Pasojat e zjarrit në Los Anxhelos

Bota

Zjarret në Los Angeles, reportazhi i ‘La Repubblica’ nga ferri i Pacific Palisades! Dëme në rrjetin elektrik dhe hidrante jashtë funksionit

11 Janar, 09:31| Përditesimi: 11 Janar, 09:38

  • Share

Jemi në kryqëzimin mes Sunset Boulevard dhe Allenford Avenue, një pikë kontrolli e policisë së Los Angeles për të hyrë drejt Palisades, epiqendra më e dëmtuar nga zjarret. Pas kodrës shihet e kuqja kërcënuese e flakëve, ndërsa tymi i dendur dhe toksik i detyron të gjithë të mbajnë maska, kujtime të padëshiruara të Covid-it. John Cohen i afrohet agjentit Mahan dhe pyet: «Shtëpia ime është atje lart, pas atij kthesës. A mund të shkoj të shoh nëse është ende në këmbë?». Mahan i vendos një dorë mirëkuptuese mbi shpatulla, por tund kokën: «Është shumë e rrezikshme. Më vjen keq, falënderoje Zotin që je ende gjallë. Në këtë pikë kontrolli lejojmë kalimin vetëm për ata që po shpëtojnë nga flakët».

John nuk zemërohet, nuk qan, por shpërthen në një ankesë të papërmbajtshme: «Unë dhe gruaja ime kemi dy fëmijë, 18 dhe 16 vjeç. Ajo shtëpi ishte gjithë jeta jonë. Nuk e di si do ia dalim pa të. Kam jetuar aty që kur isha fëmijë, prisja të vdisja aty. Por jo i djegur». Më pas i afrohet përsëri agjentit Mahan dhe shton: «Kam jetuar këtu për dyzet vjet, por diçka të tillë nuk e kam parë kurrë më parë. Kam dëgjuar që pas kësaj mund të jetë dora e njeriut dhe duhet të jetë e vërtetë. Shumë zjarre, të gjithë njëkohësisht, të koordinuar. Ndoshta donin të digjnin vegjetacionin për të ndërtuar dhe flakët u dolën nga kontrolli. Ose ka shumë të çmendur përreth, të nxitur nga kush e di çfarë urrejtje dhe mllef».

Mahan tund kokën në shenjë miratimi, siç do të bënte dikush për të qetësuar një viktimë të tronditur. Disa orë më vonë, policia e Los Anxhelosit pranon se ka arrestuar një të dyshuar si zjarrvënës, një të pastrehë, që përpiqej të ndizte zjarr pranë bllokut 21700 të Ybarra Road, në zonën e Woodland Hills. Është zona ku shpërtheu zjarri Kenneth Fire dhe kur gazetarët e pyesin Sean Dinse nëse zjarri ishte i qëllimshëm, përgjigjja e agjentit të LAPD Topanga Division është rrëqethëse: «Aktualisht, kjo është ajo që besojmë. Incidenti po hetohet si një krim». Por më pas e lirojnë të pastrehun.

Në raste të tilla, duhet përdorur gjithmonë kujdes maksimal, pjesërisht sepse emocionet janë jashtë kontrollit dhe pjesërisht sepse është e vështirë të përcaktohet e vërteta. Disa madje i ‘fryjnë’ flakëve për të përhapur teori konspirative me qëllim të keq, për të përfituar nga situata për interesa të tyre politike. Si për shembull, pretendimet se liberalët ndezin zjarre për të kundërshtuar Trump-in, i cili mohon ndryshimet klimatike. «Shumë demagogë – denoncon presidenti Biden – përfitojnë nga zjarret».

Ajo që është e sigurt është se këtu nuk ka rënë shi për muaj të tërë, bimwsia është thatë, e lënë pas dore dhe lehtësisht i ndezshëm, dhe sistemi i hidrantëve nuk ishte menduar për të përballuar një burim flakësh të tillë. Për më tepër, tani sistemi elektrik është nën akuzë për një rritje të avarive që mund të kenë kontribuar në shpërthimin e zjarreve që kanë vrarë të paktën 11 persona. Midis tyre janë farmacistja në pension Erliene Kelley, Rodney Nickerson 82 vjeç, Victor Shaw 66 vjeç, Anthony Mitchell 67 vjeç. Të gjithë u zunë në befasi nga flakët ndërsa përpiqeshin të shpëtonin shtëpitë. Të shkatërruara janë të paktën 10,000 shtëpi dhe dëmet, sipas AccuWeather, mund të tejkalojnë 150 miliardë dollarë.

Duke vozitur përgjatë Sunset Boulevard në drejtim të Hollywood-it, ka një tjetër hyrje drejt Palisades, në cep të Mandeville Canyon. Mendoj se oficeri i ri dhe i papërvojë gabon që më lejon të kaloj kur i tregoj kartën time profesionale, sepse nga këtu e tutje ka vetëm shtëpi të braktisura dhe kamionë zjarrfikësish, shumë të zënë me flakët për të humbur kohë me të paftuar. Në çatinë e vilës së fundit të banuar, në numrin 1500 të Old Oak Road, një djalë me emrin Cameron spërkat diçka: «Kimikate vonuese – shpjegon ai – për të ndalur flakët ose të paktën për të kufizuar dëmet». Imagjinoni shtëpinë tuaj dhe ju që spërkatni ujë për të mos e humbur. Por Cameron ngrit supet, duke treguar kodrën: «Zjarri është atje, e sheh qartë nga këtu, me gjithë tym që na mbulon. Është një hap larg, çfarë duhet të bëj? Të largohem dhe të humbas gjithçka, apo të përpiqem të shpëtoj atë që mundem?».

Ndërsa rruga e shkretë ngjitet drejt kalimit të kodrës, përtej së cilës shihen Oqeani Paqësor i mbështjellë në mjegullën e tymit, Malibu dhe Palisades, celulari lëshon një tingull të çrregullt: «Emergency Alert!», shfaqet në ekran. Më pas shton: «Injoroni urdhrin e fundit për evakuim. Ishte vetëm për Kenneth Fire». Në kaosin e emergjencës ndodhin edhe këto gjëra. Por duke bërë gabime në mesazhe, vënë në rrezik jetën e atyre që i marrin mesazhet, ose atyre që i neglizhojnë.

Në majë të kodrës, flakët bëhen më të dukshme, të shkrira me të kuqen e diellit që perëndon. Nga fundi i kanionit ngrihet një tym i dendur, që kur e mendon mirë, do të thotë shtëpi të tjera të djegura. Celulari bërtet përsëri: «Emergency Alert!». Këtë herë, megjithatë, nuk është një gabim: «E RE: Ky është një mesazh emergjence nga Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Angeles», pra zjarrfikësit. Vazhdohet kështu: «Një njoftim për evakuim është lëshuar në zonën tuaj. Qëndroni vigjilent ndaj çdo kërcënimi dhe të gatshëm për evakuim. Mblidhni të dashurit tuaj, kafshët shtëpiake dhe sendet e domosdoshme». Me sa duket, përmes GPS-it monitorojnë gjithçka që lëviz në zonë, e dinë ku je dhe të nxisin të shpëtosh. Jo të gjithë e shohin këtë, jo të gjithë e besojnë dhe jo të gjithë i binden. Për shembull, Rodney Nickerson, inxhinier në pension i Lockheed Martin, kishte vendosur të mbronte shtëpinë e tij me një tub për ujitjen e kopshtit. Aty lart e gjetën, të vdekur.

Një ekip i Departamentit të Zjarrfikësve të Santa Monicas rreshton automjetet për të ndërhyrë. Garda Kombëtare mobilizohet për të ndalur plaçkitjet dhe sherifi Robert Luna shpall shtetrrethimin në Los Angeles, duke filluar nga ora 6 e pasdites. Erërat që kanë shtyrë flakët po bien, por frika dhe akuzat jo./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 11/01/2025 10:09

    Edhe Gaza eshte shkaterruar nga cifutet ne kete menyre dhe me vdekjen e mijera Palestinezeve duke u mbeshtetur nga usa dhe karma ekziston

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?