumë shpejt mund të jemi edhe helikopterin tjetër që pritet të vijë nga remonti.

"Kjo situatë ka sjellë në vëmendje dhe nevojën për t'i pasur të gjitha kapacitete në gatishmëri të plotë. Pjesa e proceduarave dhe të pamundësisë për të bërë remontin në Shqipëri sjell mungesën e tyre, por besoj se shumë shpejt do të jenë pjesë e reagimit kundër  zjarreve. Njëri është në shërbim, dhe tjetri është në proces për të ardhur", tha Çako.

Ora 08:45
Zjarri në Tunelin e Kalimashit, prefekti Kukësit për Report Tv: Po merren masa që të mos rrezikohen banesat! Mjete e zjarrfikëseve duhet të jenë në standardin e fqinjëve

Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana në një prononcim për Report Tv është shprehur se situata në Tunelin e Kalimashit është vënë nën kontroll që mbrëmjen e djeshme. Ai bëri me dije se forcat zjarrfikëse e ushtarake janë ende në terren dhe po merren masa që mos të rrezikohen banesat nga flakët.

Ndërkaq, sipas tij në Kukës këto vatra zjarri janë aktivizuar për shkak të flakëve nga Mirdita ndërsa theksoi se të gjitha këto zjarre shkaktohen nga dora e njeriut. I pyetur nëse zjarrfikëset kanë kapacitete e duhura për të ndërhyrë, Kuçana tha se mjetet duhet të riparohen dhe të vendosen në dispozicion sipas standardeve që kanë vendet fqinje.

"Dje pasdite kemi pasur një moment kritik tek hyrja tunelit ku falë punës së vazhdueshme bëmë të mundur që kjo flakë  mos të arrinte poshtë tek tuneli. Gjithsesi u hapën dhe lajme të rreme që u bllokua tuneli. Kujdesi është gjë tjetër por qarkullimi nuk është ndërprerë për asnjë sekondë. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës, që nga kryetari i Bashkisë, Safet Gjici e drejtues të operacionit. Ka pasur një erë tepër të fuqishme, sa mendoje se ke mbaruar shpërthente vatra tjetër. Është era  e fuqishme në drejtime të ndryshme që shpërndan zjarrin. Gjithsesi ne ia dolëm mbanë mbrëmë edhe me ardhjen e mjeteve të tjera dhe u bë e mundur që ajo pjesë mos të ketë asnjë problem. Sot të gjitha edhe me mjete ajrore në njësinë administrative Malzi e në lagjen e poshtme të Leproj po merren masa që zjarri mos të shkoj në banesa. Po kështu edhe në pjesën e sipërme në Thirrëz po merren masa që mos të shkojë flakë në Surroj pasi janë disa stane dhe barinj me blegtori. Është bërë një pritë që nuk do shkojë. Zjarri erdhi nga Mirdita, kemi bashkëpunuar edhe me perfektin e Lezhës. Nuk ka zjarre të natyrës të gjitha këto janë të dorës së njeriut. Mjete duhet të riparohen duhet të jepen në standardin që kanë fqinjët tanë", tha Kuçana.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?