Drejtori i emergjencave në Bashkinë e Shkodrës Pëllumb Dani ka dhënë informacione në lidhje me situatën e zjarrit në qytetin e Shkodrës, duke thënë se për momnetin janë vetëm dy vatra aktive .Në një dalje për mediat ai është shprehur se vijon të mbetet aktive një vatër zjarri në Bashkinë Fushë Arrëz. Sipas tij, kjo vatër është aktivizuar ditën e djeshme dhe ka djegur rreth 30 hektarë të pyllit. Dani ka bërë me dije se ditën e djeshme në këtë zonë është ndërhyrë me helikopter për rreth dy orë, ndërsa vijon edhe sot puna për shuarjen e flakëve ku në mbështetje kanë shkuar edhe 30 ushtarë.
Drejtori i emergjencave civile në Shkodër ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 3 vatra zjarri në Malësinë e Madhe ndërsa vijon të mbetet një vatër aktive në Bashkinë Vau i Dejës.
"Gjatë 24 orëve të fundit, në Bashkinë Shkodër rreth orës 21:45 të datës 4 gusht kemi pasur një vatër zjarri shumë të vështirë dhe të rrezikshëm në lagjen tepe të Bashkisë. Janë angazhuar në këtë operacion për fikjen e flakëve 4 mjete të MZSH Shkodrës dhe 12 forca të kësaj të strukture. Në mbështetje kanë qenë edhe strukturat e policisë. Në Bashkinë Malësi e Madhe kemi pasur gjatë ditës së djeshme tre vatra zjarri lokale, në shkurre dhe ferra, kemi pasur dhe djegien e një banese, ku me ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses kemi ndaluar djegien e mëtejshme dhe shuarjen e zjarrit të tre vatrave e tjera. Vatra e zjarrit shumë e vështirë ka qenë në Bashkinë Fushë-Arrëz, kjo vatër zjarri ka nisur me datë 3 dhe ka vijuar deri me datë 4, e cila është shuar. Por në drekën e orës 4 kjo vatër zjarri është riaktivizuar dhe ka marrë përmasa shumë të shpejta duke përfshirë rreth 30 hektarë të pyllit Fushë-Arrëz dhe në pamundësi për të ndërhyrë me forca njerëzore u bë e mundur ndërhyrja nga ajri. Gjatë ditës së djeshme ka punuar përreth 2 orë helikopteri. Kanë marrë pjesë rreth 100 forca për fikjen e flakëve. Kjo situatë vijon edhe sot, sot kemi dërguar edhe 30 ushtarë të Vaut të Dejës që po punojnë dhe janë në neutralizim e sipër të flakëve. Sa i përket Bashkisë Vau i Dejës, gjatë ditës së djeshme është aktivizuar përsëri një vatër zjarri në Sukal, që kemi një javë që po punojmë në këtë vatër", tha Dani.
Lajmi kryesor:
Zjarret në Shkodër/ Situata drejt normalizimit! Neutralizohen flakët në fshatin Tepe dhe në Fushë Arrëz! Shuhen vatrat në malin e Cukalit dhe Qafë Mal
SI.E./ReportTv.al