Paraqitet e qetë situata me zjarret në Shkodër ditën e sotme, ku janë vënë nën kontroll apo janë shuar plotësisht flakët në vatrat që ishim të rrezikshme. Bashkia Shkodër bën me dije se një vatër zjarri në Malin e Taraboshit është neutralizuar gjatë gjithë natës, ndërkohë që për shuarjen e kësaj vatre zjarri nga shërbimi zjarrfikës u angazhuan 10 efektiv me nga 3 mjete zjarrfikës dhe 5 punonjës ADZM Shkodër.
Në Fushë-Arrëz, është shuar përfundimisht vatra e zjarrit, pa shënuar dëme në njerëz dhe në banesa, duke përllogaritur një sipërfaqe e djegur nga flakët 22 hektarë, pishë e zezë . Operacioni i ndërhyrjes angazhoi 35 forca të armatosura nga Reparti Ushtarak Vau Dejës, 32 forca policore, 18 efektiv zjarrfikës, 5 mjete zjarrfikës, 52 forca vullnetare , 65 forca bashkiake dhe 14 persona, pjesë e shërbimit pyjor.
Flakët rrezikuan edhe Parkun Kombëtar të Thethit, por fatmirësisht situata u vu nën kontroll shumë shpejt. Është djegur 0.4 ha tokë, ndërsa vatra është izoluar plotësisht.
Janë shuar përfundimisht edhe 2 vatrat e zjarrit në Cukal dhe në Njësinë Administrative Temal nga strukturat e Mbrojtjes së Zjarrit dhe Shpëtimit.